PD: Tahiri po fsheh qëllimisht shifrat, situata e kriminalitetit alarmante

Postuar në 08 Janar, 2014 15:50

Partia Demokratike akuzoi ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri se po manipulon opinionin publik, duke fshehur qëllimisht të dhënat për krimin. Në një deklaratë për mediat ditën e sotme, deputeti i PD, Arben Ristani, akuzoi Tahirin se nuk po treon të vërtetën për situatën alarmante të kriminalitetit, duke shkelur në këtë mënyrë ligjin.

“’Po nuk doli në media, nuk ka ndodhur. Kjo është filozofia e qeverisë dhe e Ministrit të Brendshëm për a i përket luftës ndaj kriminalitetit.
Me këtë orientim, Ministri i Brendshëm po synon të manipulojë të dhënat e kriminalitetit, sipas një mekanizmi të mirëorganizuar, që nis me mosregjistrimin e ngjarjeve në terren, dhe më tej akoma me përpjekjen për të ndikuar tek mediat në mosraportimin e lajmeve të kronikës së zezë.
Në dhjetor, sipas burimeve zyrtare, kanë ndodhur dy ngjarje të rënda në Tiranë, një vendosje tritoli në një biznes në zonën e Pallatit me Shigjeta dhe një grabitje me armë në zonën e Yzberishtit, të dyja këto ngjarje që nuk janë pasqyruar në buletinet e policisë, ndërkohë informacioni nuk i është dhënë as medias.
Gazetarët e kronikës së zezë të gazetave dhe televizioneve po kalojnë periudhën më të vështirë të punës së tyre, pasi deviza e Ministrit dhe e qeverisë është të mos konfirmohet informacioni, të mos flitet me mediat, në mënyrë që lajmet të mos botohen.
Ka edhe me keq, gazetarëve sidomos në rrethe u bëhet presion nga shefat e komisariateve që të mos publikojnë ngjarje të caktuara.
Fshehja e krimeve ka pasoja shumë të rënda publike.
E para, qytetarët e dëmtuar ndihen të tradhtuar kur shohin se ngjarja e rëndë ndaj tyre mbahet sekret.
E dyta, krimi vetë stimulohet edhe më shumë, duke qenë se nuk bëhet publik aktiviteti i tij.
I gjithë mekanizmi i manipulimit të të dhënave orkestrohet nga Ministri vetë, i cili është edhe kryeredaktori i buletineve të policisë, në kundërshtim me ligjin.
Kjo përpjekje nuk e rrit aspak sigurinë publike dhe nuk e ul kriminalitetin.
Në dy ditët e fundit kemi 5 të vrarë.
Përplasje me armë e grabitje kudo, më të fundit në Vlorë, në Korcë, në Durrës ku agresorët kanë pasur edhe makinë me alarm policie.
Grabitjet dhe maskat janë shtuar, sepse profesionistët e policisë janë zëvendësuar me militant.
Pasiguria e qytetarëve është rritur, sepse Ministri i Brendshëm bën shfaqje mediatike dhe në vend të përgjegjësisë, ushtron trukimin e të dhënave.
Gjobat dhe arbitrariteti i policisë ndaj qytetarëve jane shtuar.
Qarkullon një urdhër në radhët e uniformave blu në Tiranë, se duhen vënë çdo ditë 1000 gjoba.
Nuk ka rëndësi se sa shkelje ka, si dhe ku lëvizin qytetarët me automjetet e tyre. Qeverisë i duhen 1000 gjoba në ditë.
Ky është urdhër. Bravo çuna! Hakmerruni pa ligj e pa rregulla, por deri kur do mund ta bëni këtë?”, deklaroi Ristani.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.