Mungesa e higjienës në subjektet ushqimore, ASHR gjobit 40 dyqane

Mbi 40 subjekte treg tare janë gjobitur nga Autoriteti Shëndetësor Rajonal gjatë muajit mars për shkak të mungesës së higjienës. Gjithashtu, ky institucion bën të ditur se gjatë këtij muaji janë inspektuar 1500 subjekte në drejtim të higjienës ushqimore.
Në një të tretën e tyre u kapën shkelje të lehta dhe u lanë detyra, ndërsa në të tjerat u vendosën gjobat. Ndërkohë që, drejtoresha e këtij institucioni, Liljana Ramasaço, ka sqaruar se në subjektet e tregtimit, prodhimit dhe paketimit të produkteve ushqimore u kryen 300 analiza nga të cilat 40 prej tyre dolën të papastra. “Për sa i përket aktivitetit të Inspektoratit gjatë muajit mars, mund të themi që janë realizuar rreth 1500 kontrolle në të gjithë subjektet tregtare në lidhje me kushtet higjieno-sanitare në këto subjekte. Nga këto kontrolle janë lënë rreth 1500 procesverbale nga ana e inspektorëve. Janë vendosur 40 gjoba dhe 5 mbyllje provizore për këto subjekte të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet higjienosanitare”, - shprehet Ramasaço.
Gjithashtu, gjatë marsit janë inspektuar dhe 150 institucione të edukimit, si çerdhe, kopshte dhe shkolla. Ndërkohë që ASHR sqaron se, kushtet higjieno-sanitare në to janë përmirësuar në drejtim të kushteve të higjienës. Megjithatë, në disa prej tyre kishte mungesë të materialeve të pastrimit dhe për këtë u sinjalizua Bashkia e Tiranës. “Në shkolla ka pasur disa problematika në lidhje me mungesën e furnizimit me materiale të nevojshme, dizifektantë apo mjete larëse që përdoren në këto shkolla dhe për këtë problematikë është informuar Bashkia e Tiranës”, theksoi drejtoresha.
Ballkanweb.com
Add new comment