Nishani: Anëtarët e KQZ-së nuk duhet të ndikohen nga presionet politike. Palët duhet të njohin rezultatin

Problemi i vetëm dhe sfida e vetme për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme mbetet përmirësimi i kulturës politike mes palëve politike. Kështu ka konstatuar kreu i shtetit Bujar Nishani gjatë një interviste në televizionin “Channel One”.
Sipas kreut të shtetit, ndonëse temperatura politike do të vijë në rritje gjatë ditëve në vazhdim, partitë duhet të tregojnë përgjegjshmëri, për tu fokusuar më tepër në modelet e programeve që ata ofrojnë për qytetarët shqiptarë sesa në tensionimin e panevojshëm të klimës. Në gjykimin e tij vetë shoqëria shqiptare është shumë më e maturuar në krahasim me zgjedhjet e mëparshme dhe do tu imponohet me çdo kusht politikanëve për të transmetuar një sjellje të pranueshme politike.
E ndërsa institucioni për administrimin e procesit zgjedhor është përfshirë nga një valë sulmesh nga forcat politike, Presidenti i Republikës ka apeluar të shmangen paragjykimet para kohe për punën e KQZ-së. Nishani vlerësoi se përballë misionit të rëndësishëm që ky institucion ka përpara, atij i nevojitet mbështetje dhe jo presion politik, paçka se anëtarët e tij janë zgjedhur nga politika.
“Anëtarët e KQZ-së kanë marrë përsipër një detyrë të rëndësishme. Ata janë zgjedhur nga politika, por detyra e tyre duhet të bazohet vetëm te misioni që kanë. Anëtarët e KQZ-së nuk duhet të ndikohen nga presionet politike dhe duhet ta bëjnë këtë institucion të funksionojë. Institucioni i KQZ ka nevojë për mbështetje, duhet të kemi një KQZ me standarde sa më të larta. Të mos bëhemi para kohe gjykues për punën e KQZ-së, duhet të ketë besim mes palëve politike. Janë të gjitha mundësitë që zgjedhjet e ardhshme të jenë brenda standardeve. Forcat politike duhet të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të drejta. Ne te kundërt sa kohë nuk ekziston një besim konsoliduar mes palëve natyrisht që do mbetemi në këtë model që kemi” deklaroi Nishani. Kreu i shtetit ka theksuar se politika duhet të ndërgjegjësohet dhe të pranojë rezultatin final.
“Së pari e urojmë të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Së dyti besoj se janë të gjitha mundësitë. Pjesa e parë zgjedhore ka të bëjë me infrastrukturën, siç janë listat. Me mënyrën që kemi baza dhe burimi janë të sigurta, procesi korrektues është në dispozicion të qytetarëve për tu verifikuar dcdo mangësi. Një element tjetër që ka pësuar ndryshim pozitiv janë dokumentet e identifikimit. Tashmë si pasaporta dhe karta e identitetit janë elementë të sigurt dhe të pamanipulueshëm. Një element tjetër është procesi i numërimit të votave. Sfida kryesore mbetet kultura politike, e palëve politike. Qytetarët shqiptarë e kanë deklaruar se janë qytetarë që sillen në mënyrën më të mirë të mundshme, pjesa tjetër mbetet mes palëve politike, shpresoj të shmangin një fushatë negative dhe së fundi secila nga palët të ndërgjegjësohet për pranimin e rezultatit, cilido qoftë ai”, ka thënë Nishani.
SHQIP
Add new comment