Politika përcjell urime për Fiter Bajramin

Postuar në 28 Korrik, 2014 07:02

Në festën e Fiter Bajramit nuk kanë munguar urimet e politikës shqiptare. Kryeministri Rama ka përcjellë urimet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Në mesazhin e tij, kreu i qeverisë ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Fiter Bajramit, duke u shprehur se “në këtë ditë jemi të gjithë të barabartë”.
 
Po kështu edhe deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko ka uruar shqiptarët për më shumë paqe e begati.

Nishani: Urimet më të mira të gjithë besimtarëve myslimanë
Në ditën e Fiter Bajramit nuk ka munguar edhe urimi nga Presidenti Bujar Nishani. Pas vizitës në Komunitetin Mysliman, kreu i shtetit përcolli mesazhin e urimit për të gjithë besimtarët myslimanë, ndërsa shtoi se “Nderojmë klerikët myslimanë që kontribuuan për vendin”.
 
Meta: Të reflektojmë për një të ardhme më të mirë
Kreu i Kuvendit Ilir Meta në urimin e tij për të gjithë shqiptarët për festën e Fiter Bajramit, tha se kjo është një ditë për të reflektuar për një të ardhme më të mirë.
 
“I uroj të gjithë shqiptarëve dhe besimtarëve myslimanë gëzuar Fiter Bajramin. Është një ditë kur duhet të tregohemi më të gatshëm për të reflektuar për një të ardhme më të mirë për gjithë vendin. Sot është një festë që nuk duhet të ndikohet nga zhvillimet e javës”, u shpreh kreu i Kuvendit Ilir Meta, njëherësh kreu i LSI.

Basha: Askush mos t’i ikë përgjegjësisë, të mbahet premtimi për Xhaminë e madhe
Kreu i PD Lulzim Basha, ndërsa ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit, është ndalur tek çështja e Xhamisë së Madhe të Tiranës. Kreu i PD, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës ka bërë apel që “të mos i ikë askush përgjegjësisë, por të mbahet premtimi për nderimin e xhamisë së madhe”.
 
“Uroj që besimtarë që agjëruan prej 1 muaji të shpërblehen për sakrificën e tyre. Uroj gjithashtu që askush të mos i ikë përgjegjësisë në këtë komunitet, dhe askush të mos i ikë përgjegjësisë për premtimin për ndërtimin e xhamisë së madhe, si një premtim i kahershëm. Uroj që ky muaj reflektimi, faljesh, lutjesh, të na shërbejë sa më mirë për të realizuar këtë projekt, dhe për të na dhënë forcë dhe vizion të gjithëve për të zgjedhur rrugën e drejtë përmes vendimeve të drejta, duke i shërbyer qeverisë”, tha Basha.
 
Arvizu: Gëzuar Bajramin! Për reformën duhet kompromis
Për festën e Bajramit ka përcjellë urime edhe ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksander Arvizu, pas vizitës në Komunitetin Mysliman. Duke uruar besimtarët myslimanë për Fiter Bajramin, ambasadori Arvizu tha se qeveria ka bërë punë të mirë. I pyetur për reformën territoriale, ambasadori Arvizu tha se “duhet të merren parasysh sugjerimet. Kompromisi është rruga më e mirë".

Idrizi: Falja në rrugë të marrë fund, apel qeverisë të nisë ndërtimin e xhamisë
Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi, duke uruar besimtarët myslimane për festën e Fiter Bajramit, i ka bërë apel qeverisë që të nisë ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës. Sipas Idrizit, besimtarët myslimanë shqiptarë “meritojnë dinjitet”.
 
“Uroj të gjithë besimtarët gëzuar festën e Fiter Bajramit. Mora pjesë në faljen e Fiter Bajramit për t’u solidarizuar me besimtarët myslimanë. Falja në rrugë duhet të marrë fund, i bëj apel qeverisë të nisë ndërtimin e Xhamisë së madhe të Tiranës. Besimtarët myslimane meritojnë dinjitet”, Shpëtim Idrizi.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.