Plani i PD-së: Punësime masive për të marrë votat e të zhgënjyerve

Postuar në 01 Shkurt, 2013 06:55

Kompanitë e mëdha publike si “Albpetrol” bëjnë gati rekrutimet

Edmond Hoxhaj

Drejtuesit e Partisë Demokratike e kanë projektuar strategjinë e fushatës me qëllim marrjen e sa më shumë votave. Mazhoranca ka menduar se si të rikthejë votat e “të zhgënjyerve” brenda PD-së. Për shkak të flirtimeve me mjaft parti të vogla dhe bashkëqeverisjes me LSI-në katër vitet e fundit, shumë mbështetës të PD-së kanë mbetur të pakënaqur. Në këto kushte, vota e tyre parashikohej të digjej për shkak se nuk do të votonin duke u hakmarrë në këtë formë ndaj PD-së. Por, drejtuesit e PD-së në qendër kanë planifikuar t’i rifitojnë një pjesë të këtyre votuesve duke u premtuar të zhgënjyerve vendin e punës që nuk jua ofruan për gati tetë vite me radhë. Duke qenë se një pjesë e mirë e këtyre mbështetësve të PD-së janë në kushte të vështira ekonomike, pasi prej vitesh nuk kanë gjetur dot një punë, drejtuesit e kësaj force politike kanë vendosur t’i blejnë vetëm me premtime. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime konfidenciale pranë degëve të PD-së në Qarkun e Fierit të cilat sqaruan se, bazuar në orientimin e ardhur nga qendra janë duke kontaktuar me këtë pjesë të elektoratit të djathtë, që ka mbetur ende pa u thithur prej FRD-së, e cila pjesën më të madhe të anëtarëve e ka të këtij grupimi.

Oferta

Sipas burimeve, “të zhgënjyerve” u janë premtuar vende pune në këmbim të aktivizimit të tyre gjatë fushatës elektorale. Vetëm nëse ata bëhen pjesë e shtabeve elektorale do të kenë në shkëmbim premtimin e një vendi pune. Ndërkaq, mësohet se një pjesë e tyre që do të jenë me fat mund ta përfitojnë këtë vend pune para zgjedhjeve parlamentare, ndërsa të tjerëve do t’u duhet të mjaftohen me premtimin për t’u punësuar nëse e djathta fiton një mandat të tretë këtë qershor. Kjo, sipas burimeve, për shkak se administrata shtetërore është e tejmbushur dhe është e vështirë hapja e vendeve të reja të punës. Mësohet se një pjesë e të punësuarve të rinj do t’i shtohen organikës së “Albpetrol”-it, ndërsa pritet që Ministria e Arsimit të akordojë vende pune shtesë gjatë muajit të ardhshëm. Mësohet se drejtuesit lokalë të PD-së në Qarkun e Fierit kanë nisur kontaktet me këtë pjesë të elektoratit dhe po punojnë për rimarrjen e votës së tyre. Nga komunikime që ka pasur gazeta me disa prej këtyre mbështetësve të PD-së, të cilët gjatë viteve të fundit janë kthyer në të papunë, është mësuar se për shkak të kushteve ekonomike në të cilat ndodhen, do të aktivizohen në shtabet elektorale. Mësohet se një pjesë e mirë e tyre janë të afërm të krerëve të PD-së dhe për këtë arsye, janë të evidentuar si të djathtë, edhe pse nga vota e tyre nuk kanë përfituar asgjë, duke jetuar në të njëjtat kushte sikur ishin në opozitë deri më 2005-n. Por ndërsa një pjesë e “të zhgënjyerve” duket se janë joshur nga oferta, të tjerë kanë pohuar për gazetën se nuk do ta pranonin një gjë të tillë, duke deklaruar se vota e tyre nëse nuk shkon për të majtën, atëherë do të jetë e pavlefshme.

 

Vendimi

Shtesa - Javën e shkuar, qeveria mori vendimin për të shtuar edhe 240 vende pune me kontratë të përkohshme në administratën qendrore të vendit

Numri - Numri i përgjithshëm i punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2013, në njësitë e qeverisjes qendrore, shkon në 930

Agjencitë - Disa nga organet ku do të punësohen njerëzit e rinj janë ALUIZNI, AKKP-ja apo edhe vende të tjera të ngjashme në administratë

SHISH - Një nga përfituesit e shtesës së punonjësve me kontratë shtetërore është edhe Shërbimi Informativ Shtetëror, me rreth 24 nëpunës

Financat - Vendimi ngarkon ministritë dhe institucionet buxhetore të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit

 

Rendi publik

Rama: Policia do të mbrojë të gjithë qytetarët

Partia Socialiste mblodhi dje tryezën e radhës me ish-funksionarë të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët, për shkaqe partiake sot janë jashtë saj. Në këtë tryezë të dytë brenda javës për çështjet e rendit dhe të sigurisë në vend, kreu i PS-së, Edi Rama, u ndal tek pasiguria që ndiejnë sot qytetarët për jetën dhe pronën e tyre, si pasojë e shthurjes së Policisë së Shtetit. Sipas tij, opinioni ynë publik ndihet jashtëzakonisht i shqetësuar për gjendjen e pasigurisë dhe prona është tërësisht e pambrojtur qoftë si pasuri publike, qoftë si pasuri private. Ai theksoi se me ardhjen e socialistëve në pushtet, gjithë kjo pasiguri e qytetarëve të thjeshtë do të marrë fund. “Do të vëmë në dispozicion një Polici të Shtetit, që do të mbrojë pacenueshmërinë e individit dhe të qetësisë së tij dhe pacenueshmërinë e pronës publike apo private. Kushdo që do të cenojë individin apo pronën, do të përballet me Policinë e Shtetit shqiptar, në çdo metër katror të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi ai. Deklaratën e zëdhënësit të Policisë së Shtetit për pagat e policisë, Rama e quajti tërësisht të shkëputur nga realiteti. “Kanë harruar sa paguhet polici i terrenit dhe kanë harruar t’i paguajnë shpërblimet, kanë harruar t’i paguajnë orët jashtë orarit, kanë harruar t’i paguajnë të gjitha detyrimet e prapambetura dhe kanë harruar se ai ekziston”, deklaroi Rama për qeverinë aktuale. Por përsëri zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, reagoi dje duke e quajtur Ramën të lidhur me botën e krimit. “Ai sërish përdhosi sakrificën dhe përkushtimin e policëve në ruajtje dhe mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarit. Por, me këto sulme, ai nuk do të mundë të mbulojë kurrë faktin se është politikani me lidhjet më të forta me krimin dhe botën e tij”, theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.

Tryeza - Nesër kreu i PS-së, Edi Rama, do të zhvillojë një tjetër tryezë për rendin dhe sigurinë në vend dhe ai kërkoi dje nga qytetarët që t’i bënin të ditura shqetësimet e tyre kryesore.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.