Rama-Thaçi, për Preshevën vetëm 100 mijë euro

Siç kishin premtuar qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë kanë akorduar një fond për Luginën e Preshevës, përkatësisht për vënien në funksionim të martenitetit të kësaj zone në Serbi që banohet me shqiptarë. Por mediat e Kosovës kanë komentuar me ironi shifrën e akorduar që është vetëm 100 mijë euro. Gazeta express thote se perkatesisht secila nga qeverite do te jape nga 50 mije euro.
Të pyetur nga media sa është shuma e ndarë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, kryeministri Thaçi nuk e tregoi shumën, por tha se edhe po t’i ndanin të gjitha paratë e mundshme, nuk do të mjaftonin për shqiptarët e Luginës. “Nuk ka para dhe miliona që e mbulojnë angazhimin e dy qeverive tona ndaj mbështetjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ne jemi në konsulta të përhershme me shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc”, u shpreh Thaçi.
Ndërkaq, i pari i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, tregoi edhe shumën e saktë të ndarë për shqiptarët e Luginës. Kjo shumë, sipas tij, është 100 mijë euro, dhe i dedikohet maternitetit në Preshevë.
“Ne i kemi akorduar 100 mijë euro. Nuk është një shumë e vendosur ashtu rastësisht, por është një shumë që do të mbulojë të gjitha shpenzimet e parashikuara për nevojat që do ta fusin në funksionim maternitetin e Preshevës. Unë ju siguroj se mbledhja e dy qeverive kishte të pranishëm që të gjithë përmes angazhimit të plotë dhe vullnetit të mirë të të dyja qeverive për t’i përfaqësuar të gjithë”, theksoi Rama.
MAPO
Add new comment