Nafta, faji i qeverisë

Krahasuar me një vit më parë, çmimi i naftës dhe benzinës është rritur me ritme të larta për konsumatorët në mbarë botën, por masa e rritjes ndryshon fort nga njëri vend në tjetrin.
Prestigjozja "The Economist" publikoi pak ditë më parë një grafik, i cili krahason se si kanë ndryshuar çmimet me pakicë të benzinës në 28 vende të ndryshme krahasuar me një vit më parë. Grafiku tregon se rritja e cmimit varion nga 3 për qind në Zvicër, në 18 për qind në Itali. Në Francë madje çmimet e karburanteve për qytetarët janë ulur. Diferencat e forta në rritjen e çmimit shpjegohen me faktin se qeveri të ndryshme ndjekin politika të ndryshme, për t’u për përballur me krizat e naftës, kryesisht përmes taksave.
Por cfarë ka ndodhur në Shqipëri? Krahasuar me marsin e vitit të kaluar çmimi i benzinës në tregun vendas është rritur nga 170 lekë në 198 lekë për litër. Mesatarisht rritja është rreth 16.5 për qind, çka e vendos Shqipërinë në majën e listës së vendeve me rritjen më të fortë të çmimit të karburanteve. Dhe më shumë se gjysma e kësaj rritje ka ardhur nga qeveria, e cila në qershor të 2011 vendosi mbi karburantet një taksë të re fillimisht 5 lekë për litër, por që në janar u rrit sërish në 7 lekë për litër, duke u transferuar e gjitha si rritje çmimi për qytetarët.
Analizë
Që nga viti 2005, çmimi i karburanteve në tregun vendas është rritur me mbi 2 herë nga 85 deri në 90 lekë për litër që ishte në 185 që ka arritur aktualisht. Përgjatë kësaj kohe qeveria shqiptare ka ndjekur gjithmonë një politikë liberale dhe jo vetëm që nuk ka ndërhyrë asnjëherë për të frenuar rritjen e cmimit, por përkundrazi ka rënduar barrën fiskale.
Historia nisi me akcizën, e cila në vitin 2005 ka qenë e fiksuar në nivelin 27 lekë për litër. Që nga ajo kohë qeveria e ka rritur dy herë atë duke e çuar atë në 37 lekë për litër, që është dhe niveli aktual. Ky ishte vetëm hapi i parë që u pasua nga të tjerë, gjithmonë në të njëjtin kah atë të rritjes së barrës. Pas akcizës, qeveria rriti taksën e karbonit nga 1 në 3 lekë për liter dhe së fundmi vendosi edhe taksën e re të qarkullimit me 7 lekë për litër.
Në total barra fiskale mbi karburantet është rënduar fort me rreth 25 lekë për litër krahasuar me 2005-ën, pa përfshirë taksat shtesë që qeveria merr nga rritja e çmimit. Argumenti ka qenë gjithmonë i njëjtë ai i ndotjes, por edhe filozofia e transferimit të barrës nga të ardhurat tek konsumi. Ndoshta kjo mund të funksionojë për sa kohë nafta e shtrenjtë nuk fillon të dëmtojë ekonominë. Por tashmë që çmimi ka kërcyer në 200 lekë për litër, gjërat mund të jenë ndryshe. Ndërkaq në tremujorin e katërt, industria, sektori që përdor më shumë karburantet u tkurr sipas INSTAT me rreth 6 për qind në terma vjetorë, ndërsa bujqësia u rrit me vetëm 2 për qind.
top-channel.tv
Add new comment