Rëndohet gjendja e 35-vjeçarit të prekur nga ethet hemorragjike

Gjendja shëndetësore e pacientit N. Gj., i cili është prekur nga ethet hemorragjike dhe ndodhet i shtruar në reanimacionin e QSUT-së, është mjaft kritike.
Zyra e shtypit e QSUT-së ka bërë të ditur se 12 orët e fundit gjendja shëndetësore e 35-vjeçarit nga Radomira e Peshkopisë është përkeqësuar dhe si pasojë e insuficiencës renale progresive ndaj mjekimit është marrë vendimi që ai t’i nënshtrohet Dializës.
Sipas QSUT-së, është vërtetuar diagnoza e Ethes Hemorragjike me sindromë renale të shkaktuar nga Virusi Hantan, variant Dobrava dhe një test pozitiv për Leptospirë, çka mund të rëndojë edhe më tej gjendjen.
“Në këto kushte, prognoza e rastit është shumë e rezervuar, pasi konsiderohet një formë shumë e rëndë e sëmundjes dhe refraktare përsa i përket insufiçencave” shprehet zyra e shtypit e QSUT duke sqaruar se në reanimacionin e Infektivit ndodhet vetëm një person i prekur nga ethet hemorragjike.
Ndërsa sa i përket mungesës së gjakut, QSUT mohon në mënyrë kategorike që të kenë mungesa madje shpjegon se janë përgatitur njësi të tjera të gatshme edhe për ditët në vazhdim, e Diel, e Hënë dhe e Martë.
Add new comment