Rama premton tjetër valë prishjesh të ndërtimeve: Po rikthehemi në normalitet

Postuar në 10 Janar, 2014 03:38

Kryeministri Edi Rama e cilësoi mosmarrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria për në Bashkimin Europian si një zhgënjim të madh që kishte me qeverinë paraardhëse, por edhe për shkak të zgjedhjet që do të zhvillohen në muajin mars për Parlamentin Europian. “Qeveria ka vetëm një pjesë përsa i takon statusit, pjesën e vlerësimeve më të larta që na janë bërë. Për herë të parë shtyrja nuk u bë dhjetor më dhjetor, por për 6 muaj. As Britania, as Franca dhe as Gjermania nuk kanë dalë kundër Shqipërisë për statusin. Arsyet janë zhgënjimi i madh me qeverinë paraardhëse dhe influenca e atyre forcave për shkak të ndikimit që ka për shkak se në marsin e ardhshem ka zgjedhje”, u shpreh Rama. I ftuar në emisionin ‘Opinion’ Kryeministri ka folur për situatën ekonomike në vend, vendosjen e gjobave nga policia, armët kimike etj. Një nga pyetjet që iu drejtuan Kryeministrit ishte ajo mbi praninë e fotografisë së Enver Hoxhës në homazhet e 29 Nëntorit, për të cilën Rama sqaroi se “Enver Hoxha ka ikur, ndërsa enverizmi është ende mes nesh, dhe ndodhet jo në krahun tim, por në krahun tjetër”.

Gjobat dhe lojrat e fatit

Kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur për të mbështetur Policinë e Shtetit në aksionin për gjobitjen e drejtuesve të automjeteve, sikundër pohoi se cdo qytetar i gjobitur ka të drejtën e ankimimit për pretendimet e tij. “Gjobat e papaguara janë një problem që ne e kemi marrë përsipër ta zgjidhim dhe do e zgjidhim. Qytetarët kanë mundësi të verifikojnë gjobat e tyre përmes sistemit online të Ministrisë së Brendshme. Qytetarëve që u dërgohet një gjobë kanë mundësi apelimi. E vërteta është se një pjesë e njoftimeve të gjobave ka të bëjë me kaosin që kemi gjetur me sistemin e adresave. Nuk do ti kërkojmë falje askujt, pasi ka pasur një periudhë dyjavore lajmërimesh dhe qytetarët kanë pasur mundësi të kontrollojnë nëse kanë apo jo gjoba. Nuk është një sistem i përsosur, ka defekte dhe i kërkojmë ndjesë atyre që kanë rënë preh e defekteve, por procesi nuk do të ndalet. Duhet të biem dakort që cdo rregull duhet respektuar, nëse duam të ndërtojmë këtë vend”, u përgjigj Rama pyetjes në lidhje me vendosjen e gjobave apo udhëzimit për të moslejuar daljen nga pika e kalimit kufitar të automjeteve që kanë gjoba të papaguara. “Për herë të parë në Shqipëri në 22 vitet e fundit, ministrat gjobiten dhe paguajnë gjoba, eskorta e Kryeministrit respekton semaforin, deputetet gjobiten dhe paguajnë gjobat, cdo ofiqar gjobitet dhe paguan gjobat”, u shpreh Rama.

Në lidhje me aksionin për lojrat e fatit, Kryeministri theksoi se procesi i ndërmarrë goditi industrinë e krimit që operonte në të zezë, sikundër po punohet për krijimin e një baze ligjore, në mënyrë që edhe ata që operojnë me licencë në një afat tjetër të dalin nga ky aktivitet pa pësuar humbje. “E kemi thënë që lojrat e fatit janë një proces që nuk do të lejohen të operojnë pa afat ashtu sikundër ishin dhe janë”, u shpreh Rama.

Rendi dhe tolerance zero

I pyetur në lidhje me situatën e rendit dhe sigurisë, Kreu i Qeverisë tha se në 100 ditët e para të qeverisë numri i krimeve është ulur me 42 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Partia që ishte në qeverisje u ndëshkua edhe sepse la vendin në duart e krimit dhe ka manipuluar dhe po manipulon të dhënat mbi gjendjen e rendit dhe sigurisë. Nuk ka asnjë rast dhe asnjë mundësi që krimet të mund të fshihen apo që Ministria e Brendshme të manipulojë ato. Pa asnjë dyshim që jemi ende në një rrugë ku jemi vetëm në fillim dhe deklarata jonë, zotimi ynë, program ynë janë qartësisht angazhim për të vendosur Policinë e Shtetit në krye të detyrës brenda 300 ditëve. Kjo sdo të thotë se pas 300 ditëve në Shqipëri nuk do të ketë asnjë krim, asnjë vrasje, pasi një mundësi të tillë nuk e ka as Anglia dhe as Gjermania”, u shpreh Rama duke iu përgjigjur në këtë mënyrë edhe akuzave të opozitës.

Ulja e borxhit

Kryeministri Rama mohoi që qeveria e tij në 100 ditët e para të qeverisë të ketë rritur borxhin, por pohoi se ka legalizuar një borxh që ishte aty, borxhin e qeverisë, të shpallurin dhe të fshehurin. “ Ky borxh doli në dritë në bashkëpunim me FMN dhe një kompani ndërkombëtare auditi që arrinte në 720 milion dollarë. Shqipëria sot nuk është ajo që ishte deri dje, jemi të angazhuar në një marrëdhënie dhe në një program të ri me FMN. Përfshirja e FMN është garancia për Shqipërinë që në 4 vitet e ardhshme borxhi do të kthehet në shifra shumë më të pranueshme sesa ato që kemi sot. Borxhi do të shkojë në 64 % dhe kjo ëtëtë marrëveshja që kemi me FMN-në, e cila do të monitorojë rreptë performancën e qeverisë dhe reformat”, theksoi Rama. Në vijim ai u shpreh se Shqipërinë e trashëguam në një situatë në buzë të greminës, me një borxh që ishte shkaku i bllokimit të ekonomisë. “Ekonomia që ne trashëguam ishte ajo e bllokuar. Me marrjen e masave ne do të injektojmë në ekonomi 1.1 miliardë dollarë vitin e ardhshëm. Ky injektim bëhet në funksion të rifillimit të punës në të gjithë vendit, në funksion të uljes së kredive të këqija, në funksion të kreditimit, në funksion të punësimit, në funksion të rritjes ekonomike. Rritja ekonomike që do të kemi në fund të vitit nuk do të shpiket nga INSTAT, por do të ndjehet në xhepat e shqiptarëve”, u shpreh Kreu i Qeverisë. i pyetur në lidhje me mbledhjen e borxheve nga shteti, Kryeministri sqaroi se ajo që është shkatërruar për mbi 8 vjet, nuk mund të rindërtohet e gjitha për 100 ditë apo për 1 vit. “Sot Shqipëria është kthyer në rrugën e normalitetit të marrëdhënieve mes Qeverisë dhe qytetarëve e sipërmarrësve”, tha Rama. Sipas tij, në periudhën e 100 ditëve ka një rritje të të ardhurave nga doganat dhe tatimet përkatësisht me 60 milionë dhe 30 milionë dollarë.

Paketa fiskale

Kreu i Qeverisë e cilësoi mëse të drejtë aplikimin e taksës progresive duke e quajtur si vendosjen e drejtësisë për kontributet që paguan gjithsecili ndaj shtetit. “Nuk mund të kontribuojë më shumë ai që fiton më pak dhe anasjelltas. 97 % e shqiptarëve do të paguajnë më pak taksa, ndërsa unë, Kryetari i Kuvendit, ministrat apo deputetët do të paguajmë më shumë taksa sesa paraardhësit në këto funksione”, tha Rama. Sipas tij, taksimi i ndershëm edhe në nivelin më të lartë e bën Shqipërinë një vend me taksat ndër më të ulëtat në Europë. Në lidhje me uljen e taksave, rama u shpreh se biznesi i vogël sot do të paguajë 7.5 %, ndërkohë që më parë paguante sikur të ishte biznes i madh. i pyetur në lidhje me rritjen e cmimit të naftës, Rama tha se këtu ka një element abuziv dhe nuk përkon me rritjen natyrale që ne kishim parashikuar. “Përsa i takon cigareve është një rritje e vetëdijshme për të dekurajuar konsumin e cigares. Unë s’mund ta pranoj që kjo është një luftë me dashamirësit e duhanit, por kjo është një luftë në të gjithë Botën për të demotivuar konsumin e duhanit”, theksoi Kreu i Qeverisë. Në lidhje me luftën ndaj korrupsionit, Kreu i Qeverisë u shpreh se lufta ndaj këtij fenomeni do të sjellë rezultate të dukshme dhe të prekshme. “Në këtë betejë ka hajdutë që duhen cuar përpara drejtësisë”, tha Rama. Ndërkohë në lidhje me një status të postuar në Facebook ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, i paditur në prokurori nga pasardhësja Mimi Kodheli, Rama theksoi se “përderisa Qeveria përmes ministres së Mbrojtjes ngreh një padi ndaj ish-ministrit Arben Imami, atëherë ne kërkojmë që ai të ndëshkohet. Por nëse ndëshkohet apo jo, kjo është cështje e Gjykatës”.

Prishja e pallatit në Vlorë

Një nga cështjet për të cilat Rama u pyet ishte prishja e pallatit të vjehrrit të Kryetarit të PD-së në Vlorë. “Nuk e kam besuar që në këtë ngrehinë të kishte dorë kryetari i opozitës. Vjehrri i Lulzim Bashës nuk është figurë politike, atëherë kjo s’ka lidhje me cështje politike. Rasti i pallatit është flagrant dhe ne presim që prokuroria të zbardhë të gjithë zinxhirin e grabitjes që i është bërë qytetit të Vlorës dhe publikut duke i marrë detin për të ndërtuar pallatin. Ne presim që prokuroria të zbardhë dhe të ndëshkojë autorët. Ne kemi nisur një procedurë shpronësimi, vetëm për ata që në mirëbesim kanë blerë apartamente në atë pallat. Kush do të provojë vërtetësinë e dokumenteve do të marrë paratë”, theksoi Rama. Kryeministri paralajmëroi nisjen e një valë të re prishjesh edhe për disa godina që kanë një dokumentacion skandaloz dhe gjithcka do të kalojë përmes procesit të shpronësimeve. “Faza e projektit të prishjeve do të shtrihet deri në Ksamil. Do të shëmbim cdo ndërtim që do të gjejmë përpara në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm të këtij vendi”, theksoi Kryeministri.

Armet kimike

I pyetur në lidhje me refuzimin që Qeveria shqiptare i bëri ardhjes së armëve kimike siriane në Shqipëri, Kryeministri theksoi se vetmia e Shqipërisë në këtë proces e bënte të pamundur mbajtjen e një barre të tillë. “Për armet kimike kam vënë në dijeni Kryetarin e Kuvendit. Kryetari i Kuvendit ishte i informuar, por jo për detajet teknike. Nuk ka pasur asnjë ekuivok, e kam bërë për atë që kam thënë, vetmia e Shqipërisë në këtë operacion e bënte të pamundur ta mbante këtë barrë. Në këtë pikë kemi qenë në sintoni me protestuesit. Po të ishte kaluar kjo pikë atëherë vendimi do të ishte ndryshe. Marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë janë të shkëlqyera, janë reciprociteti. Ne dimë të mbrojmë shumë mirë intersat e Shqipërisë dhe popullit shqiptar”, u shpreh Rama.

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.