Përplasja maxhorancë-opozitë për reformën territoriale

Postuar në 10 Janar, 2014 03:44

Reforma e re administrative-territoriale duket se do të jetë përplasja e radhës mes mazhorancës dhe opozitës. Palët ndajnë qëndrime të kundërta sa i përket kritereve dhe metodologjisë që do të ndiqet për këtë proces. Për opozitën kjo nismë e qeverisë është e njëanshme pasi ky proces duhet të kalojë përmes një komisioni bipartizan. Lëvizja Socialiste për Integrim thotë se duhet hequr dorë nga praktikat bipartizane dhe proçesi nuk duhet paragjykuar. LSI përmes numrit dy, Petrit Vasili e sheh të domosdoshme reformën e re administrative territoriale për disa arsye. Ai e fton opozitën të shfrytëzojë çdo hapësirë në kuvend me qëllim përmirësimin e kësaj reforme. “Reforma administrative shkon përtej minorancave dhe mazhorancave të momentit që e pjellin, e parë si një instrument taktik, politik për një çështje elektorale të caktuar ka bërë një arsyetim thellësisht të gabuar në dëm të tij dhe të shqiptarëve”, tha nënkryetari i LSI-së. Për Vasilin vendi ka nevojë urgjente për një reformë të tillë,për të cilën thotë se nuk duhet trajtuar si problem elektoral e aq më pak si forcë kartonash në kuvend.

Mirëpo opozita tregohet skeptike dhe këtë e lidh dhe me prishjen e një konsensusi të gjerë mes palëve të vendosur për reformën zgjedhore. Me ndarjen aktuale territoriale Shqipëria ka 385 njësi të qeverisjes vendore, mes të cilave 65 bashki, 308 komuna dhe 12 qarqe. Opozita propozon që procesi i reformës administrative territoriale të jetë bipartizan dhe dhe reforma të hartohet nga Kuvendi, jo nga zyrat qeveritare. Për këshilltarin Ferdinand Poni, mazhoranca duhet të japë prova të qarta për largimin e saj nga paligjshmëria dhe cenimi i kompetencave të pushteti vendor. Edhe pse opozita është e vetëdijshme për numrat e qeverisë në Kuvend, Poni thekson se ndarja administrative territoriale cenon reformën zgjedhor dhe mazhoranca nuk mund të përdorë forcën e kartonave pasi në këtë mënyrë prish konsensusin për kodin zgjedhor.

Qeveria ka nisur tashmë procesin e konsultime për reformën administrative territoriale, me synim përmbylljen e saj para zgjedhjeve vendore të vitit 2015.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.