Një ditë pas përmbytjeve në Lezhë, tokat dhe banesat nën ujë

Postuar në 19 Nëntor, 2014 06:02

Një ditë pas përmbytjeve që shkaktuan shirat e dendur dhe intensiv në rrethin e Lezhës, situata paraqitet e qetë, por dëmet janë të mëdha. Të gjitha strukturat e Shtetit janë në Lezhë, ministrat Tahiri e Kodheli kanë mbledhur në prefekturë drejtuesit vendorë, ndërsa forcat e ushtrisë po ndihmojnë banorët e prekur nga faqkeqësia natyrore.
 
Në të gjitha shkollat e Lezhës sot është ndërprerë mësimi pasi ka patur prezencë uji në oborret dhe katet e para të tyre. Ndërsa në fshatra me dhjetëra banesa janë nën pushtetin e ujit e mbetjeve inerte të lumenjve. 

Kështu në fshatin Ishull-Lezhë dhjetëra shtëpi janë të pabanueshme. Në fshatin Barbullojë po kështu situata është kritike dhe banorët po “luftojnë” për të shpëtuar bagëtinë dhe ato pak orendi që kanë mbetur pa u përmbytur. Në lagjen “Nënë Tereza” të qytetit të Lezhës ka prezencë të madhe uji, ndërsa në lagjen “Besëlidhja” zjarrfikëset kanë arritur të thithin ujin paraditen e sotme dhe banorët po lëvizin normalisht.
 
Fatmirësisht hidroveret janë vënë në punë mëngjesin e sotëm pas përmbytjes së mbrëmshe të kabinës elektrike. Po punojnë me kapacitet të plotë hidrovori i Balldrenit dhe ai i Shëngjinit, ndërsa është jashtë funksionit hidrovori i Tales.

Sipas Drejtorisë Arsimore, është pezulluar mësimi dhe zjarrfikëset po punojnë për thithjen e ujit. Po kështu i gjithë qyteti po përballet me mungesën e ujit të pijshëm, për shkak të mungesës së energjisë elektrike në stacionin e pompave.

Ndërsa në fshatin Manati situata është edhe më e rënduar. Për shkak të vërshimit të përrenjve malorë, pirgje me inerte kanë zaptuar tokat bujqësore, kanalet kulluese dhe rrugët e këtij fshati. Atje është vendosur ushtria e cila po iu vjen në ndihmë banorëve të zonës.
 
Ende nuk është marrë vendim për lidhur me dëmshpërblimet për dëmet që janë të shumta.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.