Pakt PD-PS, gratë jashtë listave për deputetë

PD dhe PS bien dakord për mosrespektimin e kuotës gjinore prej 30% të grave në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 23 qershorit. Kodi Zgjedhor parashikon që për mosrespektimin e kuotës gjinore në listat e kandidateve të partive, gjithçka të kalohet “paq” vetëm me një gjobë prej 1 milion lekësh, por jo përjashtim të listës së kandidatëve të partisë.
Në rast se një parti politike në një zonë zgjedhore dorëzon një listë me shtatë kandidatë meshkuj dhe asnjë femër, atëherë KQZ herën e parë ia kthen mbrapsht listën për korrigjime. Në rast se partia politike nuk korrigjon kuotën gjinore, KQZ e pranon regjistrimin e listës së kandidatëve, por e ndëshkon partinë vetëm me gjobë prej 1 milion lekësh.
Neni 67 i Kodit Zgjedhor ka përfshirë në debat KQZ-në, anëtarët e të cilit pas 2 orësh debat kanë miratuar pa ndryshime aktin e propozuar nga administrata zgjedhore. Në projektin e hartuar nga KQZ-ja, parashikohet që partitë politike mund të refuzohen nga KQZja për të garuar në zgjedhje në rast se nuk plotësojnë dokumentacionin e kërkuar, por nuk përjashtohen për kuotën gjinore.
Gjatë mbledhjes së djeshme, 7 anëtarët e KQZ-së kanë shprehur konfuzion për zbatimin e nenit 67 të Kodit Zgjedhor, që i lejon subjektet zgjedhore që të regjistrohen në garën elektorale edhe me lista që nuk plotësojnë kuotën gjinore.
Nënkryetari i KQZ, Denar Biba, theksoi dje se “Gjoba vendoset vetëm për mosrespektimin e kuotës gjinore, ndërsa për mosrespektimin e kërkesave të tjera është miratimi ose refuzimi”. Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj, kërkoi sqarime për rastet kur partitë politike refuzojnë të korrigjojnë listat.
PANORAMA
Add new comment