PS paralajmëron rrëzimin e dy kandidaturave të Nishanit

Postuar në 28 Nëntor, 2013 14:53

-Partia Socialiste akuzoi Presidentin e Republikës si përgjegjës për korrupsionin në sistemin gjyqësor. Sipas kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, kreu i shtetit është lojtar partiak që me dy dekretet për Gjykatën e Lartë provokoi mazhorancën duke paralajmëruar rrëzimin e kandidaturave Petrit Çeno dhe Gjovalin Përnoca. “Është emergjencë kombëtare, të kthyer në një pazar klientelist, pazare te ulëta dhe klientelizëm politik, për shkak se hallka kryesore Presidenti i Republikës është një lojtar partiak, që po bën vetëm një detyrë, të krijojë celula militante brenda sistemit. Ai po përpiqet ta provokojë këtë mazhorancë kur bëri qokën e radhës presidenciale me një proces konsultimi fals fiktiv dhe propozoi në këto dy vende jo dy juristë, gjyqtarë me karrierë të spikatur në fushën e të drejtës administrative”, tha Xhafaj. Sipas deputetit socialist, emërimet e kryera gjatë kohës që të djathtët kishin shumicën, nuk plotësojnë as kriteret më minimale për të qenë gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. “Merrni e shihni të nderuar kolegë përbërjen që kanë sot Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Në përmbledhjen e CV-të profesionale që bëhet publike në faqet zyrtare të këtyre dy gjykatave më të larta të vendit, konstaton lehtë sesa pak prej tyre, rreth ¼, 6 - 7 gjyqtarë, kanë jetë akademike, botojnë artikuj e libra mbi të drejtën kushtetuese e fusha të tjera të së drejtës materiale e procedurale. Hidhini një sy CV-ve të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët janë në atë funksion të lartë për të realizuar edhe doktrinën shkencore të unifikimit të praktikës gjyqësore. Do të ndiheni keq kur të shihni se në atë Gjykatë me 17 anëtar një shumicë jo e vogël e tyre nuk kanë jo më një botim, por as edhe një artikull të vetëm shkencor në fushën e së drejtës. E më e keqja, akoma një pjese jo të vogël të tyre vendimet jua shkruajnë e arsyetojnë këshilltarët e tyre. Shihni CV-të e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit të Tiranës dhe atyre të Apelit Administrativ e do të shihni se mbi 2/3 e tyre nuk arrijnë të përshtaten as me teknikën e shkrimit dhe të arsyetimit ligjor”, theksoi ai. Kreu i Komisionit të Ligjeve i bëri thirrje përfaqësuesve politikë për të nënshkruar një marrëveshje të gjerë politike ku palët të angazhohen për ndryshime kushtetuese dhe ligjore që të bëjnë të mundur pavarësinë e pushtetit gjyqësor, rritjen e integritetit dhe profesionalizmit të tij. Sipas deputetit Xhafaj, është koha për një reformë thelbësore në sistemin e drejtësisë, në organizmin e tij institucional, në sistemin e karrierës e të vlerësimit, të ndëshkimit e vlerësimit përmes ndryshimeve të menjëhershme në ligjin për organizimin gjyqësor, të KLD-së, të Prokurorisë e të Shkollës së Magjistraturës, Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Por, akuzat e mazhorancës ngjallën reagimin fortë të opozitës. Deputetja e PD-së Jozefina Topalli në replikë tha se është e papranueshme dhe e dënueshme të sulmohet Presidenti në Parlament. “Sot në rend të ditës është një çështje madhore si integrimi, është çështja jonë kombëtare më e rëndësishme, është e lavdërueshme, rezoluta që ka sjellë sot opozita, në parlament nuk mund të sulmohet Presidenti i Republikës, jo vetëm se ka një nen që duhet t’i ndërprisni fjalën, por sot po flasim për një çështje që ka të bëjë me një çështje të shtetit ligjor, unë ua kërkoj me shumë njerëzillëk, ne mund të mos biem dakord me njëri-tjetrin, por në parlamentin e shqiptarëve nuk mund të sulmohet Presidenti i Republikës, jo një herë, por 10 minuta rresht. Cili është mesazhi që i çoni ju Brukseli, që duhet të hiqet presidenti, të shkrihet KLD-ja, të hiqet Gjykata e Lartë, thojeni se nuk doni statusin se na kontrollojnë, jeni të më të ndershëm e më të drejtpërdrejtë”.

Berisha: “Njërin ta qëruan”. Tahiri: T’u vra baxhanaku në Gërdec

Ish-kryeministri Sali Berisha sulmoi ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri duke e akuzuar për shkarkime masive në polici, ndërsa e akuzoi për lidhje me krimin. “Ju sollët formën kolektive të dënimit, si formën më primitive, vutë në krye të Ministrisë së Rendit një njeri konfliktual, objekt ndjekjesh për kontrabandë familjare e evazion. Ti je shndërruar në zëdhënës të bandës së Shullazit. Pse nuk u thua shqiptarëve që të kanë kërcënuar, tregohu transparent. Së bashku me kreun bëri hakmarrje kolektive, shkarkime dhe pse kishin nga 20 vjet në polici disa e meritonin se nuk kishin rezultate. Tani meqë jemi tek ky, ortaku i Olsit, do të them nja 2 fjalë, detyra e ministrit të Brendshëm, ka të bëjë me rendin e qetësinë me luftën kundër kriminalitete e shumë të tjerë. Por, Lame ka qenë miku më i ngushtë i Edi Ramës, të tjerë se thonë këtë, por të dalësh ti si zëdhënës i një bande, kjo është kërcënuese për rendin. Njërin ta qëruan. Shumë keq! Viktimë e jotja është ai që u vra. Ore si thua shqiptarëve që të kanë kërcënuar dhe ne jemi kundër çdo kërcënimi, pavarësisht se je ky që je, por mos u tall me rendin e policinë, bashkë me atë kreun tënd”, tha Berisha. Por, i menjëhershëm ishte reagimi i deputetit Tahiri, sipas të cilit, deputeti Berisha është i fundit që duhet të flasë për lidhjet me krimin, duke sjellë në vëmendje tragjedinë e Gërdecit. “Më vjen keq që flas pas këtij ish-kryeministri, që është bërë si mizë kali 25 vjet dhe s’të le rehat. Le të vijë të bëjë gjyshin, por jo të bëjë mistrecin. Ta sqarojmë mbase, i shërben dhe deputet Berishës. Nuk jam pjesë e asnjë klani, lidhje, me punët e mia dhe faktet flasin më shumë se kemi treguar. Po nuk jam si ish-kryeministri që i vdes baxhanaku në demontimin e armëve dhe bënte sikur nuk kishte baxhanak. Si Shqipëria priste të anëtarësohej në NATO dhe i biri bënte demontim të armëve ku vdiqën 26 vetë atje. Unë nuk jam si ish-zv/kryeministri që hidhni të baltë mbi opozitën për ta çuar këtë vend pas”, replikoi në parlament Tahiri.

Statusi kandidat bashkon PS-në dhe PD-në

Kuvendi miratoi me konsensus rezolutën që rikonfirmon se integrimi i Shqipërisë në BE është objektivi madhor i vendit dhe përbën axhendën kombëtare të Kuvendit. Palët konfirmuan dje angazhimin e këtij institucioni që përparimi në procesin e integrimit të Shqipërisë të bazohet në meritë dhe thekson se marrja e statusit të vendit kandidat brenda dhjetorit të këtij viti duhet të përbëjë prioritetin kryesor të punës së Kuvendit të Shqipërisë dhe Qeverisë. Në paraqitjen e kërkesës për zhvillimin e këtij debati dhe miratimin e tekstit të rezolutës përkatëse, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka vuri theksin në angazhimin e partisë më të madhe të opozitës për të mbështetur vazhdimin e proceseve integruese me synim anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si aspiratë e padiskutueshme e mbi 87% të qytetarëve shqiptarë. Në fjalën e saj, Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha vuri në dukje se procesi i integrimit është një faktor kyç i axhendës kombëtare dhe një prioritet i të gjitha qeverive shqiptare. “Integrimi është një prioritet madhor i kësaj qeverie dhe një kërkesë direkte e qytetarëve shqiptarë,” tha ndër të tjera, Klajda Gjosha. Pasi bëri një paraqitje të hapave të ndërmarrë nga Ministria e Integrimit për të koordinuar punën e të gjitha institucioneve të përfshira në procesin e integrimit, zonja Gjosha vuri theksin në hartimin brenda një kohe të shkurtër të planit të veprimit për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kushte themelore për ecjen përpara të Shqipërisë në këtë proces. Në mbyllje të fjalës së saj, Ministrja e Integrimit vlerësoi angazhimin e opozitës si një faktor kyç në procesin e çuarjes së vendit drejt familjes europiane.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.