PS: Studioja ligjore e Argitës, në konflikt të pastër interesi me pozicionin e të atit

Postuar në 18 Janar, 2013 09:38

 

Partia Socialiste i konsideron sjelljen, veprimet dhe aktivitetin e firmës ligjore të vajzës së kryeministrit, Argita Malltezi, si në konflikt të pastër interesi me pozicionin dhe pushtetin e babait të saj.

Deputeti socialist, Eduard Shalsi gjatë një konference për shtyp është shprehur se shqetësimi i opozitës mbetet në faktin se përse një biznesmen i huaj apo shqiptar duhet të kontaktojë, të bisedojë apo të negociojë me të bijën për aktivitete që do të licensohen nga i ati i saj kryeministër.

“I kemi etiketuar dhe i konsiderojmë sjelljen, veprimet, aktivitetin e firmës ligjore të së bijës së kryeministrit si në konflikt të pastër interesi me pozicionin dhe pushtetin e babait të saj. Shqetësimi ynë ka qenë dhe mbetet se përse një biznesmen i huaj apo shqiptar duhet të kontaktojë, të bisedojë apo të negociojë me të bijën për aktivitete që do të licensohen nga i ati i saj kryeministër. Çfarë pune ka që pranon të bisedojë me biznesmenë që dalin nga zyra e babait të saj?

Çfarë pune ka që ofron konsulencë apo shërbime për investitorë të huaj apo shqiptar që negociojnë me qeverinë? Po çfarë pune ka e bija e kryeministrit të tregtojë toka në të cilat do të licensohen aktivitete nga i ati i saj? Përse duhet studio ligjore e së bijës të jetë në shërbim të kryeministrit, që është konflikt i pastër interesi, apo një kryeministër në shërbim të studios ligjore të së bijës, që është kapje e hapur e shtetit? Është bërë e qartë tashmë pozita e vështirë në të cilën gjendet e bija dhe kryeministri, por sot, edhe më tepër se sa dje, nuk duhet t’i shmanget dhe mos t’i përgjigjet faktit që një biznesmen i huaj që kërkonte të investonte në Shqipëri e ka denoncuar, dhe denoncuar rëndë madje”, ka deklaruar Shalsi.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.