Rama: Sigurim jete për çdo polic

Postuar në 30 Janar, 2013 03:10

 

Gjatë javëve të fundit Partia Socialiste është fokusuar tek çështjet e rendit dhe të sigurisë publike duke denoncuar pasigurinë në rritje të qytetarëve, revanshin që ka marrë krimi si pasojë e kapjes së strukturave drejtuese të policisë së shtetit dhe ministrisë së brendshme.

Në kuadër të diskutimit dhe prezantimit të Programit të PS për çështjet e rendit dhe sigurisë publike, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe gjendjes në të cilën ndodhen familjet e policëve të rënë në krye të detyrës duke zhvilluar edhe disa vizita në këto familje për t’u njohur nga afër me situatën e vështirë ekonomike e sociale që ato po kalojnë.

Ditën e hënë ai ka qenë në qytetin e Beratit ku ka vizituar familjen e ish-punonjësit të policisë, Baftjar Gremshit, i rënë në krye të detyrës dhe i shpallur dëshmor i atdheut. Kryesocialisti i shoqëruar edhe nga sekretari organizativ i PS, Blendi Klosi, anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Lindita Nikolla si dhe kryetari i Bashkisë së Beratit,  Fadil Nasufi, është takuar me prindërit, bashkëshorten dhe fëmijët e policit të vrarë, duke u interesuar nga afër për kushtet e tyre të jetës, si dhe trajtimin nga ana e shtetit.

I ati i Baftjarit, Qemal Gremshi thotë se si familje nuk kanë pasur kurrë probleme dhe se e vetmja arsye për humbjen e të birit ishte detyra të cilës ai i shërbeu me devotshmëri. E ëma nga ana tjetër i ka treguar kryetarit të Partisë Socialiste për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet familja pasi në momentin e vrasjes Baftjari ka lënë pas një djalë dy vjeç dhe të shoqen shtatzënë me fëmijën e tyre të dytë. “Eh çfarë djali kisha. Në ’97-ën nuk e hoqi një herë kapelen, gjithnjë në ballë të shokëve. E përcolla duke qeshur dhe më erdhi… Nuk kisha ndonjë djalë frikacak, po trim. Djalin e la dy vjeç dhe nusen 3 muajshe shtatzënë. Dhimbje e madhe, plagë e madhe…”

E shoqja e Baftjarit është prej vitesh e papunë duke e rënduar edhe më tej gjendjen ekonomike të familjes.

Kreu i Partisë Socialiste është ndalur në gjendjen ku ndodhen pjesa dërmuese e familjeve të policëve të rënë në krye të detyrës: “Është e njëjta situatë në shumicën dërmuese të familjeve të policëve të vrarë, që gratë janë papunë, familjarë të tjerë pa punë, gjendje varfërie dhe pamundësie për të çuar përpara jetën. Prandaj duhet të bëjmë çmos dhe të shikojmë mundësinë që të ketë një sigurim për jetën për çdo njeri që është me uniformën e policisë”.

Ashtu si në takimet e tjera që ka pasur me familjet e policëve të rënë në krye të detyrës gjatë javëve të fundit, Edi Rama tha se Partia Socialiste është e vendosur të rishikojë pensionin për familjet e të gjithë punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës dhe të zgjidhë çështjen e sigurimit të jetës për çdo njeri që angazhohet për t’i shërbyer shtetit.

Kreu i PS është shprehur se vendi ndodhet aktualisht në kushtet e një pasigurie shumë të madhe dhe një kriminaliteti që ka marrë një epërsi të dukshme. “Po të shikosh sot numrin e vrasjeve, numrin e plagosjeve, numrin e grabitjeve, edhe këto ndodhi të tmerrshme ku vriten njerëzit e policisë, jemi në kushtet e një pasigurie shumë të madhe dhe një kriminaliteti që ka marrë një epërsi të dukshme gjithandej. Kjo është e patolerueshme, është skandaloze. Ndërkohë që kemi policinë më të keqfinancuar në rajon, përfshirë Kosovën, përfshirë Bosnjën dhe kjo është një polici e tradhtuar komplet”, ka theksuar kryesocialisti, i cili më pas ka shprehur angazhimin e Partisë Socialiste për t’i kthyer autoritetin dhe dinjitetin figurës së policit, në mënyrë që shteti të rimarrë kontrollin e situatës, duke mos ia lënë atë krimit dhe kriminelëve.

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.