Pesë shtete shtyjnë për në qershor statusin e vendit kandidat

Perceptimi - Optimistët në Shqipëri prisnin dje që Holanda të mos gjente aleatë për sa i përket vendimit të saj për të mos i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat
Vendimi – Gjermania, Britania, Holanda, Danimarka dhe Franca bllokojnë procesin. Shqipëria, në dorë të Greqisë
Fatjona Mejdini
Pesë ministra të Jashtëm të Bashkimit Europian bëhen bllokadë për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Skepticizmit të theksuar të Holandës për sa i përket dhënies së statusit Shqipërisë, duket se ka infektuar dje dhe shtete më të rëndësishme të Bashkimit Europian, si Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Danimarkën. Këto vende u bënë një barrierë bllokuese në mbledhje, për të mos lejuar akordimin e statusit këtë vit, por shtyrjen e tij. Mbledhja e Këshillit të Ministrave të Jashtëm vendosën dje që Shqipëria do të mund të marrë statusin e vendit në BE vetëm në qershorin e vitit 2014. Ky ishte vendimi i 28 ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, që shoi shpresën e shqiptarëve për të përfituar statusin e shumëpritur këtë vit. Pavarësisht se Shqipërisë nuk i duhet teknikisht të përmbushë ndonjë kusht për sa i përket provimit për statusin, zbatimi konkret i reformave pritet të jetë kërkesa kryesore. Vendosja e qershorit si datë për “provimin” e radhës së Shqipërisë për këtë status, duket se ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së ministrit të Jashtëm estonez, i cili ka kërkuar një datë përcaktuese në lidhje me rishqyrtimin e kësaj dosjeje. Tashmë pritet që procesi të nisë nga fillimi, me rekomandimin e Komisionit Europian për statusin në mars të vitit tjetër dhe më pas me vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së për marrjen e statusit kandidat. Vendimin e njoftoi vetë komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, i cili theksoi se, pavarësisht punës së mirë të qeverisë së re, BE-ja kishte kërkuar më shumë kohë për vlerësimin e situatës dhe për pasojë marrjes së statusit. Fyle ka qenë një nga mbështetësit për dhënien e statusit, por qëndrimi refuzues i pesë “fuqive” të BE-së, bëri që çështja të shkojë në kalendat “greke”. Kjo, për faktin se Bashkimi Europian pritet të hyjë në ethet e zgjedhjeve të institucioneve të tij, si Parlamenti Europian, duke sjellë një realitet të ri politik brenda familjes së madhe europiane. Zgjedhjet për PE-në mbahen në 22-24 maj të 2014-s në të gjitha shtetet e BE-së. Shqipëria pret tashmë të marrë statusin e vendit kandidat në BE vetëm pas përfundimit të presidencës gjashtëmujore greke, e cila nis në janar dhe përfundon në qershor.
Bllokimi
Pesë vende të rëndësishme europiane, Britania e Madhe, Gjermania, Holanda, Danimarka dhe Franca, i kanë propozuar këshillit të BE-së shtyrjen e statusit të vendit kandidat në vend. Nisur nga disa pretendime të hershme, se Shqipëria ka nevojë të japë prova konkrete për sa u përket reformave të ndërmarra. Përgjatë gjashtë muajve të ardhshëm, Shqipërisë nuk i duhet të plotësojë ndonjë kusht shtesë, por vetëm të japë prova se si do t’i zbatojë në terren ligjet e miratuara. Holanda ishte zëri i parë i kësaj pesëshe, që artikuloi në mënyrë të qartë përgjigjen “jo” për marrjen e statusit të vendit kandidat ndaj Shqipërisë. Ministri i Jashtëm holandez, Frans Timermans, duket se ia ka arritur qëllimit për të gjetur vende të tjera aleate në Këshill, të cilat do të binin dakord për këtë status. Të dyzuara në lidhje me akordimin e këtij statusi për Shqipërinë, Britania e Madhe, Gjermania, Danimarka dhe Franca janë rreshtuar kundër marrjes së statusit nga Shqipëria në këtë moment. Pavarësisht vizitave të shumta lobuese që krerët e shtetit shqiptar kanë kryer në kancelaritë diplomatike të këtyre pesë vendeve, rezultati ka qenë negativ.
Zgjedhjet
Bashkimi Europian pritet të futet në ethet e zgjedhjeve një muaj para vendimit për statusin
Lobimi - Tre ministrat e qeverisë shqiptare, Bushati, Gjosha dhe Tahiri, lobuan fuqishëm pranë shteteve skeptike, me qëllim që të ndryshojnë mendimin duke votuar pro dhënies së statusit. Ministri i Jashtëm, Bushati, ka zgjedhur dje të jetë në një takim pune në Azerbajxhan. Ai madje ka takuar dhe homologun britanik, Uilliam Hage, vend i cili doli kundër dhënies së statusit Shqipërisë.
Estonia kërkon datën - Estonia ka qenë një nga vendet më miqësore për sa i përket aspiratës së Shqipërisë për të marrë statusin dje. Pavarësisht mosrealizimit të kësaj aspirate, ministri i këtij vendi ka kërkuar që për Shqipërinë të ketë një datë të përcaktuar qartë për “provimin” e radhës.
Fyle
Komisioneri deklaroi dje, se ai ishte një mbështetës i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë ditën e djeshme
Fyle bëri të ditur se këtë radhë Shqipëria nuk ka kushte për qershorin
Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, deklaroi dje, në konferencën për shtyp, pas vendimit të Këshillit të Ministrave, se Shqipëria nuk ka kushte të reja për të përmbushur, por pas gjashtë muajsh, statusi nuk do të mund të jepet në mënyrë automatike. “Nuk do të ketë një status që do të jepet direkt, është çështje kohe. E kam bërë të qartë pozitën e Këshillit të BE-së, se Shqipëria ka ecur përpara dhe se vendet aspirante gjithashtu duhet të plotësojnë kriteret. Sigurisht janë dhe ato tri çështjet e rëndësishme, nuk ka kushte shtesë dhe kjo është e rëndësishme për të gjitha vendet anëtare. Dhe së dyti, ka pasur vlerësim dhe mirënjohje për punën e bërë dhe ajo dallohet dhe në një prej paragrafëve që është specifik për progresin e bërë nga Shqipëria dhe elementi i tretë është parashikueshmëria, e cila është e rëndësishme për pjesën më të madhe të vendeve anëtare dhe se i referohet takimit të ardhshëm të BE-së në qershor, i cili bazohet në raportin e komisionit”, deklaroi Fyle.
Ministri finlandez për Çështjet Europiane, Aleks Stub, theksoi se vendi i tij e mbështeste fuqimisht Shqipërinë, e cila kishte progres
Raportimi i tij ka shërbyer për të dhëne ide të qarta për statusin
Finlanda është një nga vendet që e ka mbështetur më fort brenda mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë këtë vit. Në një prononcim për “Top Channel”, ministri finlandez për Çështjet Europiane, Aleks Stub, theksoi në fillim të mbledhjes së vendi që ai përfaqëson e mbështet me vendosmëri kandidaturën e Shqipërisë, pavarësisht se ende ka çështje të cilat mbeten të hapura. Përmes rrjetit social “Twitter”, ministri finlandez gjeti rastin të raportonte nga brenda mbledhjes, duke theksuar se Shqipëria kishte bërë progres. “Tashmë këshilli po flet në lidhje me zgjerimin. Ka avancim nga Turqia dhe Serbia. Ka zhgënjim nga Maqedonia dhe progres në Shqipëri”, theksoi ai, duke raportuar kështu atë çfarë po ndodhte në mbledhjen e nivelit të lartë me dyer të mbyllura. Por duket se kjo mbështetje e Finlandës nuk e ka ndihmuar shumë vendin tonë.
Shqip
Add new comment