Pasuri botërore, Titanic do të mbrohet nga UNESCO

Mbetjet e anijes Titanic pritet të vendosen nën mbrojtjen e agjencisë kulturore të OKB-së, UNESCO. Agjencia tha se më shumë se 700 zhytës kanë vizituar rrënojat e anijes, në thellësinë 4 mijë metra në brigjet e Kanadasë, duke marrë herë pas here me vete, edhe sende prej saj.
Së shpejti do të bëhen 100 vjet që nga fundosja e anijes, ndaj ajo do të mbrohet me konventën e vitit 2001, në bazë të cilës mbrohen rrënojat që janë më të vjetra se 100 vjet.
Irina Bokova, drejtoreshë e përgjithshme e UNESCO-s tha se fundosja e Titanikut ishte 'ankoruar në kujtesën e njerëzimit dhe se ishte e rëndësishme që të mbrohej vendi ku 1500 njerëz humbën jetën.
"Ka mijëra rrënoja të tjera anijesh që kanë nevojë për mbrojtje. Ne nuk tolerojmë plaçkitjen e vendeve kulturore në tokë, ndaj kjo duhet të vlejë edhe për atë pasuri që ndodhet në fund të detit",-shtoi ajo.
Titaniku u fundos në lundrimin e tij të parë, pasi goditi një ajsberg në brigjet e Newfoundland, në Oqeanin Atlantik. Ai ishte nisur nga Southampton, Britani e Madhe drejt New Yorkut, SHBA.
Albanian Screen
Add new comment