Nis rikapitalizimi i bankave greke. FMN: Ende rrezik falimentimi

Postuar në 06 Prill, 2012 05:41

Nga kryeqyteti i Qipros ku zhvilloi një vizitë zyrtare, kryeministri grek Lukas Papadhimos deklaroi se “rikapitalizimi i bankave do të fillojë menjëherë, me vendimin e qeverisë më 20 prill dhe pritet të përfundojë në fillim të shtatorit”.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin qipriot Dimitris Christofias, Papadhimos deklaroi nga Nikozia se “nuk ka asnjë ditë për të humbur dhe për t’u rilaksuar” duke shtuar se programi i ri ekonomik përmban reforma dhe masa të tjera, zbatimi i të cilave do të shpjerë gradualisht në rimëkëmbjen e ekonomisë. 

Papadhimos shprehu sigurinë se qeveria e tij, por edhe pasardhësja, do të vazhdojnë marrjen e masave shtesë për të përballuar kufizimin e likuiditeteve në sistemin bankar dhe për të mbështetur punësimin, me qëllim që të përshpejtohet procesi i rimëkëmbjes ekonomike. 

Parashikimet e organizmave ndërkombëtarë, tha Papadhimos, shpien në konkluzionin se në 2013 do të ketë shenja të dukshme të rimëkëmbjes ekonomike dhe pas dy vitesh pritet që ritmet e zhvillimit të jenë pozitive, të nivelit 2,5–3%. 

“Ndërsa sot shumë njerëz nuk shohin “dritë në fund të tunelit”, me zbatimin e përpiktë dhe eficent të programit ekonomik dhe përmbushjen e gjithë masave plotësuese, mund të presim që pas një viti e gjysmë ekonomia greke të rikthehet gradualisht në kursin e zhvillimit”, siguroi Papadhimos.

* * *

Ndërkaq FMN nuk e ka hequr rrezikun e falimentimit të Greqisë. 

Drejtoresha e Përgjithshme e FMN, Christine Lagarde tha në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan CBS, se “nuk ka asnjë siguri që Greqia do të shmangë daljen e detyruar nga eurozonës dhe euros”.

"Është shumë e nevojshme që qeveria të rezultojë në zbatimin e programit të miratuar për ndryshimet dhe reformat strukturore për të cilat Greqia ka rënë dakord", tha drejtoresha e përgjithshme e FMN-së.

Znj Lagarde tha se "ka ende masa që do të merren dhe kjo vlen jo vetëm Greqinë, por disa vende evropiano-jugore dhe gjithashtu edhe për në Irlandë." 

"Zgjedhjet në Greqi janë burim i pasigurisë për zbatimin e programit," tha zëdhënësi i FMN-së, Jerry Rice, duke shtuar se "pasiguria nuk është vetëm për Greqinë, por për çdo vend hyn në zgjedhje në një periudhë të tillë".

 

Anila Jole

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.