Parada Gay, BE: Dënojmë deklaratën diskriminuese të PLL

Postuar në 27 Mars, 2012 10:16

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri reagon pas deklaratave të kreut të PLL-së njëkohësisht zv/ministër i mbrojtjes Ekrem Spahia, i cili gjatë një interviste për Gazeta Shqiptare, ka thënë se partia që ai përfaqëson vlerëson vlerat e shqiptarëve si komb dhe e vetmja deklaratë që ka për këtë komunitet është "ti kap në hu".

BE shpreh habi dhe shqetësim për këto deklarata, ndërsa dënon nxitjen e dhunës dhe disktiminimit për këtë komunitet. BE i kujton Shqipërisë se ka nënshkruar konventa dhe ligje që bien në kundërshtim me këto deklarata.
“Bashkimi Evropian dënon me forcë çdo retorikë diskriminuese dhe nxitje për urrejtje dhe dhunë. Shqipëria ka ratifikuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe ka aprovuar Ligjin për Mbrojtjen kundër Diskriminimit. Lufta kundër diskriminimit, përfshirë diskriminimin e personave LGBT, është një ndër 12 prioritetet kyçe të Opinionit të 2010-ës. Shqipëria është angazhuar për të zbatuar Planin e Veprimit mbi këto dymbëdhjetë prioritete kyçe. Deklarata publike si ajo e z. Spahia janë në kundërshtim me zbatimin e politikave antidiskriminuese të përfshira në kapitullin 23 mbi të drejtat themelore dhe juridike pjesë e legjislacionit të Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e tyre.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në marrëveshje me Ambasadorët (Shefat e Misioneve) e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri, u bën thirrje me vendosmëri autoriteteve shqiptare të sigurojnë që sjellje të tilla të mos përsëriten.

Deklaratat e kryetarit të partisë Lëvizja e Legalitetit u bënë në lidhje me mbajtjen në Tiranë të festivalit të diversitetit për të drejtat e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe personave transeksualë (LGBT), i cili do të zhvillohet në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë më 17 maj 2012.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.