Qeveria niset drejt Prizrenit

Postuar në 11 Janar, 2014 03:10

Kryeministri Edi Rama dhe gjithë kabineti qeveritar u nisën drejt Prizrenit ku në orën 11 të paradites së shtunë mbahet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive.

Për udhëtimin e gjithë kabinetit qeveritar ishte zgjedhur një autobus. Vetë kryeministri Rama nuk lëshoi asnjë koment para nisjes. Një gjë të tillë e bëri zv.kryeministri Niko Peleshi. “Sot hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet me Kosovën. Një sërë marrëveshjesh të rëndësishme në fushën tregtare dhe ekonomike do të firmosen. Kjo do të pasohet nga bashkëpunimet të tjera me partnerët tanë strategjikë, por kjo jo rastësisht nis me Kosovën, një mbledhje e dy qeverive të dy popujve që i përkasin të të njëjtit komb”, tha para nisjes zv.kryeministri Peleshi.

Sipas axhendës së përcaktuar, mbledhja do të nisë me fjalën hapëse të Kryeministri Hashim Thaçi. Pas mbledhjes dy kabinetet do të zhvendosen në ndërtesën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku do të bëhet nënshkrimi zyrtar i dokumentit për bashkëpunim strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, nënshkrimi marrëveshjes për bashkëpunim në lehtësimin e tregtisë, nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim në transport dhe infrastrukturë dhe thellimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e integrimit europian.

Pas ceremonisë, dy kryeministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat. Takimi cilësohet historik.

Një ditë më parë, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se takimi i Prizrenit shënon fillimin e qeverisjes së përbashkët strategjike, me një qëllim dhe vizion euro-atlantik. Sipas kreut të ekzekutivit kosovar takimi shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin europian për të gjithë, mesazhin e rajonit me kufi të hapur dhe pa barriera të së kaluarës.

Takimi është një ide e kahershme e hedhur fillimisht nga i ndjeri Arbën Xhaferri, ndërsa është përsëritur edhe nga Behxhet Pacolli në fjalën e mbajtur në parlamentin shqiptar gjatë vizitës në Tiranë si President i Kosovës. Lidhur me realizimin e këtij propozimi zv.kryeministri i Kosovës foli në një lidhje telefonike me edicionin qendror të lajmeve në Top Channel, një ditë para takimit.

Ilir Paço: Si President i Kosovës, ju hodhët në Parlamentin e Shqipërisë në mars 2011, idenë e takimit të dy qeverive sipas një koncepti të Arbën Xhaferrit. Si ndiheni sot që kjo ide po realizohet?

Behxhet Pacolli: Unë jam i lumtur që prej momentit kur kam dëgjuar për këtë mbledhje. Falenderoj kryeministrat, atë të Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Tashmë janë pjekur kushtet për bashkimin ekonomik shqiptar. Ky është realiteti. Arbën Xhaferri ishte një frymëzim i rëndësishëm për mua.

Ilir Paço: Duke ju ndjekur edhe këto ditë në media, idesë që e formuloi një intelektual si Arbën Xhaferi, ju besoj i keni bashkangjitur një vizion edhe më të gjerë. Si e shikoni takimin e Prizrenit në konkretësi, apo si mendoni se duhet të vijojë pas kësaj mbledhjeje?

Behxhet Pacolli: Sot kemi patur një mbledhje organizative. Është një hap dhe unë besoj që nuk do të ndalemi vetëm me këtë hap, por shpresoj shumë që në mbledhjet e ardhshme do të diskutojmë tema konkrete dhe ëndrrat që po bëhen realitet që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen ekonomikisht, të kenë hekurudha të përbashkëta, të kenë një sistem të përbashkët energjitik, etj dhe në të ardhmen pse jo edhe një siguracion të përbashkët për gjithë shqiptarët.

Top channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.