Paketa antikorrupsion kritikohet nga OSBE dhe DASH, Qeveria nuk tërhiqet

Postuar në 04 Dhjetor, 2013 14:45

Shtohen zërat kundër paketës ligjore antikorrupsion, por qeveria nuk tërhiqet dhe ka vendosur që ta miratojë atë në parlament. Përveç misionit amerikan OPDAT, dje është bërë publike dhe një letër e OSBE-së, e cila e konsideron këtë paketë ligjore si një hap prapa në rrugën e luftës kundër korrupsionit në vend. Pavarësisht thirrjeve të këtyre aktorëve ndërkombëtarë për ta tërhequr këtë nismë, mazhoranca ka startuar dje debatin parlamentar për propozimet që përmbajnë dy projektligjet që përbëjnë këtë paketë, pra ndryshimet e paraqitura në Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin antimafia.

Letra

OSBE vëren se në përgjithësi ndryshimet e propozuara nuk rrisin efikasitetin në luftën kundër fenomenit të korrupsioni, përkundrazi sipas saj, ato shënojnë një hap pas në këtë drejtim. “Pas një rishikimi të hollësishëm të draftit të sipërpërmendur, Prezenca doli në përfundimin se, miratimi i pjesës qendrore të ndryshimeve, transferimi i kompetencave Gjykatës së Krimeve të Rënda, do të thoshte, në fakt, një hap mbrapa në luftën kundër korrupsionit. Në këtë pikëpamje, dëshirojmë të theksojmë se situata aktuale në luftën kundër korrupsionit është në thelb jo edhe aq shumë një problem që lidhet me legjislacionin, por me moszbatimin e kuadrit ligjor ekzistues. Prandaj, dëshirojmë të përsërisim se zgjidhja mund të mos konsistojë në një reformë thjesht ligjore”, – thuhet në letrën që OSBE i dërgon kryetarit të komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Më tej duke evidentuar faktin e nevojës së një konsultimi të gjerë për këto nisma, letra vijon: “Më lejoni, gjithashtu, të theksoj faktin se propozimet e ndryshuara janë tregues i rëndësisë së përgatitjes me kujdes të dokumenteve të politikave që konsultohen gjerësisht edhe përpara se të përcaktohet gjuha e përdorur në to”.

Reagimi

Por, pavarësisht kundërshtimit edhe të OSBE-së, qeveria nuk ka lëvizur aspak nga qëndrimi i saj për t’i shkuar kësaj çështjeje deri në fund. Ministri i Drejtësisë teksa iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të mazhorancës, ka theksuar se ata që do ta zbatojnë ligjin janë prokurorët dhe gjyqtarët, duke lënë të kuptohet se partnerët ndërkombëtarë s’kanë pse të shqetësohen për zbatueshmërinë e këtyre ndryshimeve. “Unë do t’i falenderoj të gjithë partnerët për ndihmën dhe kontributin që japin, por në fund të fundit, janë prokurorët dhe gjyqtarët ata që do të zbatojnë ligjin. Ata nuk mund ta kuptojnë që një prokuror me presionin më të vogël mund ta dorëzojë detyrën në Vlorë dhe thotë të vijë ai nga Tirana, sepse unë nuk e bëj dot. Nuk besoj që përqendrimi në një dorë do të ketë ndikim politik”, – tha Naço. Ndërkohë që qëndrimin kundërshtues të opozitës ai e konsideroi pasojë të frikës që ka ajo pikërisht nga zbatimi i këtyre ndryshimeve. “Në luftën kundër korrupsionit, themelor është vullneti politik. Kësaj mazhorance nuk i mungon vullneti politik, prandaj e ka nisur dhe prandaj kjo paketë është e kundërshtueshme sepse është radikale. Është radikale sepse duam të kapim kohën e humbur, të kapim këto 20 vjet që jemi zvarritur, prandaj ka edhe kundërshtime”, – tha Naço duke folur dje para komisionit të Ligjeve për këto dy nisma.

“Prezenca doli në përfundimin se miratimi i pjesës qendrore të ndryshimeve, transferimi i kompetencave Gjykatës së Krimeve të Rënda, do të thoshte në fakt një hap mbrapa në luftën kundër korrupsionit. Në këtë pikëpamje, dëshirojmë të theksojmë se situata aktuale në luftën kundër korrupsionit është në thelb jo edhe aq shumë një problem që lidhet me legjislacionin, por me moszbatimin e kuadrit ligjor ekzistues”

Komisioni i Ligjeve fton grupet e interesit të japin vlerësime për “antikorrupsionin”

Megjithëse deri më tani nuk ka treguar asnjë shenjë tërheqjeje të paketës antikorrupsion, mazhoranca po kërkon rrugë të reja për të hapur në këtë fazë një debat të gjerë lidhur me ndryshimet e propozuara në këto dy ligje. Kështu, komisioni i Ligjeve, nisur pikërisht edhe nga konstatimet e OPDAT dhe OSBE se këto nisma janë të pakonsultuara, ka krijuar një hapësirë në faqen zyrtare në internet të Kuvendit për të gjithë ata aktorë apo grupe interesi që të japin vlerësimet e tyre apo të bëjnë propozime shtesë në lidhje me përmbajtjen e këtyre nismave. “Në kuadër të frymës së bashkëpunimit të Kuvendit të Shqipërisë me aktorët e shoqërisë civile dhe opinionin publik në përgjithësi, në faqen zyrtare të institucionit, www.parlament.al, komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, do të nisë procedurën e shqyrtimit të projektligjeve. Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, duke konsideruar të rëndësishëm çdo kontribut tuajin në procesin e diskutimit, vlerësimit dhe miratimit të këtyre iniciativave ligjvënëse, është i hapur për t’i mirëpritur ato me komente të drejtpërdrejta në këtë faqe, apo me komente me shkrim të depozituara pranë Komisionit”, – thuhet në njoftimin e komisionit të Ligjeve.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.