Punësimi në Itali, 850 aplikantë nga Shqipëria

Rreth 850 të papunë në 12 rajonet e Shqipërisë kanë aplikuar për t'u punësuar në Itali, në bazë të marrëveshjes, e cila sapo ka nisur të zbatohet, pas firmosjes mes dy qeverive tre vjet më parë.
Procesi i aplikimit për punë në shtetin fqinj është mbyllur në datën 10 prill dhe sipas të dhënave të shërbimit kombëtar të punësimit, pjesa më e madhe e kërkesave i përket grupmoshës 30-40 vjeç.
Drejtori i Drejtorisë së Punësimit në shërbimin kombëtar të punësimit Neshat Zeneli tha për mediat se kjo grupmoshë i përket kategorisë së të papunëve afatgjatë të cilët kanë më shumë se 3 vjet që rrinë në listë pritjen e të papunëve të regjistruar në zyrat rajonale të punësimit në mbarë vendin.
Në bazë të marrëveshjes, në fazën e parë do të përzgjidhen 255 aplikantë të cilët gjatë muajve prill-maj do t'i nënshtrohen kurseve profesionale dhe të gjuhës italiane. Por vetëm 50 për qind e tyre do të mund të përthithen nga tregu i punës në Itali.
Sipas të dhënave të shërbimit kombëtar të punësimit për vitin 2011, numri aktual i të papunëve në Shqipëri është 143 mijë persona, ku gati 62 për qind e zënë të papunët mbi 40 vjec, të cilët rezultojnë me një nivel të ulët arsimor.
top-channel.tv
Add new comment