Rrëzohet turizmi

Të dhënat e fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se përtej bumit të trumbetuar turistik, të ardhurat nga turizmi ranë sërish për të dytin vit rresht.
Sipas Bankës vitin e kaluar ekonomia përfitoi nga sektori i turizmit 1 miliardë e 169 milionë euro ose 4.6 për qind më pak se sa një vit më parë. Prej disa vitesh sektori i turizmit, shfaq sipas shifrave zyrtare një paradoks, ku nga njëra anë raportohet rritje e numrit të turistëve dhe nga ana tjetër të ardhurat nga ky sektor vijnë duke rënë.
Industria turistike në Shqipëri shënoi kulmin në vitin 2009, kur të ardhurat arritën në 1.3 miliardë euro. Por që pas atij viti shifra ka ardhur duke u ulur, edhe pse qeveria raporton cdo vit rritje numrit të turistëve. Shqipëria është një vend me deficit të lartë korrent, pasi nevojat e ekonomisë për valutë janë shumë më të mëdha nga sa ajo siguron përmes eksporteve, dërgesave të emigrantëve apo burimeve të tjera nga jashtë.
Ndaj ekspertët e kanë parë turizimin si një nga sektorët kryesorë që mund të rrisë prurjet valutorë për ekonominë kombëtare për të mos rrezikuar qëndrueshmërine e saj por edhe atë të monedhës. Por deri tani kjo nuk ka ndodhur, pasi të ardhurat nga turizmi janë thuajse të barabarta me shpenzimet që shqiptarët bëjnë për pushime apo udhëtime jashtë shtetit.
top-channel.tv
Add new comment