Punësimi në Itali, përzgjidhen 250 të papunë shqiptarë

Postuar në 26 Mars, 2012 10:41

Kush do që të punësohet në Itali, nga data 27 mars deri në 10 prill, duhet të aplikojë në Zyrat e Punësimit në të 12 qarqet e vendit. Një marrëveshje e re mes shtetit tonë dhe atij italian bën të mundur që mbi 250 shqiptarë të përfitojnë falas për së paku 2 muaj kurse profesionale si edhe kurse intensive të gjuhës italiane. 

"Sistemi bën fjalë për emigrimin në Itali për motive punësimi dhe personel të kualifikuar. Pala jonë do të kujdeset që punëkërkuesit shqiptarë të njohin gjuhën italiane, krahas kualifikimit të tyre profesional. Këto do të lehtësojnë punësimin e tyre në Itali. Kjo procedurë e re punësimi për shqiptarët do të forcojë më shumë marrëdhëniet tona po dhe të Shqipërisë me Bashkimin Europian", tha Massimo Gaiani, Ambasador i Italisë.

Ndërsa Ministri i Punës, Spiro Ksera tha se pas raundit të parë të përzgjedhjes brenda muajit prill, kandidatët do të fillojnë kurset nga 30 prilli deri në 30 qershor. Zyra Italiane e Koordinimit Vendor e ngritur posaçërisht për këtë projekt do të merret më pas dhe do të japë ofertat për punësimin e shqiptarëve në Itali.

"Ne promovojmë zbatimin e projektit të parë, nga i cili do të përfitojnë menjëherë 255 shtetas shqiptarë, të cilët do të trajnohen intensivisht nga entet italiane për kurse falas. Pas përfundimit të trajnimit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata aftësie në profesione të ndryshme të cilat njihen në tregun europian të punës. 50 për qind e të trajnuarve do të përthithen menjëherë nga tregu italian", tha Spiro Ksera, MPCSSHB.

Formularët e aplikimit nga 27 marsi do të jënë në të 12 zyrat e punës në vend. Vec gjuhës italiane, kualifikimet që ofrohen janë për në sektorin e turizmit, ndërtimit, agrozooteknikës, asistencës familjare, industrisë tekstile dhe artizanatit.

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.