Peleshi ngushëllon familjet e viktimave nga përmbytjet: Situata e normalizuar
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Zëvendeskryeministri Niko Peleshi, ndërsa do të paraqiste publikisht masat e marra nga qeveria për përmbytjet në vend, e nisi fjalën e tij me ngushëllime për familjarët lidhur me humbjen e tre jetëve gjatë mbrëmjes së të martës.
Ai tha se pas situatës së jashtëzakonshme të përmbytjeve, vecanërisht në rrethin e Lezhës, u ngrit grupi koordinator në Kryeministri për të vlerësuar nevojat dhe përcaktuar ndërhyrjet për normalizimin e shpejtë të situatës.
“Si rrjedhojë e angazhimit maksimal me njerëz e mjete logjistike nga Ministria e Punëve të Brendshme; Ministrja e Mbrojtjes, Ministria e Energjisë dhe Industrisë; Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Shëndetësisë, sot situata në vend paraqitet normale në shumicën e qarqeve dhe drejt normalizimit të plotë në 2 qarqet Lezhë e Fier”, tha Peleshi.
Nga informacionet e grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile, situata paraqitet si më poshtë:
Qarku Lezhë: Në qarkun e Lezhës reshjet kanë pushuar në orën 1 pas mesnate. Në nënstacionin e Lezhës u arrit që me punën intensive të forcave të zjarrfikësve, të KESH-it dhe OSSH-së të largohen ujrat dhe të rilidhet energjia për të gjithë operatorët si të Hidrovoreve, ashtu edhe të njësive vendore.
Në të gjithë qarkun e Lezhës situata është normalizuar edhe po punojnë intensivisht forcat dhe mjetet e Bordit të Kullimit për largimin e ujrave nga tokat bujqësore.
Mjete zjarrfikëse, po vazhdojnë largimin e ujrave nga banesat e përmbytura. Sot në orën 10:00, nën drejtimin e Prefekti të Lezhës është kryer një takim tjetër të Komisionit të Emergjencave të qarkut për të analizuar gjëndjen e krijuar pas rivënies në punë të hidrovoreve dhe pompave në Balldre, Shëngjin dhe Lezhë si dhe marrjen e masave për dhënien e ndihmës banorëve të cilët ju prekën banesat nga përmbytja.
Në komunat Balldren, Blinisht dhe Shëngjin, reshjet kanë pushuar dhe situata është drejt normalizimit për shkak të largimit të ujrave nga puna e hidrovoreve me kapacitet të plotë të pompave thithëse.
Për normalizimin e situatës në Lezhë operuan 80 trupa ushtarake për bllokimin e ujrave që futeshin si dhe dhjetra mjete për pastrimin e ujrave.. Gjithashtu këto forca vendosën edhe barriera në disa biznese dhe banesa për të mos lejuar përmbytje.
Është paraqitur një sitatë problematike lidhur me furnizimin me ujë të Spitalit Rajonal të Lezhës, problem i cili tani është adresuar plotësisht duke garantuar ujin e pijëshëm nëpërmjet autoboteve deri në normalizimin e situatës.
Kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore po bëjnë vlerësimet e dëmeve nëpërmjet Komisioneve të Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile dhe po raportojnë për masat e marra në rivendosjen e normalitetit në territoret e njësive që kanë përgjegjësi.
Në qarkun e Tiranës, reshjet janë ndërprerë në orën 24:00 dhe situate është normalizuar. Zjarrfikëset po punojnë për largimin e inerteve dhe ujrave në disa banesa njëkatëshe dhe në katet e para të pallateve sin ë rrugën Don Bosko, Komuna e Parisit, Medar Shtylla, Kombinat, Kodra e Priftit, Sami Frashëri, etj.
Në Paskuqan dhe Laknas është normalizuar situata dhe po punohet për adresimin e atyre problemeve që paraqiten në disa toka bujqësore që janë përmbytur nga reshjet.
Qarku Fier. Në qarkun e Fierit ka patur probleme në një fshat të Komunës Libofshë dhe 3 fshatra të komunës Allkaj ku ka patur prezencë uji në disa banesa dhe përmbytje vetëm në 5 prej tyre. Familjarët në këto banesa fillimisht u evakuuan emë pas u punua për largimin e ujit.
Qarku Gjirokastër. Në këtë qark ka patur reshje por jo intensive dhe nuk pati përmbytje. Në rrugën hyrëse të qytetit të Gjirokastrës inertet që zbritën nga pjesa e kalasë bllokuan rrugën kryesore dhe që në orët e para të mëngjesit po punohet intensivisht për hapjen e saj.
Qarku Durrës. Nga reshjet e rëna në qytetin e Durrësit ka patur probleme në në rrethrrotullimin e Shkozetit, rrugën e Currilave, rrugën e Kënetës dhe në afërsi të Portit. Në mëngjes situata është normalizuar.
Qarku Shkodër, Elbasan, Korça, Vlora, dhe Gjirokasta nuk kanë paraqitur probleme me reshjet e shiut.
Ndërkohë që Grupi Koordinator do të vazhdojë të ndjekë situatën nga afër deri në adresimin e plotë të gjitha problemeve të shfaqura
Add new comment