Rrëfen vëllai i kambistit: E qëlluan kur bëri çiften gati

Postuar në 28 Janar, 2013 04:34

 

Vëllai i viktimës Fatmir Kotorja, i cili humbi jetën ditën e djeshme pasi u qëllua me automatik nga dy grabitës, rrëfen ngjarjen për GSH. Të dy vëllezërit kanë vite që punojnë së bashku si kambistë, ndërkohë që dje iu morën shumën prej 25 milionë lekësh të vjetra dhe qëlluan për vdekje vëllain e tij.

“Unë gjithmonë rri shofer, ndërsa Fatmiri rri mbrapa me shumën  e parave. Për siguri në makinë mbajmë gjithmonë një çifte. Unë zbrita nga makina dhe vajta hapa portën e shtëpisë. Sapo u ktheva, pashë që prej murit 2 persona të veshur tërësisht në të zeza, si ato të pishinave dhe me kokore, erdhën me nxitim. Të dy kishin kallashnikovë në duar. I thirra vëllait, “shpejt çiften bëje gati se na vodhën hajdutët”. Ndërkohë njëri prej tyre me kallashnikovë në dorë ma drejtoi mua. Unë ngrita duart lart. Fatmirin e pashë që kishte bërë çiften gati. Fatmiri qëlloi drejt atij që kishte përpara, por edhe ai qëlloi Fatmirin”, pohon Haxhi Kotarja.

Ai tregon se ata i morën të vëllait qesen me lekët, por me sa duket edhe njëri prej grabitësve ka mbetur i plagosur pasi ka lënë njolla gjaku pas.

“Ishin të dy të shkurtër. Shumë gjakftohtë, e kishin përgatitur deri në detaje grabitjen, kjo sepse e dinin që unë do hapja portën”.

Fatmiri kujton me dhimbje se si e humbi jetën i vëllai në duar.

“Eh, unë i fola, doja ta përmendja. U nisa urgjent në spital, por ai iku, iku aq shpejt, në duart e mia përfundoi. Në makinë kishte rrjedhur i gjithë gjaku, pikoi rrugëve deri në spital. Ata i vunë elektroshok ta kthenin, por nuk ishte e mundur. Ai nuk kishte asnjë reagim”, zrrëfen Haxhiu.

Ai tregon se janë grabitur dhe rrahur deri në vdekje edhe në vitin 2000, mirëpo shpëtuan, ndërsa tashmë atë çfarë ai kërkon nuk kthehet më.

“Atë që dua unë, askush nuk mund të ma kthejë. Dua tim vëlla se më ka lënë jetimë dy fëmijë, djali është në gjimnaz, Klevi, ndërsa vajza është e vogël. Jetën e tij dua”, nënvizon ai.

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.