Rama: Administratë, jo politike

Kryeministri Edi Rama e cilësoi administratën gurin e themelit për ndërtimin e një shteti të fortë dhe Europian. Gjatë konferencës ‘Një administratë europiane për Shqipërinë e gjeneratës tjetër’, zoti Rama tha se depolitizimi i saj dhe ndërtimi në bazë të aftësive profesionale është një domosdoshmëri dhe prioritet i qeverisë aktuale.
“Është shumë e lehtë të flasim për Europën, por është po aq e lehtë të themi se e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Por pjesa më e vështirë për ta bërë Shqipërinë si Europa është që në Shqipëri të bëjmë shtet dhe kjo do të thotë të ndërtosh një administratë që është mishërim i Kushtetutës, ligjeve dhe vullnetit që të shërbejë ashtu siç e meritojnë qytetarët”, deklaroi Rama.
Zoti Rama premtoi në të njëjtën kohë lehtësi në sistemin e taksimit për administratën publike. “Do të sjellim një lehtësim me sistemin e taksimit dhe do të bëjmë që duke filluar menjëherë vitin e ardhshëm, mësuesit, infermierët, njerëzit e rendit dhe gjithë nëpunësit që garantojnë punën e përditshme të shtetit të paguajnë më pak taksa. Kjo do të sjellë rritje të fuqisë së tyre blerëse”, nënvizoi Rama.
Për kryeministrin, administrata duhet të jetë një ndërthurje mes eksperiencës dhe të rinjve e nga krahu tjetër sipas tij, ajo duhet të shkëputet përfundimisht nga ankthi i ndërrimit në bazë të ndërrimit të qeverive.
“Është e rëndësishme që gjithësecili të jetë plotësisht i siguritë se koha kur për shkak të bindjeve politike, për shkak të pjesëmarrjes në një aktivitet politik të opozitës, apo të një bisede me kolegët mund të flakeshe nga puna ka mbaruar njëherë e mirë”, shtoi Rama.
PD: Rama miting me administratën
Por Partia Demokratike akuzoi se kryeministri Rama se po përdor administratën publike për të mbushur sallat e mitingjeve.
Kryetari i demokratëve, Lulzim Basha ka reaguar nëpërmjet Facebook-ut ku e cilëson si “farsë tragjikomike”.
“Ç'farsë tragjikomike! Rama detyron me zor administratën të dëgjojë barsaletat e përditshme monotone. Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Flet për ligjin dhe pa ligj e kundër ligjit heq përditë nga puna burra dhe gra, të rinj e të reja. Flet për konkurse profesionale dhe profesionistët e vetëm që fitojnë kryetarët e PS apo aktorët në spotet elektorale. Flet për Kushtetutë, kur Kushtetutës i vuri shkelmin për të nisur spastrimet e paligjshme”, shkruan Basha
Top channel
Add new comment