Nishani vlerëson programin e Qeverisë ‘Rama’: Ambicioz, dëshmon vullnet për reformat

Presidenti Bujar Nishani vlerëson programin e Qeverisë ‘Rama’ duke e cilësuar atë ambicioz me qëllim përafrimin e standardeve. Në pritjen e përvitshme me Trupin Diplomatik të akredituar në Tiranë me rastin e Vitit të Ri, Kreu i Shtetit theksoi se pavarësisht mosmarrjes së statusit kandidat në Dhjetor 2013, shqiptarët nuk kanë dilemë se integrimi europian mbetet përparësi e padiskutueshme, pa alternativë konkuruese. “Shqiptarët meritojnë të jenë evropianë me të gjitha efektet. Ne duhet të vijojmë reformat dhe të provojmë se jemi sa të përgjegjshëm, të gatshëm e të aftë të plotësojmë kushtet dhe detyrat që të arrijmë qëllimin stategjik, integrimin në BE. Në përpjekjen për këtë qëllim, do të bashkëpunojmë me miqtë, partnerët dhe aleatët tanë evropiane dhe në SHBA që kanë shfaqeur zemërgjerësi dhe besim ndaj Shqipërisë. Ne konsiderojmë integrimin evropian si një proces reformash dhe sfidash”, u shpreh Nishani në prani të diplomatëve të huaj të akredituar në Shqipëri.
Zgjedhjet
Duke u ndalur në zhvillimet e vitit 2013, Presidenti vlerësoi se zgjedhjet e 23 Qershorit ishin një test i pjekurisë së politikës shqiptare dhe dëshmuan respekt për liritë themelore. “Ju i dhatë një ndihmesë të paçmuar zhvillimit paqësor të zgjedhjeve dhe kalimit të qetë të pushtetit, duke shënuar një përparësi domethënëse në Shqipëri. Raporti i OSBE/ODIHR doli në përfundimin se zgjedhjet ishin konkuruese, me pjesëmarrje”, vijoi më tej Kreu i Shtetit. Sipas tij, institucionet shqiptare kanë cmuar këshillimin dhe ekpertizën e dhënë nga OSBE/ODIHR për zgjedhjet, duke shtuar se rekomandimet e OSBE/ODIHR janë udhërrëfyesi i punës sonë për përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve të ardhshme. “Shqipëria pati arritje të konsideruaeshme dhe dëshmoi vullnet në vijueshëmrinë e reformave për integrimin evropian të merituar”, u shpreh Presidenti.
Bashkëpunimi
Gjithashtu Nishani vlerësoi lart marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe vendeve partnere, sikundër falenderoi përfaqësuesit e Trupit Diplomatik për punën e bërë në promovimin e paqes. “Vlerësoj lart rezultatet e përpjekjeve tona të përbashkëta dhe ju siguroj për përkushtimin për vazhdimin e këtij bashkëpunimi në të mirë të vendeve dhe popujve tanë”, u shpreh Nishani.
Një tjetër vlerësim sipas Presidentit është bashkëpunimi me vendet e rajonit. “Ne vlerësojmë bisedimet Kosovë-Serbi, Prishtina dhe Beogradi po dëshmojnë sesi mund të lihet mënjanë e kaluara problematike për të ardhmen. Kosova ka bindur dhe skeptikët se është faktor paqeje në rajon. Ne do të vazhdojmë të mbështesim njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe do të kërkojmë përfshirjen e saj në nisma rajonale e më gjerë”, tha Nishani. Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit u shpreh se në rajonin tonë kemi crrënjosur mosbesimin, por duhet të rrënjosim besimin. Dhe për ta realizuar këtë, sipas Nishanit, duhet të ndërtohen korridoret e infrastrukturës, por dhe ato kulturore, arsimore, etj. “Qasja rajonale e Shqipërisë është e pandryshuar. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten prioritet të politikës së jashtme, të dëshmuara edhe në praktikë. Shqipëria ka mbëshetur dhe do të mbështesë faktorin shqiptar në rajon, si dhe integrimin ku ky faktor është i pranishëm”, tha Nishani. Sipas tij, zbatimi i projektit TAP shënon një fazë të re për sigurinë dhe sektorin energjetik për rajonin dhe BE. Ndërsa, Korridorin 8 Presidenti e cilësoi si një sfidë ambicioze.
Në fjalën e tij, Presidenti paralajmëroi se në funksion të bashkëpunimit, në Shqipëri do të vijnë për vizita zyrtare Presidenti i Bullgarisë, Austrisë, Italisë dhe Kosovës, sikundër dhe vizita të tjera të rëndësishme janë në proces. Nishani theksoi se gjatë vitit të kaluar jemi përpjekur të zgjerojmë marrëdhëniet dy e shumëpalëshe. “Vizita në Izrael ishte një shembull sesi mund të zgjerohen këto marrëdhenie. Veprimtaria jonë diplomatika ka qenë më instensive me SHBA e Kanada, Japoninë e Kinën dkuke bërë që të njohin rritje të mëtejshme. Aksioni për njohjen e Kosovës ka nevojë për më shumë dinamizën”, u shpreh Nishani.
NATO
Në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Nishani theksoi se vendi ka dhënë prova se është anëtare e denjë e Aleancës së Atlantikut. “Siguroj se Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë me partnerët dhe aleatët e saj, vecanërisht pranë mikut të saj, SHBA, në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në botë. Shqipëria dhe shqiptarët i detyrohen popullit amerikan. Asnjë sfidë nuk mund të cënojë partneritetin dhe miqësinë 1 shekullore me SHBA”, theksoi Nishani. Sipas tij, me hyrjen në NATO, sjelljen e shqiptarëve pas liberalizimittë vizave, Shqipëria ka treguar se di të përmbushë detyrimet dhe se ka përvojën për të drejtuar institucione të rëndësishme ndërkombëtare. “Shqipëria ka kapacitete për të drejtuar institucione të rëndësishme. Është çasti të përcaktohet koha kur Shqipëria të marrë drejtimin e radhës së OSBE”, theksoi Nishani.
Tema
Add new comment