Procesi i lënies së mandatit të 16 ministrave përfundon këtë muaj

Postuar në 13 Janar, 2014 11:08

Procesi i lënies së mandatit të 16 ministrave përfundon këtë muaj
13 Janar 2014 | : Kryesoret,Politikë | Autor: Fatjona Mejdini

Edi Rama - Kryeministri Rama do të jetë i vetmi që do të mbajë dhe postin e Kryeministrit të vendit dhe atë të deputetit të zgjedhur në 23 qershor në Qarkun e Vlorës. Vetë Rama ka deklaruar se ishte menduar gjatë për të marrë këtë vendim, nisur nga dëshira fillestare për ta lënë këtë mandat.
Ministrat joparlamentarë - Në kabinetin qeveritar zëvendëskryeministri Niko Peleshi nuk ka qenë pjesë e listave të PS-së për deputet. Po kështu, as ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe ministri i Shtetit për Pushtetin vendor, Bledi Çuçi gjithashtu nuk e kanë pasur këtë mandat.
Klejdi Mehmetaj - Deputetja e LSI-së në Qarkun e Tiranës, Klejdi Mehmetaj, e cila e mori mandatin si pasojë e lënies së tij nga ana e ministres së Integrimit, Klajda Gjosha, u vendos në qendër të opinionit publik, për shkak të moshës së saj tepër të re. Mehmetaj është aktualisht 20 vjeç, duke u bërë dhe deputetja më e re ndonjëherë në vend.
Pesë ministrat e fundit do të lënë së shpejti mandatin. Kabineti kalon provën e muajve të parë

Fatjona Mejdini

Të gjithë ministrat e kabinetit “Rama” pritet të dorëzojnë brenda muajit janar mandatet e tyre, për t’iu përkushtuar me kohë të plotë ashtu siç ishte premtuar aktivitetit të tyre si ministra. Burime nga qeveria bënë të ditur dje për gazetën “Shqip” se procesi i dorëzimit të mandateve do të përfundojë brenda seancave plenare të muajit janar, për të hapur kështu një kapitull të ri për punën e qeverisë. Ndërkaq, një lëvizje e tillë hedh poshtë çdo dyshim për sa i përket zëvendësimit të ndonjërit nga ministrave të kabinetit “Rama”, ashtu siç ishte përfolur javët e fundit në vend. Mbyllja e këtij procesi këtë muaj, tregon se 16 ministrat që kanë pasur dhe mandatin e deputetit në qeverinë “Rama” e kanë kaluar provën e 100 ditëve të para të qeverisë, duke pasur mundësinë të vijnë më tej punën në ekzekutiv. Ndërkaq, janë edhe pesë ministra të kabinetit “Rama”, të cilët nuk e kanë dorëzuar ende mandatin e tyre të deputetit. Në total janë 16 deputetë të rinj, të cilët përfitojnë nga kjo lëvizje, e cila është risi në jetën politike të Shqipërisë pluraliste.

Ministrat me mandat

Aktualisht, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, vijon ende ta mbajë mandatin e deputetit të marrë në Qarkun e Tiranës. Pavarësisht se ai dorëzoi kërkesën në muajin dhjetor pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të dhënë dorëheqjen si deputet, parregullsia në dokumentacion nuk e bëri të mundur përfundimin e një procesi të tillë. Nga ana tjetër me mandat deputeti vijon të jetë dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i zgjedhur si deputet gjithashtu në Qarkun e Tiranës. Mandatin e deputetit vijon ta mbajë dhe deputeti drejtues i Qarkut të Dibrës, ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Po kështu, deputeti i Durrësit, njëkohësisht ministër i Mjedisit, Lefter Koka, nuk e ka dorëzuar ende mandatin e deputetit të tij. Me mandat, deputeti vijon të qëndrojë dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, i cili është zgjedhur deputet në Qarkun e Elbasanit. Nga lënia e mandatit presin të futen në Kuvend dhe pesë kandidatë për deputetë, të cilët nuk mundën dot ta përfitonin këtë mandat në garën zgjedhore të 23 qershorit.

Ministrat jo deputetë

Të parët që dhanë dorëheqjen nga funksioni i tyre ligjvënës, ishin shtatë ministra. Sipari i këtij procesi u çel nga shtatë ministra të kabinetit. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, ajo e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, ai i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto dhe ai i Drejtësisë, Nasip Naço ishin të parët të cilën në fillim të muajit dhjetor morën një nismë të tillë. Mandatin e Celibashit dhe Gjermenit në Qarkun e Fierit e morën kandidatët Anduel Xhindi dhe Adelina Rista. Atë të lënë nga Naço për Qarkun e Beratit, e morri kandidatja Silva Caka. Mandatin e ministrit Haxhinasto për Elbasanin e mori Miranda Rira si përfaqësuese e LSI-së. Mandatin e lënë nga ministrja Klajda Gjosha në Tiranë, e mori Kejdi Mehmeti e LSI-së. Ndërsa mandatin e ministrit Veliaj në Gjirokastër e mori kandidati, Vladimir Kosta. Ndërkaq në grupin e dytë të të dorëhequrve nga detyra, ishin katër ministra. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ajo e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj hoqën dorë nga mandati i tyre në fundin e muajit dhjetor. Të “fituarit” nga kjo lëvizje rezultuan pasuesit e këtyre deputetëve në listën e kandidatëve dhe më konkretisht në Qarkun e Durrësit, Esmeralda Shkjau, në Qarkun e Gjirokastrës, Dashamir Kamberi, në Qarkun e Lezhës, Mejreme Delishi, dhe në Qarkun e Tiranës, Blerina Gjylameti.

Zërat skeptikë

Lënia e mandateve të deputetëve nga ana e ministrave ishte një procedurë e cila ishte parashikuar të ndodhte menjëherë sapo qeveria e drejtuar nga Edi Rama të niste punën. Kjo çështje ishte vendosur që në marrëveshjen fillestare të muajit prill të vitit të shkuar, që lidhi Partia Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim në kuadër të ndarjes së pushtetit. Por vonesa me rreth katër muaj për të zhvilluar një proces të tillë, zgjoi dhe skepticizmin për sa i përket mundësisë se ndonjëri nga ministrat e zgjedhur do të zëvendësohej dhe për këtë arsye procesi i lënies së mandatit të deputetit nga ana e disa ministrave po zvarritej. Përfundimi i këtij procesi brenda muajit janar për të gjithë përfaqësuesit e kabinetit qeveritar do thotë se për Kryeministrin Rama, ministrat e kabinetit e kanë kaluar realisht provën e 100 ditëve të para të qeverisjes. Ndërkaq, vetë Rama ka deklaruar publikisht se ministrat e zgjedhur nuk e kishin zhgënjyer në besimin që ju kishte dhënë në shtatorin e vitit që shkoi.

Kostoja e procesit

Përfaqësuesit e opozitës e kanë kritikuar procesin e lënies së mandatit nga ana e ministrave dhe zëvendësimin e tyre me deputetë të tjera nga një pikëpamje ekonomike. Sipas tyre, mazhoranca ka rritur kostot duke paguar dhe për të qenë vetëm ministër, në një kohë kur vetëm një person mund të bënte dhe detyrën e deputetit.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.