Rama: Rrugën shtëpi-zyrë do e bëj në këmbë. PD e drejton një plak që i janë këputur frenat e gojës

Postuar në 26 Dhjetor, 2013 16:21

Pas 100 e ca ditësh ën qeverisje, si ndiheni si kryeministër?

Të them të drejtën 100 ditët mjaftuan për të konfirmuar besimin tim se skuadra e re është skuadra e duhur dhe 100 ditë ne realizuam objektivat që i kishim vënë vetes. Ndaj ndihem mirë.

Zgjedhja e kabinetit tuaj shkaktoi shumë habi jo vetëm për pjesëmarrjen e madhe të grave, pasi ju i keni promovuar edhe më parë, por edhe për faktin se shumë prej tyre nuk kishin ndonjë përvojë të gjatë në shërbimin në administratë. Ndoshta edhe formula që ju paravendosët që ministrat s’do të ishin deputetë, nga shumë kritikë dashamirës apo jo shihet se formoi një kabinet pa autoritet, sepse në mungesë të mandatit si deputet, ministrat do të ishin potencialisht më të ekspozuar ndaj vullnetit tuaj.

Besoj që ende më tipike ishte shprehja e dyshimit për drejtoren e re të Doganave dhe Tatimeve, e sot ka mjaftuar, besoj këta fare pak muaj për të vërtetuar se dyshimi ishte i pabazuar dhe se zgjedhja ishte ajo e duhura, duke vendosur dy njerëz të rinj, dy vajza të reja me pasion dhe ambicie, që në këtë periudhë kaq të shkurtër përmbysën të gjithë trajektoren negative të të ardhurave në Dogana e Tatime e dhanë provën e parë të sigurt që kur më të rinjtë janë zgjedhja e duhur, edhe pse janë më të rinj, sigurisht që rezultatet e reja dhe të mirëpritura nuk mungojnë. Mendoj se ndarja e qartë e qeverisë nga Parlamenti, duke i lënë këtij të fundit të bëj rolin e Parlamentit e duke i kërkuar anëtarit të qeverisë të jetë 24 orë në detyrë, jo vetëm e bën më të shëndetshme marrëdhënien mes këtyre dy pushteteve, por bën edhe më të vetëdijshëm çdo ministër për t’u përgjigjur me rezultate.

Përsa i  përket funksionimit të koalicionit brenda kabinetit tuaj, pasi i referohem sërisht skeptikëve se LSI do të futet në qeveri dhe do të shohë punën e vet, e ju e ministrat tuaj do të vazhdoni me axhendën e përcaktuar. Si ndiheni me këtë bashkëjetesë me partnerin tuaj strategjik?

Leximi me vëmendje i të shkuarës për përvojat pozitive apo negative në raportet tona na ndihmoi t’i japim jetë një aleance fituese që kurrë më parë një koalicion nuk e kishte pasur pas vitit 1992 dhe ndërtimi i një skuadre të re me dialog e me bashkërendim të ideve për skuadrën, me aleatin kryesor e partnerin strategjik, na ka dhënë një ekip që punon si e tillë e sinqerisht nuk ndiejmë asnjë dallim të natyrës që ju thatë.

Përsëri për kabinetin. Janë vetëm 100 ditë edhe disa përfaqësues të opozitës kanë thënë që qeverisë i duhen lënë disa muaj për t’u vlerësuar, por nisur nga e shkuara kemi pare shumë ndryshime gjatë një mandati në kabinet. A mendoni që qeveria juaj, do të ketë një rifreskim të qeverisë apo vazhdoni t’i qëndroni se gjithçka do të ndikohet nga performance?

Gjithçka në bazë të performancës, pa dyshim…

Dhe besoj se deri tani jeni të kënaqur me rezultatin.

Për të gjithë ata që e kanë dyshim dhe pa asnjë ekzagjerim, çdo ministër e ministre ka justifikuar besimin që ka marrë qoftë nga përzgjedhja dhe qoftë nga vota e Kuvendit për të përfaqësuar aleancën për Shqipërinë Europiane në kabinetin e vendit.

Jo puna e të gjithë ministrave është e dukshme, për shkak edhe të portofoleve që mbulojnë, por mua më duket se edhe qeveria juaj, me frymën e re në formë e përmbajtje nuk i shpëtoi dot sindromës së evidentimit të 2-3 ministrave e diçka që e bashkon me të shkuarën është Ministria e Brendshme, që duket se kishte edhe fokusin kryesor mediatik. Përse nuk kemi shpëtuar nga sindroma për të parë këtë ministri në këtë formë?

Natyrshëm, kanë qenë në fokusin e vëmendjes, pasi në fokusin e vëmendjes sonë ka qenë krimi dhe lufta ndaj tij. Kemi marrë një situatë ku krimi është një nga problemet më të mëdha, e kemi lexuar shumë mirë edhe gjithë shqetësimin e pritshmërinë e opinionit si para dhe pas zgjedhjeve, ku krimi renditej si problem i parë e më kryesori gjithandej, e sigurisht jemi përqendruar në këtë luftë me krimin si pikënisja e një rrugëtimi ku vendosja e rendit dhe kthimi plotësisht i policisë në krye të detyrës përbëjnë një prioritet të padiskutueshëm, e kjo e bën shumë më tërheqës edhe për kamerat e publikut rolin e Ministrisë së Brendshme, se sa rolin e ministres së Kulturës. Pavarësisht se një proces transformimi rrënjësor ka nisur edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, jemi të vetëdijshëm që pjesa e vëmendjes që ka të bëjë me mbrojtjen është larg fokusit të përditshëm të mediave që ndjekin vëmendje e publikut e me radhë kështu në fusha të tjera. Por, unë besoj se në çdo fushë kemi arritur të vendosim piketat e ndarjes me një rrugë dhe hapjes së një rruge të re.

Zoti Rama, le të flasim për pjesën tjetër, që ju u votuat mbase edhe për arsye më të gjera që janë ato ekonomike. Le të flasim për atë paketë që lidhet me financat, ekonominë dhe taksat në vend. Maxhoranca miratoi në parim paketën fiskale dhe në një nga pikat kryesore të debatit është taksa progresive. A nuk mendoni që me këtë po godisni shtresën më produktive të shoqërisë, atë më korrekte ndaj shtetit, profesionistët e rregullt në pagimin e taksave?

Nuk mendoj kështu. Mendoj se po vëmë në jetë një nga zotimet kryesore dhe jam shumë i lumtur që po e bëjmë këtë brenda 100 ditëve, pasi zotimet që një mazhorancë bën në fushatë janë për harkun e katër viteve të ardhshme. Është qesharake dhe e dëshpëruar përpjekja e opozitës që na rendit të gjithë zotimet e na kërkon llogari, edhe pse e mirëpres këtë të fundit, në kaq pak kohë. Unë mendoj se kemi bërë gjënë e duhur, duke i mbetur parimit tonë të shpallur se kush fiton më shumë do të paguajë më shumë dhe anasjelltas, duke hequr sistemin abuzues të taksës së sheshtë. Duke filluar nga 1 janari, një sanitareje që rrogën e  ka 307 mijë lekë, do t’ia ulim taksat në atë mënyrë që në fund të vitit të ketë kursyer 357 mijë lekë, pra më shumë se një rrogë. E kështu punonjësit në arsim, e kështu me radhë. Kemi vënë në vend një padrejtësi të tmerrshme që shoferi i kryeministrit paguante më shumë taksa se kryeministri, që infermierja ose polici paguanin më shumë se ministrat përkatës. Nga 1 janari do të jenë ministrat, kryeministri, presidenti të gjithë të mirëpaguarit që do të paguajnë më shumë taksa.

Ju i referoni kësaj si taksa e ndershme, por nuk bie ndesh që ju e zbatoni taksën progresive vetëm për pagat, ndërsa dividenti tatohet vetëm 10%, ndaj i bie që i punësuari paguan më shumë taksa se pronari.

Kjo nuk është pikërisht kështu edhe pse u diskutua për dividentin, madje edhe me FMN me të cilën tashmë jemi në një marrëveshje të re, falë të cilës kemi garantuar ndalimin e hemorragjisë së financave të vendit dhe praktikisht kemi stopuar inercinë e rrënimit, e megjithatë në këtë fazë jemi në këtë qëndrim edhe pse qëndrimi për dividentin është i hapur dhe në vazhdim. Ajo që është e sigurt është që edhe tek biznesi kemi zbatuar të njëjtin parim, kush fiton më pak do të paguajë më pak e më lejoni vetëm të shtoj se të gjithë ata që jetojnë me një rrogë, në raport me biznesin ne e kemi mbajtur dy zotime shumë të rëndësishme, atë të heqjes së taksës së biznesit vogël dhe atë që mos lejojmë më që një furrë buke të paguajë më shumë taksa se një fabrikë çimento apo një bar të paguajë më shumë se një hotel apo spital privat. E tashmë një farmaci që ka paguar 1.62 milionë lekë taksa do të paguajë 500 mijë lekë, tre herë më pak, ndërsa një furrë buke me 27 mln lekë të vjetra në vit xhiro e ka paguar 700 mijë lekë do të paguajë vetëm 375 mijë lekë, pra dy herë më pak e të gjitha këto para do të shkojnë për njerëzit që kanë nevojë jetike për sasira të tilla, ndërsa sasira të tilla s’janë jetike për ata që fitojnë shumë dhe këtu vendoset në vend edhe kjo padrejtësi. Është kollaj të thuhet 10% për 10% është, por 10% për atë që fiton shumë pak është buka e gojës, ndërsa për atë që nuk ka kohë të numërojë lekët është i pandjeshëm.

Zoti kryeministër, ju keni ulur me 25% tatimin mbi fitimin për biznesin e vogël, por pse ndërkohë vendosët të dyfishoni taksën për ndërtesën?

Së pari, këtu ka një propagandë shumë intensive për të disinformuar dhe për të krijuar tek qytetarët një ndjenjë dyshimi dhe pasigurie. Unë e kuptoj nga vjen kjo propagandë, se ata që deri dje ishin në pushtet, se në gropën ku lanë vendin nuk do gjendej rrugëdalje e se njerëzit shumë shpejt do të gjendeshin përpara pafuqisë sonë dhe ata që sollën këtë rrënim, do të vinin në rolin e shpëtimtarit. Kjo s’do të ndodhë, pasi kemi krijuar bazën e rimëkëmbjes, ndaj është një përpjekje e dëshpëruar, ndaj ne nuk e dyfishojmë taksën për ndërtesën, ne thjesht vendosim një taksë të dyfishtë për shtëpinë e dytë. Unë mendoj se ata që kanë sot një shtëpi nuk janë njësoj me atë që ka një shtëpi për të jetuar dhe me atë që ka një vilë. Ndaj një shtëpi e dytë do të taksohet më shumë, e treta edhe më shumë e kështu me radhë. Mos harrojmë se janë ata që kanë më shumë se një shtëpi që konsumojnë më shumë të mirat e përbashkëta, qoftë në infrastrukturë dhe qoftë në gjithçka tjetër. Kush përfiton më shumë nga investimet e përbashkëta, është e drejtë të përfitojë edhe më shumë.

Kush përfiton më shumë, gjithashtu prodhon më shumë…

Sepse kjo është reciproke dhe kjo nuk është e njëanshme. Askush nuk mund të thotë që rrugët i konsumojnë më shumë pensionistët apo familjet që jo për të shkuar çdo fundjavë në Durrës, por familjet që edhe për të shkuar një fundjavë në Durrës nuk e përballojnë dot. Edhe rritja me dhjetë lekë e taksës së naftës shkon në këtë drejtim. Ajo nuk i shkon pensionistëve, apo njerëzve në nevojë, por atyre që kanë mundësi të keni një makinë, e kështu kontribuojnë më shumë për ndotjen e ambientit, ndaj duhet të kontribuojnë më shumë për ruajtjen e mjedisit dhe përmirësimin e shëndetësisë me taksat e tyre.

Meqë ndaluat vetë, vijmë tek rritja e çmimit të naftës…

Jo e çmimit, por e rritjes së taksës së karburanteve.

Dakord. Por, nafta nuk përdoret vetëm për të ecur me makinë, edhe në disa lloj procesesh të tjera ekonomike. Natyrisht, që për ata që kanë makinë efekti direkt është ky që thoni ju dhe duhet ta marrë parasysh këtë rritje takse…

Kjo ka edhe një efekt tjetër, le ta themi hapur, pasi edhe bota ku ne duam të integrohemi, ku nuk ka këtë trafik që kemi ne këtu, prandaj e ka këtë taksë të lartë për të dekurajuar përdorimin e kotë të automjetit. Ne nuk po bëjmë asgjë përveçse shtojmë 10 lekë, pasi nuk do të sjellë rritje të çmimit të bukës, pasi ju duhet të dini që 97% e furrave të bukës nuk varen nga nafta fare, nuk punojnë me naftë dhe nuk do të sjellë rritje të çmimeve të shportës. Ndërkohë, njerëzit e dinë shumë mirë që në këto tetë vitet e kaluara, nafta nga 40 lekë shkoi në 180 lekë dhe nuk ndodhi ndonjë apokalips.

Ndodhi kështu për shkak të një rritje globale…

Globale ose jo, nuk ndodhi asgjë dhe këto parashikime që do të ndodhë fundi i botës, nga ana e opozitës, të jeni të sigurt që nuk do të ndodhë kështu.

Por, nafta do të shtrenjtohet edhe për ata që e përdorin atë në prodhim…

Jemi të vetëdijshëm për një problem e që s’mund ta ndryshonim për 100 ditë, ne nuk i kemi mekanizmat për të ndarë naftën për konsum vetjak me atë për qëllime industriale apo për atë që përdoret në bujqësi dhe për ndërtimin e këtij mekanizimi kemi nisur punën, që nafta që përdoret për prodhim të kushtojë më pak se nafta për konsum vetjak.

Folët për vendet e mëdha ku taksa për naftën është shumë e lartë, por mos harroni që në Londër apo kudo tjetër, në mungesë të automjetit të ofrohet një sistem transporti pothuajse perfekt, diçka që mungon në Shqipëri.

Patjetër, dhe ky do të jetë një stimul për të përmirësuar edhe transportin publik. Këtu nuk bëhet fjalë për të lëvizur në Londër, por në një lagje të vogël të saj, ku mund të lëvizësh lehtësisht edhe në këmbë, fjala vjen. Unë vetë personalisht e kam me shumë dëshirë dhe do ta bëj që të shkoj në këmbë në zyrë sepse shtëpia ime nga zyra është lehtësisht e përshkueshme, ndaj është e kotë të marrësh makinën dhe të ndotësh ambientin… Nuk flasim këtu për gjëra të çuditshme, por për shembujt e asaj bote ku ne duam të integrohemi se e shohim të bukur kështu, por të gjithë jemi të vetëdijshëm që ajo bukuri dhe pastërti që shohim në ato vende nuk është e rënë nga qielli, por pjellë e politikave dhe një shteti që mbahet në këmbë me kontributet e të gjithëve.

Në të gjithë vendet e Eurozonës, edhe në ato në krizë, qeveritë kanë qenë të përmbajtura në rritjen e tatimeve mbi biznesin, ndërsa ju keni shpallur rritjen me 50% për të gjithë bizneset me xhiro mbi 80 milionë lekë, një masë që nuk është pritur mirë nga sipërmarrësit. Në kushtet e një informaliteti të lartë, a mendoni se për të mbledhur të ardhura për arkën duhet të ishin ndjekur metoda të tjera?

Të themi një të vërtetë, fjala taksë nuk i pëlqen askujt, por 15% tatim mbi fitimin është një taksë shumë e ulët që nuk gjendet në Europën që ne duam të hymë. Këtu flasim edhe për një taksë që do të jetë kjo dhe vetëm kjo. Sepse e vërtetë që e kishin 10%, por të gjithë e dinin që shkonte shumë herë më tepër për qind ndonjëherë, për t’i paguar për pushtetin në formë gjobash, ryshfetesh në format që s’kanë bërë të mirën, por të keqen e ekonomisë dhe shoqërisë sonë. Ne kemi intervistuar përpara zgjedhjeve 5 mijë sipërmarrës, patjetër që e kemi bërë ilegalisht sepse askush nuk mund të fliste lirisht si sot dhe kemi konstatuar se mesatarja e pagesës ishte 22% edhe pse nuk shkonte në arkat e shtetit, por kjo është ajo që paguhej. Për ne flitet me një ulje prej 7%, për ne nga ana tjetër është detyrë që të ofrojmë një administratë që të mos shkelet barazia dhe të mos zëvendësohet një kastë zyrtarësh me një kastë të tjerësh dhe jam i sigurt që tatim fitimi 15%, jo vetëm nuk do të sjellë goditje, por do të jetë me ndikim zero nëse do të jemi në gjendje të garantojmë sigurinë, respektin dhe qetësinë për sipërmarrjen, së bashku me lirinë e konkurrencës dhe të garantojmë që të gjithë të fitojnë në bazë të konkurrencës e jo në bazë të lidhjes me ryshfetin që paguan e kështu me radhë.

Gjithashtu, ju duhet të garantoni qytetarët që kjo rritje e TVSH nuk do të përkthehet në rritjen e përpjekjeve për rritje evazioni fiskal nga biznesi, pasi me përfaqësues biznesi që ne kemi folur, në arkën e shtetit do të mblidhen më shumë para nëse do të rritej me 2% e jo kështu?

Dua të garantoj shqiptarët për dy gjëra që me votën e tyre kanë bërë diçka të madhe, jo sepse na sollën neve në pushtet, por ato 1 milionë duar ndaluan rrënimin që nëse do të kishte ndodhur ndryshe sot do të kishim një rrënim të pandalshëm. Dua t’i garantoj këta qytetarë që janë shpërblyer pasi është vënë në jetë një plan i ri ekonomik, që nuk e kemi shpikur ne, por që e kemi hartuar së bashku me një grup jo vetëm botërisht të njohur si FMN, por edhe me një grup këshilltarësh me famë botërore që na kanë ndihmuar në procesin e çdo veprimi, pasi kushtet janë të tilla që ashtu si në Greqi, ne mund të përballeshim me një ulje rrogash e shkurtim në zero të investimeve, e të mos garantonim asgjë më shumë se sa ruajtjen e një stabiliteti minimal për të mos toleruar rënien në hendek. Ne nuk bëmë asgjë nga këto dhe plani ynë u pranua nga FMN, por garantuam edhe uljen e taksave për 97% të shqiptarëve, garantuam uljen e taksave në mënyrë drastike të 73 mijë të vetpunësuarve në biznes të vogël e një plan për të injektuar në ekonomi 1,1 miliardë dollarë, që do të thotë se në vitin e ardhshëm do të kemi shumë vende të reja pune e do të rivëmë ekonominë sërish në lëvizje. Kjo situatë ndryshon dhe viti 2014 nuk do të jetë viti i kulmit, por viti i fillimit të një rruge të rritjes ekonomike, të krijimit të vendeve të punës e lehtësimit të familjeve që punojnë përmes rrogave.

Keni një parashikim sa do të jetë rritja ekonomike?

Niveli i rritjes ekonomike dhe ai i borxhit është i diskutueshëm në qeveri. Flitet që rritëm borxhin, por ne nuk e kemi bërë këtë thjesht kemi legalizuar një borxh që zotërinjtë përpara nesh nuk e njihnin.

Por, ju borxhin e keni gjetur 68% dhe vitin e ardhshëm do të jetë rreth 74%. Duke ju cituar juve, e keni cilësuar borxhin humnerën ku po bie Shqipëria. Tani jemi në fund të humnerës dhe se kemi kuptuar?

Kemi konsideruar humnerën ku po binte Shqipëria dhe po të shihni deklaratat tona, asnjëherë s’kemi besuar që borxhi ishte aq. Çka ndodhur me borxhin? Është njësoj si një familje që e di se ku ka marrë borxh, por ka një kryefamiljar që merr borxh të luajë kumar dhe këtë borxh familja nuk e di. Ndërkohë, një ditë të bukur, siç na ndodh ne sot, bie dera e shtëpisë dhe del gjithë familja e sheh dhjetëra njerëz që thonë duam lekët tona, çfarë lekësh duan këta? Duan lekët që ka marrë lart e poshtë kryefamiljari për të luajtur në kumar… Këto lekë i ka borxh kjo shtëpi, pavarësisht se anëtarët e shtëpisë nuk e dinë që i zoti i ka marrë këto për kumar e kështu shumë familje kanë humbur edhe shtëpitë nga këta lloj kryefamiljarësh. Ajo që bëmë ne ishte që këtë borxh të bixhozit elektoral, ne e kemi sot të listuar dhe ky është borxhi i legalizuar, ky e ka bërë që të shkojë nga një shifër në një tjetër e më lejoni ta rendis që 285 mln dollar për kontratat me të tretët, borxh i papaguar. Për rrugët, për shërbimet, për ilaçet që s’kishte më në spital, për policinë, për ushtrinë, 128 mln borxhe për TVSH, ky është tatimi që i vendoset një kompanie për vlerën e shtuar dhe ky tatim është automatikisht i rimbursueshëm pasi është një tatim që paguhet për të gjithë produktet nga secili, 50 mln borxhe për dritat, që nga kryeministria që s’paguante, 40 mln dollarë e dinë botërisht të gjithë borxhe për kontrata të pafinancuara dhe të marra përsipër nga shteti për pushtetin vendor, 42 mln dollarë të marra tetraplegjikëve dhe familjeve në nevojë për fushatë, e na thonë që na e lanë, nëse i kishin pse na i lanë, t’i paguanin? Në fakt, s’kanë lënë asgjë dhe i kanë bërë rrush e kumbulla. 20 milionë borxhe për qoka, telefona, darka, dreka lloj-lloj detyrimesh e faturash, e të gjitha bashkë 720 mln dollarë borxhe të kumarit që tani duhet ta njohim sepse duke e njohur këtë bëjmë marrëveshjen me FMN e BB se një qeveri që i ka borxh gjithë dynjasë, çdo bëjë, do i thotë njerëzve paguani dritat kur si paguan vetë? Imagjoni, shkon Madona apo Robin Uilliams në Londër dhe i gjithë rregullimi i skenës e fonia shkon 225 mijë dollarë, ndërsa këtu del Çiljeta në fushatë dhe shkon 1,4 mln dollarë fatura. Kjo është mënyra sesi shqiptarët janë grabitur.

Pse nuk i hetoni?

Ne nuk e kemi rritur borxhin, ne thjesht kemi marrë në dorëzim një shtëpi që na e kanë lënë rrëmujë dhe me borxhe e tashmë ata që luajtën kumar paratë e shqiptarëve na kërkojnë llogari.

Zoti Rama ju e keni quajtur buxhetin 2014 buxhet që të ndalë rrënimin, megjithatë duket që, siç e the edhe vetë, që fatura në fakt është shumë e lartë dhe kjo ju ka detyruar që jo vetëm të thërrisni FMN, por të paktën thuhet që marrëveshja ka kushte të rënda dhe kërkesa të forta që mund të shkojnë deri në rritjen e moshës së pensioni. Mund të na thoni diçka më tepër rreth kësaj marrëveshje?

Marrëveshja nuk ka kushte të rënda për qytetarët. Marrëveshja ka kushte të rënda për qeverinë, në kuptimin që përkundër një marrëveshje, që nuk është detyruese për ulje rrogash, ulje pensionesh apo ndërprerje investimesh deri sa të balancohet borxhin i shtëpisë, por është një marrëveshje që përkundër kërkesave tona që të lehtësojmë njerëzit e zakonshëm, që jetojnë me punën e tyre të ndershme falë një rroge, të lehtësojmë rrugën e njerëzve që duan punë dhe të hapim vende të reja pune që duan investime, duhet të marrim përsipër një sërë reformash të rëndësishme strukturore për t’i dhënë fund një historie humbjesh, siç janë humbjet që shkaktohen çdo vit në sistemin elektroenergjitik. Ne s’mund të vazhdojmë më kështu. Të gjithë duhet ta kuptojnë që ne nuk mund të vazhdojmë kështu, duke vjedhur energjinë, duke mos paguar energjinë, duke filluar nga qeveria, nga institucionet shtetërore, tek bizneset, tek familjet që janë në punë dhe deri tek ata që janë në nevojë për të cilët do ta subvencionojmë ne 10 përqind të faturës. Është shumë e rëndësishme po ashtu të kuptohet që nuk mund të vazhdohet kështu me shpërdorimin e ujit. Jemi vendi i dytë më i pasur në Europë me burime ujore dhe jemi i vetmi vend për faqe të zezë që nuk arrijmë do të japim ujë për të pirë gjithë fëmijëve, gjithë familjeve dhe nuk vadisim një pjesë të konsiderueshme të tokave të bukës sepse i gjithë sistemi i ujit është i amortizuar dhe në sistemin tonë të ujit vidhet. Pra kërkohen reforma që nuk janë të dhimbshme për qytetarin e zakonshëm, por janë të dhimbshme për koorporatat në kuptimin e kastave, klientelave, klaneve që janë krijuar që nga niveli më i lartë politik tek niveli i fshatit i komunës për të përfituar duke qenë anëtarë bordesh, anëtarë rrjetesh, duke hequr lekë këtej, hequr lekë andej duke fshehur fatura e kështu me radhë. Kërkohet reformë e thellë në të ardhurat. Duhet të garantojmë që informaliteti që është shumë i lartë, numri i atyre që nuk paguajnë taksa, që u fshihen taksave është shumë i lartë, sic është i lartë numri i atyre që nuk paguajnë faturat e energjisë. Edhe këtu kërkohet reformë. Duhet të bëjmë një reformë të thellë. Kërkohet edhe një reformë e pensioneve sepse skema aktuale nuk e ka jetën e gjatë dhe do të vijë dita që ky shtet, s’flitet as për 4-5 vite, por do të vijë dita që gjeneratat e tjera e pensionistëve nuk do të marrin dot pensione. Këtu kjo do diskutim. Në parim ne e kemi pranuar dhe do ta bëjmë një reformë pensionesh, por jo një reformë të shpejtë dhe të thellë në shpejtësi për të goditur ata që sot janë pensionistët më të moshuar dhe nuk kemi se cfarë kemi t’u kërkojmë më, mirë se nuk kemi cfarë t’u japim dot, por t’u kërkojmë sakrifica në këtë drejtim, të prekim pensionin e tyre, ne këtë nuk e kemi pranuar. Por…

E vetmja gjë është se duhet të mendoni për pensionin e  brezit tonë, ajo që thoni ju…

Jo, kur vjen fjala që të shoh ty këtu përballë mendoj që ti e meriton të rrish në punë deri 80 vjeç. Problemi është që të marrim masa që në afat 10-15 vjecar të ndryshojmë të gjithë skemën në mënyrë që skema të funksionojë. Përndryshe, jeto sot, po punë e madhe se ç’bëhet nesër, një gjeneratë e tërë do të ngelet pa pension. Kjo është situata.

E meriton vërtet, pavarësisht se e mora si kompliment…

Kompliment po të punosh që ç’ke me të. Të të jap unë pension ty.

Gjithë problemi është që ata që kanë rroga të larta paguajnë tatime të larta, por ama dihet që në fund të fundit ofrohet një nivel tavan pensioni, pavarësisht kontributeve që t’i jep dhe kjo normalisht që duhet të ndryshojë. Në rregull ne duhet të kontribuojmë edhe për atë pjesë të shoqërisë që nuk ka mundësi…

Kjo është pjesë e ndryshimit të skemës që kushdo që dëshiron të kontribuojë për të patur një pension më të lartë, mund ta bëjë këtë gjë. Por ne flasim se ne nuk jemi të shqetësuar se cfarë pensioni do ketë Sokol Balla, për të qenë të sinqertë. Problemi është që ne shqetësohemi për masën e madhe të pensionisteve që nuk mund të përfitojnë nga skema e kontributeve alternative private dhe duhet të garantohen. Përfytyroni që në raportin mes vendeve të zhvilluara dhe nesh, është një raport i pamundur kontributesh dhe personave që përfitojnë nga kontributet. Në rast se 8 vetë kontribuojnë për 1 person, për 1 pension, një raport mesatar, një njeri për një pension kjo nuk mban. Është e pamundur, duhet të ndryshojmë skemë.

Zoti Rama opozita ka paraqitur 30 amendamente mbi buxhetin, bazuar, sic thotë ajo, në premtimet tuaja elektorale. Një lëvizje, që padyshim ka edhe cinizmin brenda, por që tenton të vërë në provë nëse ju keni premtuar në fushatë, apo seriozisht që do të bëni ato që keni premtuar. Do të merrni parasysh ndonjë prej këtyre amendamenteve?

Ne nuk marrim parasysh asnjë amendament provokativ, aq më tepër të një opozite që ka mbetur peng e një plaku që i ka sosur kandili i arsyes. Shqiptarët e bënë të tyren dhe e larguan opozitën e sotme nga qeveria dhe e çuan shqiptarët në pension gjyshin që s’kishte më se çfarë t’u jepte shqiptarëve, përveç përrallave dhe s’kishte më asgjë më të mirë përveç borxheve ku i zhyti shqiptarët. Edhe ne nga ana jonë e bëmë tonën, edhe PD nga ana e saj duhet të bëjë të veten. Nuk është fat i mirë, por ndodh kur plaku i shtëpisë rrjedh, por ama familja e përgjegjshme e mban në shtëpi, kujdeset për të brenda shtëpisë, i krijon kushte, nuk ka asgjë jonatyrale, por ama nuk e lë të dalë çdo mëngjes të tërbojë të gjithë lagjen. Kështu që ata duhet ta bëjnë të tyren dhe amendamentet që burojnë nga shkuarja pas marrëzisë së plakut të shtëpisë së tyre, ne s’kemi ca të pranojmë. Ne do t’i mbajmë zotimet tona në 4 vjet dhe të kërkosh një qeverie që në 100 ditë të mbajë të gjitha zotimet, do të thotë të pretendosh se zgjedhjet do të bëhen çdo 100 ditë.

Meqë iu referuat ish-kryetarit të familjes së PD-së…

Ai nuk është ish-kryetari, ai është kryetari i familjes dhe…

Ai është kryetari i familjes sepse unë e shikoj për një person që nuk e di, si ai ushtari japonez në ishujt në Luftën e Dytë Botërore, që nuk e di se zgjedhjet kanë mbaruar dhe është ndërruar pushteti, kur shikon në parlament mendon që Sali Berisha është ende Kryeministër i Shqipërisë. A mendoni që trajtimi i privilegjuar që ju po i bëni ish-kryeministrit, ju dhe zoti Meta, është deri diku i tepruar, i panevojshëm?

Përfytyrojeni veten në kafen e lagjes tuaj, janë të gjithë aty duke pirë kafe, vjen plaku në fjalë, fillon bërtet, ulet, cohet, ulet, kap banakun. Juve edhe po të ishit nuk do thonit nxirreni jashtë.

Po as pronari i lokalit nuk duhej t’i jepte raki.

Pronari i lokalit do merrte në telefon ata të shtëpisë dhe do t’u thoshte mos e lini të dalë jashtë këtë se na tërboi, na la pa punë. Kështu është pozita jonë me thënë të drejtën dhe i takon vërtet PD që të sillet si familje e përgjegjshme, ta lënë në krye të vendit tek SHQUP-i, t’i japin një batanije, lidhjen në internet ja garantojmë falas ne. Të rrijë në Facebook, por mos dalë dhe të marrë për orë të tëra debatin e parlamentit me broçkulla, dhe aq më tepër pastaj i kanë ikur të gjitha frenat e gojës dhe çfarë nuk thotë.

T’i kthehemi të tashmes, le ta lëmë të shkuarën…

Është e tashmja kjo për fat të keq. Është e tashmja e një partie që vazhdon jeton me të shkuarën. Por dakort jam që ne t’i kthehemi të tashmes dhe ta lëmë të shkuarën, dakord jam.

Në dy foto, në njërën foto tuajën elektorale, tjetra është fotoja juaj në 100 ditë Kryeministër. Sigurisht, ka një spekulim, por në këtë kontrast të fotografive, t’i përgjigjeshit pyetjes, a keni identifikuar ndonjë premtim të programit elektoral që nuk e mbani dot?

Jo, nuk kam identifikuar asnjë premtim që nuk e mbajmë dot.

A keni identifikuar ndonjë premtim që nuk e mbani dot brenda një mandati?

Jo.

Kur do të kenë shqiptarët mundësinë të kurohen falas në spitale, sic keni premtuar?

Është një proces që ka filluar për të ngritur një sistem. Këtu bëhet fjalë për të ndryshuar një sistem me një tjetër. Fatkeqësisht, 20 e kusur vjet, gati cerek shekulli ne nuk arritëm dot të ndryshojmë një sistem shëndetësor të ndërtuar mbi parimet dhe normat e komunizmit, me një sistem i cili të mund të funksionojë për të gjithë në mënyrë normale, pa qenë një vend komunist. Nuk e bën do të këtë gjë. Ndërkohë që ne duam që të ndërtojmë një sistem demokratik i cili të ngrihet mbi parimin që pavarësisht ke apo s’ke lek, kur vjen puna për shërbimin shëndetësor, ti do ta marrësh atë njësoj sic e merr tjetri, pavarësisht nëse ke apo s’ke lekë. Pra një shërbim shëndetësor universal. Që vitin e ardhshëm dhe kjo falë atij 10 lekëshi të taksës së rritur të naftës, ne do mund të garantojmë vizita falas për 800 mijë njerëz, nga 40 deri në 60 vjec dhe do të mund të garantojmë ekzaminimet gjatë shtatzënisë dhe vizita për kancerin e gjirit për 30 mijë gra dhe vajza, që janë një grup që deri më sot nuk kanë bërë dot asnjë ekzaminim gjatë shtatzënisë sepse s’paguajnë dot. Pra të gjitha këto do të bëhen falas dhe do të vazhdojmë me një reformë që ka disa hapa përpara se të arrijmë tek ofrimi i kujdesit shëndetësor për të gjithë dhe pa futur duart në xhep duke dhënë lekë mjekut.

Në fakt keni dhënë edhe premtimin për legalizimet falas. I qëndroni apo jeni tërhequr?

Këta na thonë pse nuk e mbajtët premtimin për legalizimin falas, 100 ditë janë bërë të dielën që shkoi. Tani si mundet këta? Me çfarë kurajoje, përvec kurajos që të jep fakti që ke rrjedhur, asnjë mekanizëm logjik dhe asnjë arsye që funksionon nuk ta jep këtë kurajo, dhe aq më tepër këta, që premtuan legalizime jo falas, por me para dhe që në 8 vjet kanë marrë 300 mijë vetëdeklarime nga qytetarët, kanë bërë matjet fizike vetëm për 140 mijë deklarime, pra 160 mijë të tjera zëre se nuk ekzistojnë, dhe nga 140 mijë u kanë marrë paratë 70 mijë familjeve dhe nga këto 70 mijë këta kanë begenisur të përgjigjen vetëm për 22 mijë prej tyre. Me çfarë kurajoje këta na kërkojnë llogari ne?

Zoti Rama, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte i vetmi që deklaroi rritjen pagash për sektorin përgjegjës, pra për policinë dhe është bërë shumë mirë, por përse vetëm për policinë?

Rritja është më e larta në historinë e policisë. Nuk është për një sektor. Rritja e pagave për policinë është investim për të gjithë, për të gjithë vajzat dhe djemtë që shkojnë në shkollë, në universitet, për të gjitha familjet që thonë aman, siguri dhe qetësi dhe pastaj të tjerat, për bizneseve që janë nën trysninë e horrave dhe rrugaçëve që ju vënë gjoba, për investitorët duhet të ndjehen të qetë dhe të pakërcënuar. Është një investim për sigurinë e përbashkët publike. Ndaj këtu ne bëmë një debat shumë të fortë, të qartë dhe këmbëngulës me FMN dhe i thamë që jo vetëm nuk do prekim asnjë rrogë dhe pension, por përkundrazi, pensionet do t’i rrisim gjatë vitit të ardhshëm, por do të rrisim në mënyrë shumë drastike në 20-25 përqind. Dhe praktikisht ne kishim marrë një zotim për policinë. Në fushatë kemi thënë që brenda vitit të ardhshëm, rroga e inspektorit, e drejtorit, policit e të tjerë do të bëhet kaq. Nuk kemi rritur vetëm pagat e drejtuesve të lartë, por kemi rritur në mënyrë drastike pagat e policëve që janë në rrugë. Kemi policinë me arsimin më të ulët në botë. 75 përqind nuk e kanë shkollën e lartë. Kjo është një shifër që s’e ka asnjë vend i botës, Europa nuk diskutohet. Kemi policinë me moshën më të lartë në Europë për shkak të pagave.

Në buxhetin dhe paketën fiskale të qeverisë tuaj, në vitin 2014 njerëzit do të kenë më shumë apo më pak para?

Nëse do të kishin më pak, për çfarë na zgjodhën ne më 23 qershor. Sigurisht që do të kenë më shumë dhe do kenë më shumë para reale, ato në xhep, jo si ato të Saliut që thoshte ju rrita rrogën. Këtej rriste rrogën dhe këtej pesëfishonte çmimet. Kuptohet ajo që po bëjmë ne është me hapa. Nuk pretendoj t’i them askujt që shiko se vitin tjetër do jeni të gjithë të lumtur, por pretendoj që të siguroj të gjithë ata që sot jetojnë me një rrogë dhe që kërkojnë një punë, që vitin tjetër do të fillojnë të marrin frymë lirisht.

Si e gjykoni që vlerësimin e njësisë inteligjente të “The Economist” në Londër bëri për Shqipërinë si një vend ku potencialisht 2014 mund të ketë trazira sociale?

Të dhënat, njësia në fjalë nuk është profeti. Ka thënë shumë gjëra, disa kanë dalë, shumë nuk kanë dalë. Të dhënat që lexohen sot janë përgatitur shumë kohë përpara dhe po ju them që nëse ky popull më 23 qershor nuk do kishte dhënë 1 milion duar për të ndalur rrënimin, sot shtëpia jonë do ishte në prag të flakëve, njësoj si në ’96 për shkak të një piramide tjetër, piramida e Saliut, dora vetë. Si? Ashtu sic ju thashë, borxhe, borxhe borxhe dhe një ditë të bukur shteti do të gjendej në pamundësi për të larë këto borxhe dhe pamundësinë që dikush të dilte të thoshte që ua marr unë përsipër këto borxhe dhe pastaj do vinte FMN dhe në kushte krize të thellë dhe do të detyrohej qeveria e radhës të ulte rrogat, pensionet dhe vendi të futej në një qerthull shumë të rrezikshëm. Kjo nuk ndodhi falë shqiptarëve dhe votës më 23 qershor dhe pak merita jonë që kemi arritur të negociojmë dhe që morëm FMN me një marrëveshje ku qeveria merr mbi supe reforma strukturore, që asnjë qeveri nuk e ka bërë më parë.

Nuk na thatë konkretisht për çfarë shume parash bëhet fjalë nga FMN?

Bordi i FMN do të mblidhet. Unë nuk dëshiroj të flas për shuma specifike, por kemi marrë edhe me fjalët e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, një nga marrëveshjet më të mira që një qeveri ka marrë nga FMN ndonjëherë edhe bazuar në natyrën e programeve dhe marrëdhënieve që FMN ndërton me qeveritë e vendeve të ndryshme.

Në fund të pjesës ekonomike, që është e rëndësishme për qytetarët…

Sa për të dhënë një shembull, se nuk dua të krijohet ideja sikur po fsheh ndonjë gjë, kur kemi nisur bisedimet jemi nisur me një ide paraprake për të marrë 150-100 milion euro. Sot kemi mbi 300 mln euro nga FMN plus me një rishikim të programit të Bankës Botërore, presim një shumë të konsiderueshme edhe nga kjo, dhe ajo që është më e rëndësishmja, vitin e ardhshëm në disa forma, qoftë me investime direkte, qoftë të shlyerjes së borxheve , qoftë në formën e disa investimeve të tjera nëpërmjet Fondit të Zhvillimit Rajonal, ne do të injektojmë në ekonomi, 1.1 miliard dollarë.

Kur diskutuat me grupin parlamentar për buxhetin, deklaruat se e keqja më e madhe kaloi dhe buxheti është kthesa, por ama që një kthesë e tillë të ndodhë në pak muaj, në kohë kur ne ekonominë e kemi të rrënuar, duke ditur që ekonomi shumë më të zhvilluara si e jona duan vite, psh në SHBA, ndoshta këtë vit ka një rritje solide ekonomia dhe punësimi… c’ka ndodhur në këto 100 ditë? Ose ju keni qenë një qeveri supermenësh, ose në fakt ekonomia nuk ka qenë kaq e rrënuar?

Mos krahasoni ekonominë tonë me Shtetet e Bashkuara. Ajo që quhet krizë në SHBA këtu tek ne është grip, dhe ajo që quhet krizë këtu tek ne, në SHBA është kancer. Në rast se për një grip SHBA u duhet kohë sepse ndikon në shumë aspekte të ekonomisë, për një kancer mjaftojnë politikat e duhura dhe mjafton vendosmëria dhe Shqipëria rikuperon në pak kohë. Por këtu nuk bëhet fjalë për një lumturi ekonomike vitin e ardhshëm, por fillimin e një rimëkëmbje ekonomike. Kush deri dje ka patur arsye për të qenë pesimist, sot duhet të jetë optimist sepse më e keqja ka kaluar dhe cdo ditë ekonomia do të nisë të marrë frymë dhe do ta ndjejnë vetë njerëzit, kur të marrin rrogën, kur të mbyllin bilancet e dyqanit, do ta ndjejnë edhe sipërmarrësit që do paguajnë më shumë për shtetin, por jo dyfish për pushtetin. Të gjitha këto do të ndryshojnë, do ta ndjejnë investitorët, patjetër, sepse do kuptojnë që këtu ka ndryshuar dicka shumë e rëndësishme. Ka një ndryshim shumë të madh, deri dje kishim një qeveri që merrte borxhe në emër të njerëzve dhe qeveriste vetëm për vete, sot kemi një qeveri që qeveris për njerëzit dhe që shlyen borxhet që kanë marrë të tjerë para nesh./TCHPas 100 e ca ditësh ën qeverisje, si ndiheni si kryeministër?

Mos krahasoni ekonominë tonë me Shtetet e Bashkuara. Ajo që quhet krizë në SHBA këtu tek ne është grip, dhe ajo që quhet krizë këtu tek ne, në SHBA është kancer. Në rast se për një grip SHBA u duhet kohë sepse ndikon në shumë aspekte të ekonomisë, për një kancer mjaftojnë politikat e duhura dhe mjafton vendosmëria dhe Shqipëria rikuperon në pak kohë. Por këtu nuk bëhet fjalë për një lumturi ekonomike vitin e ardhshëm, por fillimin e një rimëkëmbje ekonomike. Kush deri dje ka patur arsye për të qenë pesimist, sot duhet të jetë optimist sepse më e keqja ka kaluar dhe cdo ditë ekonomia do të nisë të marrë frymë dhe do ta ndjejnë vetë njerëzit, kur të marrin rrogën, kur të mbyllin bilancet e dyqanit, do ta ndjejnë edhe sipërmarrësit që do paguajnë më shumë për shtetin, por jo dyfish për pushtetin. Të gjitha këto do të ndryshojnë, do ta ndjejnë investitorët, patjetër, sepse do kuptojnë që këtu ka ndryshuar dicka shumë e rëndësishme. Ka një ndryshim shumë të madh, deri dje kishim një qeveri që merrte borxhe në emër të njerëzve dhe qeveriste vetëm për vete, sot kemi një qeveri që qeveris për njerëzit dhe që shlyen borxhet që kanë marrë të tjerë para nesh./TCH

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.