Nis "fshesa" në Greqi. Pranga emigrantëve

Greqia rifillon operacionin "fshesa" për dëbimin e emigrantëve klandestinë. Uniformat blu greke me qen policie filluan spastrimin në qendër të Athinës duke arrestuar emigrantët e paligjshëm, si pjesë e masave të fundit qeveritare për të trajtuar problemin e emigracionit klandestin.
Qeveria njoftoi më herët këtë muaj se do të ndërtojë qendra pritjeje për dhjetra emigrantë të paligjshëm që kanë vërshuar në kryeqytet ku sipas policisë kanë formuar geto dhe në shumë raste jetojne në apartamente të mbipopulluara në kushte të rënda dhe aspak higjenike.
Veprimet e policisë vijnë si kundërpërgjigje ndaj ankesave të vazhdueshme të banorëve të Athinës. Vitin e kaluar situata ka arritur pikun pasi emigrantët shpesh kanë qenë viktima të sulmeve të vazhdueshme raciste nga grupe ekstremiste të djathta.
Në prag të zgjedhjeve të parakohshme që priten në muajt e ardhshëm, ministri i Mbrojtjes Civile Mihalis Krysokoidis tha se qendra pritjeje me akomodim adekuat dhe kushtet higjenosanitare do të ndërtohet në kazermat e vjetra të ushtrisë në pjesë të ndryshme të vendit. Atje ata do të jenë në gjendje të aplikojnë për azil ose do të deportohen në vendet e tyre. Por banorët e zonave të propozuara për ngritjen e qendrave gjithashtu kanë shprehur kundërshtimin e tyre.
Greqia konsiderohet si portë drejt Europës për emigracionin e paligjshëm e problemi është përkeqësuar me krizën e tanishme ekonomike, kur vendet e punës dhe fondet janë të pakta.
Albanian Screen
Add new comment