PD-PS miratojnë Gjonin dhe Demin për ambasadorë

Mazhoranca dhe opozita miratuan me konsensus dy kandidaturat për ambasador të Jashtëzakonshëm të Republikës së Shqipërisë, Leonard Demi në postin e Përfaqësuesit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe Ilir Gjoni ambasador në Zvicër. Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, ministri Ditmir Bushati prezantoi dy emrat për ambasador në Zvicër dhe në NATO. Gjatë prezantimit, ministri Bushati, vlerësoi dy kandidatët duke theksuar se janë persona me integritet politik. Sipas Bushatit, si Gjoni ashtu edhe Demi kanë kredenciale dhe kredibilitet të lartë tek partnerët ndërkombëtarë dhe janë ngritur mbi ndasitë politike për nevojat e vendit “Fytyra e ambasadorit për vende të vogla si Shqipëria, është fytyra e të gjithë misionit dhe fytyra e shtetit. Eshtë e rëndësishme që ne të piketojmë njerëz të cilët kombinojnë eksperienca të ndryshme dhe garantojnë një cilësi në përfaqësim “, tha Bushati. Ndërsa, kryetarja e Komisionit të Jashtëm Arta Dade u shpreh se ndajnë të njëjtin vizion lidhur me rolin e diplomacisë që është në shërbim të vendit dhe të kombit, dhe jo në shërbim të forcave politike.
Kandidati Demi shpjegoi misionin e tij në cilësinë e ambasadorit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, në rritjen e mëtejshme të rolit të Shqipërisë në çështjen e siguri dhe të mbrojtjes;në realizimin e programit të qeverisë për çështjen e mbrojtjes;në hartimin e strategjisë së re të sigurimit kombëtar; fuqizimi i rolit të Kuvendit; promovimi i sukseseve të forcës së sigurisë i Kosovës, etj. Ndërsa kandidati për Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Ilir Gjoni, tha se vlerëson maksimalisht rëndësinë e punës dhe gjykimin e komisionit. Pasi bëri një pasqyrim të gjithë karrierës së tij, ish deputeti Gjoni nënvizoi se prioritetet e tij do të fokusohen në nxitjen e partneritetit; rritja e këmbimit të përvojës ndër-parlamentare; tërheqja e investimeve zvicerane;forcimin e punës me diasporën shqiptare; mbështetje e strategjisë kombëtare e barazisë gjinore dhe dhunës ndaj grave; mbështetje në bujqësi, arsim,kulturë, energjetikë.
Shekulli
Add new comment