PD kërkon heqjen e mandatit të Fidel Yllit: Në 2009 ishte ortaku i vetëm i një radioje

Postuar në 25 Janar, 2013 14:17

 

Një grup deputetësh të PD-së kanë kërkuar nga ana e Kuvendit heqjen e mandatit të deputetit socialist, Fidel Ylli. Ata kanë kërkuar nga Kuvendi që ta çojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas tyre, në vitin 2009, kur Ylli u shpall deputet, ishte ortak i vetëm i një radioje.

“Kushtetuta thotë se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Pas katër muajve, në shkelje të hapur me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, zoti Ylli rezulton të ketë bërë një shitje fiktive të radios, duke e kaluar atë në pronësi të së motrës, në fund të dhjetorit 2009,”thuhet në kërkesën e deputetëve demokratë.

Sipas deputetëve të PD-së, rasti i deputetit Fidel Ylli është i ngjashëm me atë të ish-kolegut të tij, Ilir Beqja.

“Zoti Beqja e humbi mandatin e deputetit, rreth dy vjet më parë, pasi Kuvendi çoi në Gjykatën Kushtetuese fakte, që provonin se ai kishte përfituar fonde nga pushteti vendor, gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit. Gjykata Kushtetuese e çmoi të drejtë kërkesën e Kuvendit, i cili u vu në lëvizje sërish nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike,”thuhet më tej në kërkesën e deputetëve të PD-së.

Deputeti socialist ka reaguar menjëherë, duke thënë se nuk ka shkelur asnjë ligj, pasi ILDKP dhe gjykata e kanë konfirmuar në atë kohë që nuk kishte shkelje ligji. Sipas tij, e gjithë kjo bëhet për luftë politike nga ana e PD-së.

Fidel Ylli prej vitesh ka qenë një nga njerëzit më të sulmuar nga ana e kryeministrit Berisha, që nuk ka lënë rast pa e akuzuar atë.

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.