Rama: Gjendja ekonomike, me e vështirë nga sa e prisnim. Mbajmë premtimet, rishohim taksimin

Postuar në 10 Dhjetor, 2013 16:07

TIRANE- Për të sjellë në rregull librat e llogarive dhe për të pastruar llogaritë e trashëguara na duhet të rishikojmë sistemin tonë të taksimit. Kështu u shpreh kreu i qeverisë, Edi Rama në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, nga ku tha se vendit i duhet një taksim i ndershëm.
“Kush fiton më pak paguan më pak, kush fitonë më shumë, paguan më shumë dhe për 95% do të ketë ulje taksash. Së dyti, ne e kemi thënë më parë dhe sigurisht do t’i qëndrojmë edhe këtij zotimi se, do të kërkojmë më shumë nga kompanitë. Taksa e sheshtë 10% për ne nuk përmbush as qëllimin për të cilin është vendosur dhe as, aq më pak, qëllimin tonë për një sistem taksimi të ndershëm, në kushtet kur duhet të përballemi në një mal me borxhe që kemi para rrugës tonë, dhe duhet ta heqim nga rruga jonë dhe njëkohësisht në kushtet kur duhet të konsolidojmë sistemin tonë të taksimit të ndershëm. Taksa 10% ka qenë fasadë pas së cilës 95% janë ndeshur me një forcë abuzive që forcërisht i ka detyruar të paguajnë më tepër, për llogari të pushtetit, korrupsionit, apo paaftësisë.”- tha Rama.
Në krye të fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se me ardhjen në pushtet e dinim se rruga për të rimëkëmbur ekonominë do të ishte e përpjetë, por fakt ështe, theksoi ai, se ajo është ende më e përpjete se sa e parashihnim.
Kryeministri tha se qeveria e mëparshme ka qenë e papërgjegjshme, me një program butaforik investimesh, ngritur mbi borxhe dhe një administrim të papërgjegjshëm të të ardhurave. Megjithatë, theksoi ai, qeveria jonë do të punojë me njerëzit dhe për njerëzit që ta forcojë ekonominë, pasi ne jemi një qeveri e përgjegjshme, dhe nuk do tu ikim përgjegjësive tona.
“Unë jam këtu për t’ju thënë të gjithëve se kjo qeveri është këtu për t’i zgjidhur problemet e trashëguara dhe për të ndërtuar hap pas hapi rrugë arritjesh të reja për shqiptarët. Ne nuk jemi këtu për të lënë pas të papërfunduar projektet që kemi trashëguar në një gjendje të mjerueshme, as për t’i hedhur në kosh të gjitha mundimet, të gjitha paratë që janë shpenzuar për të nisur ato projekte, ne do t’i mbarojmë projektet që kemi trashëguar dhe do të jemi të gatshëm që të vazhdojmë me financimin projekteve të reja që do të bëjnë të mundur mishërimin e aspiratave të njerëzve për një Shqipëri me edukim më të mirë, shërbime më cilësore, jetike, energji, ujë, ilaçe, me turizëm me ekonomi prodhuese dhe mbi të gjitha me punësim. Ne jemi të vetëdijshëm që të bësh këto, duhet në rradhë të parë të pastrojmë llogaritë dhe të vendosim rregull në librin e llogarive qeverisëse.”- tha Rama.
Qeveria, vijoi më tej kryeministri, nuk mund të abuzojë me fuqinë për të marrë borxh, por po përgatitemi për të adaptuar një program që do të vendosë një themel të fortë, mbi të cilin vendi mund të rritet ekonomikisht. Për këtë, tha ai, po punohet intensivisht me FMN-në, Bankën Botërore dhe më gjerë me faktorin ndërkombëtarë.
Në fund të fjalës së tij, kreu i qeverisë përsëriti edhe një tjetër premtim të dhënë gjatë fushatës elektorale, kur tha se do të hiqet taksa e biznesit të vogël. Po ashtu, shtoi ai, do të rrisim në mënyrë të arsyeshme tatimin- fitimin për kompanitë, por do të ulim edhe tatimin- fitimin për biznesin e vogël.
E pranishme ne mbledhjen e Keshillit Ekonomik Kombetar ishte edhe Ellen Goldstain, drejtoreshë e Bankes Boterore për rajonin, si dhe ambasadori i BE-se ne vendin tone, Etore Sekui.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.