Rokada në diplomaci, Kuko dhe Bimo sërish ambasadorë

Artur Kuko pritet të dekretohet në Gjermani dhe Roland Bimo në Vjenë. Adriana Hodbari në Strasburg
http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Shkurtimet - Reforma “Bushati” do të sjellë shkarkimin e 30 për qind të stafit të Ministrisë së Jashtme dhe do të eliminojë edhe postin e drejtorëve të përgjithshëm në këtë dikaster
Numri - Shqipëria ka aktualisht 55 përfaqësi diplomatike të saj të shpërndara në të gjithë botën dhe një numër i tillë pritet të reduktohet paksa, në kuadër të vështirësive buxhetore
Raportet - Ministri Bushati është zotuar të ulë numrin e emërimeve politike të ambasadorëve, krahasuar me ata diplomatë që marrin këtë pozicion mbi bazën e karrierës së gjatë në shërbim
Rezistenca - Presidenti Nishani nuk e ka pranuar kërkesën e ministrit të Jashtëm, për të shkarkuar nga detyra ambasadorin e Shqipërisë në Itali, politikanin Neritan Ceka. Si argument për këtë shkarkim është përdorur mosha e pensionit të Cekës
Fatjona Mejdini
Ambasadat shqiptare janë duke nisur rokadën e paralajmëruar të drejtuesve të tyre. Sot në Kuvend pritet seanca dëgjimore e dy të dekretuarve për ambasadorë, që janë ish-deputetët Ilir Gjoni dhe Leonard Demi, në një kohë kur tre emra të rinj ambasadorësh janë gati për të marrë aprovimin e Presidentit Nishani shumë shpejt. Burime të “Top Channel” bëjnë të ditur se aktualisht mbi zyrën e Nishanit janë paraqitur si propozime për ambasadorë tre figura të mirënjohura të diplomacisë shqiptare. Ish-ambasadori i Shqipërisë në NATO, Artur Kuko, është propozuar për drejtimin e ambasadës shqiptare në Gjermani; Adriana Hodbari është propozuar si përfaqësuesja e vendit në selinë e Këshillit të Europës në Strasburg dhe drejtori i marrëdhënieve me Jashtë i Partisë Socialiste, Roland Bimo, në Vjenë. Por emra të rinj pritet t’i paraqiten Kuvendit për votim, pasi janë rreth 25 emra ambasadorësh, për të cilët Presidentit Nishani i është kërkuar shkarkimi nga ana e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Ndërkaq, burimet bëjnë të ditur se nga ana e ministrit Bushati po vijojnë shkarkimet e niveleve të dyta dhe të treta në ambasadat shqiptare. Kjo nismë është ndërmarrë nga ai në kuadër të premtimit se ambasadat shqiptare nuk do të jenë më vendi i “strehimit” të njerëzve të afërt të atyre që kanë pushtetin dhe lidhjet politike, por duhet të jenë vendi ku do të punësohen shqiptarët më të aftë.
Emrat
Ish-deputeti socialist, Ilir Gjoni, dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Leonard Demi, janë ambasadorët e parë që pritet të emërohen nga mazhoranca e re në krye të përfaqësive të rëndësishme shqiptare jashtë vendit. Pavarësisht debateve publike me Kryeministrin Rama, Gjoni pritet të votohet si ambasador në Zvicër, ndërsa pavarësisht faktit se është një ish-deputet i koalicionit rival, Leonard Demi do të jetë përfaqësuesi i Shqipërisë në selinë e NATO-s në Bruksel. Ndërkaq, ambasadori aktual në NATO, Artur Kuko, pritet të dekretohet si ambasador në Gjermani, një nga vendet kryesore të Bashkimit Europian, me të cilin Shqipëria kërkon të forcojë kryesisht lidhjet ekonomike. Ndërkaq, diplomati i mirënjohur, Roland Bimo, është propozuar nga ministri i Jashtëm, për të mbajtur postin e ambasadorit shqiptar në Austri. Ai ka mbajtur detyrat e ambasadorit të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po kështu në Holandë. Ndërsa për përfaqësinë e Këshillit të Europës në Strasburg të Francës është zgjedhur Adriana Hodbari. Sipas “Top Channel”, emrat e tyre i janë paraqitur Presidentit Nishani për dekretim që prej datës 13 nëntor, por ende prej tij nuk ka sinjal për kohën në të cilën ky akt do të ndodhë. Por, ndërkaq, janë rreth 25 emra ambasadorësh aktualë, për të cilët ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka kërkuar shkarkimin, procedurë e cila kalon përmes filtrit të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Mes emrave për të cilët kërkohet shkarkimi janë ambasadorët
Ridi Kurtesi në shtetin e Katarit, Mehmet Elezi në Zvicër, Arben Çejku në Maqedoni, Shpëtim Çaushi në Serbi, Vili Minarolli në Austri, Ruhi Hado në Suedi. Arsyeja kryesore për sa u përket këtyre shkarkimeve është dhe mbarimi i mandatit në qëndrimin e tyre në këtë detyrë.
Ambasadat
Në syrin e Ministrisë së Jashtme, për sa u përket shkarkimeve në ambasadat shqiptare, nuk janë vetëm drejtuesit e tyre, por edhe përfaqësuesit e nivelit të dytë dhe të tretë. Burimet nga Ministria e Jashtme bëjnë të ditur se është duke vijuar procesi i shkarkimeve nga ambasadat shqiptare të të gjithë atyre punonjësve që janë emëruar si pasojë e lidhjeve nepotike dhe po kështu jashtë kritereve ligjore. Një aksion i tillë është paralajmëruar nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, menjëherë sapo ai ka marrë detyrën e kryediplomatit. Sipas Bushatit, ambasadat shqiptare nëpër botë nuk mund të vijonin të funksiononin si konvikte për njerëzit e afërt të politikanëve apo të tjerëve të lidhur me pushtetin. Ndërkaq dhe brenda Ministrisë së Jashtme ka nisur procesi i ristrukturimit, që përfshin edhe reduktimin e stafit të kësaj ministrie me 30 për qind.
Aleanca
Bushati në Bruksel për Samitin e NATO-s
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, do të marrë pjesë në Samitin vjetor të NATO-s, i cili do të mbahet në Bruksel në datat 3 dhe 4 dhjetor. Në këtë ministral do të takohen të gjithë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s për të diskutuar në lidhje me sfidat e radhës që ka organizata e Traktatit të Atlantikut Verior. Theksi pritet të vendoset te vatrat e luftës sot në botë, duke përfshirë edhe krizën në Siri. Një tjetër diskutim pritet të jetë ai i modernizimit të ushtrive anëtare të aleancës në kuadër të sfidave të reja me të cilat mbrojtja po përballet sot. Këtë takim, ministri i Jashtëm, Bushati, pritet ta shfrytëzojë për të theksuar angazhimin e ushtrisë shqiptare për të qenë në dispozicion të nevojave të aleancës. Nga ana tjetër, Bushati pritet të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologët e tij, për të diskutuar dhe për mbarëvajtjen e marrëdhënieve dypalëshe.
SHQIP
Add new comment