Në pritje të opinionit të KE, Shqipëria shanse minimale për statusin

Postuar në 25 Shtator, 2011 05:14

Edhe pas propozimit të paktit për Shqipërinë si Europa nga Kryetari i opozitës, shanset që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat duket të jenë minimale, për të mos thënë, që do të jetë një tjetër shans i humbur.
Kjo pasi qëndrimet e palëve mbeten ende larg kompromisit.
Vlen të theksohet se dialogu politik është një nga kriteret bazë për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Pak ditë më parë shefi i opozitës Edi Rama propozoi paktin për Shqipërinë, me dhjetë pika, i të bazuar në 12 rekomandimet e Komisionit Europian.
Propozimet e kryesocialistit Rama kanë të bëjnë me votimin konsensual të reformës parlamentare; ngritjen e komisionit ad hoc për të miratuar brenda muajit dhjetor reformën parlamentare me asistencë teknike të OSBE-së; marrëveshje dypalëshe për përfundimin e Reformës Zgjedhore brenda marsit të vitit 2012 bazuar mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it; konsensus për zgjedhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë,dhe zgjedhjen kandidatit të përzgjedhur nga Presidenti i Republikës për detyrën e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë; zgjedhjen me konsensus të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi propozimin e Presidentit; zgjedhjen me konsensus të Avokatit të Popullit; ngarkimin e Komisionit të Ligjeve për trajtimin në një proces të hapur e transparent të çdo çështjeje që lidhet me ligjet që kërkojnë 3/5-at e votave të Kuvendit; dakortësi për kufizimin e imunitetit parlamentar me konsultime të gjera dhe asistencë ndërkombëtare dhe ngritjen e një tryeze për rishikimin e Kushtetutës me përfshirjen e Komisionit të Venecias; kërkesë ndaj Prokurores së Përgjithshme për zbardhjen e plotë të tragjedisë së 21 janarit, si dhe të hetimit të të gjithë personave me imunitet parlamentar ose me detyra të tjera shtetërore që kanë rezultuar të përzier me botën e krimit të dala në dritë këto, përmes kabllogrameve të publikuara nga Wikileaks; si dhe pika e fundit e paktit ka të bëjë me balancimin e Bordit të Televizionit Publik Shqiptar dhe zgjedhjen me konsensus të drejtuesit të ri të tij që të garantojë paanshmërinë në informimin e publikut.
Reagimet e ardhura nga kampi qeverisës menjëherë pas propozimit të këtij pakti lanë të nënkuptohet se mazhoranca nuk do të pranojë kushtet e lidershipit socialist.

Këtë e bëri të qartë edhe kryeministri Berisha nga Nju Jorku, i cili theksoi se kushtet e Edi Ramës ishin vërtetimi i faktit se ai do të bllokojë integrimin e vendit në BE.
Komisioni Europian pritet që në 12 tetor, pra pas plot 17 ditësh, të publikojë progres-raportin për Shqipërinë, në të cilin Brukseli do të shprehë qëndrimin e vet edhe për dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat.

Marrë nga noa.al

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.