PD i drejtohet Kushtetueses për sulmin ndaj ILDKP dhe hetimin e të dhënave tatimore

Postuar në 21 Janar, 2014 06:56

Partia Demokratike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa për të ndaluar atë që e konsideron si sulm të mazhorancës ndaj ILDKP-së, si dhe për mosngritjen nga ana e Kuvendit të një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me manipulimin e të dhënave tatimore. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi në një konferencë për mediat nga selia e PD-së sqaroi se dy kërkesat drejtuar Gjykatës Kushtetuese synojnë të ndalin përshkallëzimin e veprimtarisë antikushtetuese dhe arrogante të qeverisë Rama-Meta. “Së pari, Partia Demokratike ka kërkuar shpalljen si antikushtetuese të sulmit të hapur ndaj institucionit të pavarur të Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive të qeveritarëve si dhe të përpjekjeve të paligjshme për shkarkimin e kreut të këtij institucioni. Me shkarkimin e kreut te ILDKP, Rama dhe Meta po kërkojnë me çdo kusht të marrin nën kontroll këtë institucion të pavarur në mënyrë që të fshehin pasuritë e paligjshme dhe aferat korruptive të tyre dhe bashkëpunëtorëve të tyre”, tha Bylykbashi. Sipas tij, mazhoranca po shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe Rregulloren e Parlamentit për t’ia arritur këtij qëllimi. Në kuadër të akuzave, Bylykbashi shprehet se duke ditur se Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk lënë hapësirë për këto sulme ndaj një institucioni të pavarur, mazhoranca qeverisëse ka orkestruar një sulm me fletërrufe nga kolektivi i punonjësve dhe ka ngritur një grup kontrolli të paligjshëm që nuk e njeh as Kushtetuta dhe as Rregullorja e parlamentit.

Po kështu, Partia Demokratike ka kërkuar të shpallë si antikushtetues vendimin e mazhorancës për të rrëzuar kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me ndërhyrjen e paligjshme të njerëzve të Kryeministrit në sistemin kompjuterik të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe zhdukjen e miliona të dhënave dhe deklaratave të subjekteve tatimore. “Me arrogancë, mazhoranca ia mohoi opozitës këtë të drejtë kushtetuese, të cilën Gjykata Kushtetuese e quan si një instrument të fuqishëm kontrolli të opozitës mbi qeverinë dhe mazhorancën. Kjo gjykatë ka përcaktuar qartë se kërkesa e opozitës për të hetuar nuk mund të rrëzohet e as të kufizohet”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Sipas saj, këto dy raste tregojnë dy standarde të mazhorancës Rama-Meta. “Ata kërkojnë që t’i mohojnë opozitës të drejtën për hetim parlamentar, kur vetë çirreshin se po u cënohej kjo e drejtë, edhe pse u është pranuar çdo kërkesë për hetim parlamentar sipas kushtetutës. Ata rrëzojnë kërkesën e opozitës me justifikimin se po heton prokuroria, ndërkohë kontrollin e paligjshëm mbi ILDKP e kryejnë paralel me nje hetim të prokurorisë. Partia Demokratike përsërit qëndrimin e saj të palëkundur dhe opozitën ballore me të gjitha instrumentet demokratike ndaj revanshit antikushtetues të kësaj mazhorance”, u shpreh Bylykbashi.

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.