Para publike për partitë pa deputetë, ulet pragu i përfituesve nga buxheti

Financimi
Ndryshimet në ligjin për partitë miratohen brenda janarit. Ndoka: Pse e bëmë kërkesën
Herion Mesi
Dolën në ombrellën e aleatëve, fituan si deputetë në listat e të mëdhenjve, por partitë e vogla rrezikojnë të mos financohen nga shteti, për shkak se nuk kanë arritur pragun prej 1 përqindësh të votave në shkallë vendi për të përfituar ndihmën monetare. Për të parandaluar këtë, partitë e vogla, të mbështetura edhe nga Partia Socialiste, kanë propozuar në Parlament një nismë që parashikon një skemë të re të ndarjes së parave nga ana e buxhetit të shtetit. Kjo duke bërë një amendament për ndryshimin e ligjit “Për partitë politike”. Për këtë vit janë parashikuar 190 milionë lekë të reja për partitë politike. Sipas ligjit aktual, 10% e shumës ndahet ndërmjet partive që kanë marrë 1% të votave. Kjo lë jashtë parti si PDK, PSD, PDS dhe Aleancën Kuq e Zi që kanë marrë 10 mijë vota. Kuota e përfitimit është 17 mijë vota. Këtë e përfiton vetëm Fryma e Re Demokratike e ish-presidentit Bamir Topi.
Propozimi
Konkretisht, më datë 30 dhjetor të vitit kaluar, në Kuvendin e Shqipërisë është paraqitur zyrtarisht projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike” të ndryshuar”, ku deputetët nismëtarë të këtij projektligji janë Nard Ndoka, Taulant Balla, Vangjel Dule, Petrit Vasili, Fatmir Mediu dhe Dashamir Tahiri. Amendimi i ligjit ul numrin e nevojshëm të votave që i duhen një partie të vogël për të marrë fonde nga buxheti i shtetit. Konkretisht, duke iu referuar ligjit aktual, i cili parashikon një numër të nevojshëm votash prej 1 për qind të totalit të votave, të vegjlit kërkojnë uljen e pragut për të përfituar ndihmën ekonomike. Dhe, nisur nga totali i votuesve prej 1.724.779 në zgjedhjet e fundit parlamentare të 23 qershorit 2013, ku 1 përqindëshi i tyre është rreth 17 mijë vota, të vegjlit kërkojnë që ky prag prej 17 mijë votash të zbresë në 10 mijë vota, në mënyrë që dhe këto parti të përfshihen në skemën e financimit nga buxheti i shtetit. Me këtë amendim, pritet të përfitojnë PSD e Skënder Gjinushit, PDS e Pakal Milos, AK-ja e Kreshnik Spahiut, si edhe PDK-ja e Nard Ndokës, i cili është në parlament pas garimit të tij në zgjedhjet e kaluara nën siglën e PD-së.
Ndoka, PDK
Nismëtari i projektligjit që parashikon favorizimin e partive të vogla joparlamentare, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, në një prononcim dhënë dje për gazetën “Shqip” sqaron dhe arsyet e kësaj nisme, e cila duket se ka bashkuar mazhorancën dhe opozitën parlamentare. Sipas Ndokës, i zgjedhur në Kuvend me listat PD-së, ky është një projektligj, i cili bën një lloj përmirësimi në financimin e partive politike. Kreu i demokristianëve shton se “megjithëse ne kemi një sistem proporcional-rajonal, ligji për financimin e partive politike i përshtatet më shumë një sistemi mazhoritar”. “Sot, ligji aktual ka një skemë që 70 për qind ndahet sipas numrit të deputetëve që kanë marrë partitë politike në zgjedhje dhe 20 për qind ndahet për partitë parlamentare, ndërsa 10 për qind është për partitë që kanë marrë mbi 1 për qind të zgjedhjeve. Pra, është një ndërhyrje thjesht në shpërndarjen e fondit prej 10 përqindësh, që është vendosur një kufi prej 10 mijë votash. Pra, ato parti politike që kanë marrë mbi 10 mijë vota, që është dhe numri për një deputet, futen në skemën e financimit. Dhe, kjo është një ndërhyrje që nuk ka një kosto shtesë, por është një rregullim minimal, me një shumë të papërfillshme, por të paktën vendos një standard për ato parti që realisht kanë dhënë një kontribut me vota, që edhe pse të papërfaqësuara në Kuvend, të kenë një lloj financimi. Pra, kemi të bëjmë thjesht me një përmirësim të këtij ligji, me idenë që projektligji do të ndryshojë së bashku me Kodin Zgjedhor që do të ndodhë në të ardhmen”, shpjegon kreu i PDK-së. Ndërsa i pyetur se kur është menduar që të futet në axhendën parlamentare, Ndoka theksoi se ajo pritet të miratohet brenda këtij muaji. “Ky është një ndryshim që do të futet në Kuvend tani në janar, por ideja është që ai ligj për financimin e partive ka nevojë për një përmirësim total, por nuk është momenti që ky të ndodhë sot”, u shpreh kreu i demokristianëve Nard Ndoka. Ndërsa, FRD-ja e Bamir Topit, edhe pse nuk është një parti parlamentare, përfiton nga buxheti i shtetit, pasi arriti të merrte 1.7 për qind të votave më 23 qershor të 2013-s. Ndërkohë që jashtë kësaj skeme propozimi mbeten parti si Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit me 5429 vota, apo dhe Lëvizja e Legalitetit me 6089 vota.
Paratë që përfitojnë partitë nga buxheti për 2014-n
Partia Shuma në lekë
PS 751 milionë lekë
PD 588 milionë lekë
LSI 226 milionë lekë
PDIU 98 milionë lekë
PR 89 milionë lekë
PBDNJ 64 milionë lekë
PKD 64 milionë lekë
FRD 3.2 milionë lekë
Partitë me 10 mijë vota në zgjedhjet e 23 qershorit
Partia Numri i votave
FRD 29 310
PBDNJ 14 722
PDS 11 891
PSD 10 220
PDK 13 288
AK 10 196
Shqip
Add new comment