Paditet ish-zv/drejtori i ARSH, dëm 1.24 mln $ për aksin Tiranë-Elbasan.
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/28/6792_cache-210-166-strict-144621_1.jpg?itok=WMgoJHRN)
Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas përfundimit të auditimit të ndërtimit të rrugës “Tiranë-Elbasan”, ka kalllëzuar në Prokurori ish-zëvendësdrejtorin e Autoritetit Rrugor, Skënder Çota, pasi sipas KLSH, ky i fundit me veprimet apo mosveprimet e tij, ka favorizuar një operator ekonomik kundrejt një tjetri, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik, prej rreth 134 milionë lekësh ose mbi 1.24 milion dollarë.
Sipas KLSH-së janë evidentuar gjatë auditimit një sërë shkeljesh nga ana e ish-zëvendësdrejtorit Çota sa i përket disiplinës financiare dhe ligjore. Në komunikatën për shtyp të KLSH, theksohet se Çota ka nënshkruar, në kundërshtim me dispozitat përkatëse ligjore e nënligjore, ndryshimin e kontratës së lidhur për ndërtimin e tunelit të Krrabës pa realizuar paraprakisht procedurat përkatëse të prokurimit.
Në këtë mënyrë siç thekson KLSH, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARSH) nuk ka patur asnjë justifikim ligjor në nënshkrimin e kontratës së mirëmbajtjes me operatorin ekonomik fitues të tenderit të ndërtimit të tunelit, ndërsa procedurat e ndjekura nga ky institucion kanë shmangur konkurrencën për ndërtimin e tunelit të Krrabës.
Po ashtu nga verifikimi i punimeve për segmentin rrugor Sauk-Tuneli i Krrabës dhe Tuneli i Krrabës-Elbasan, nuk janë bërë plotësisht punimet. Ndër të tjera është konstatuar se kontratës së ndërtimit të tunelit i janë realizuar disa ndryshime, në kundërshtim me përcaktimet e kontratës, duke shkaktuar dëm ekonomik me vlerë 12,233,970 lekë.
Një tjetër shkelje konstatuar është edhe blerja e 10 automjeteve për kryerjen e punimeve, por pagesa e kryer për këto automjete është bërë pa asnjë dokument justifikues të shpenzimit të kryer
Po nga auditimi i kontratave të ndërtimit të segmenteve rrugorë Sauk-Tunel dhe Tunel-Elbasan, rezultoi se janë kryer pagesa për shpenzimet e udhëtimit të stafit të mbikëqyrësit të punimeve pa dokumetacion justifikues përkatës.
Një tjetër shkelje e rëndë e evidentuar nga KLSH është edhe ndryshimi i planit të financimit, pa dijeninë e Ministrisë së Financave. Po ashtu shkelje tjetë është realizimi i punimeve në segmente të shkëputura nga njëri tjetri. Si dhe gjithashtu nuk janë marrë masa për parandalimin e aksidenteve, kryesisht në këtë segment rrugor.
Add new comment