Moody's: Borxhi publik rrezik për Shqipërinë

Borxhi i lartë publik që ka Shqipëria e vë përballë një rreziku të nivelit mesatar ndaj falimentimit. Ky parashikim vjen së fundi nga Moody’s, një nga agjensitë e mëdha të vlerësimit të riskut.
Në vlerësimin e Shqipërisë si një vend me një risk mesatar për falimentim luajnë rolin e tyre edhe faktorë politikë. Kriza e gjatë politike, bllokimi i reformave, mosplotësim i 12 prioriteteve të BE kanë sjellë refuzimin për dy vjet rrjesht të aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Ky refuzim dëmton nga mjëra anë imazhin e Shqipërisë në vendet e BE dhe përtej tyre dhe nga ana tjetër largon në një kohë të pacaktuar financimet e BE për vendet që marrin këtë status.
“Tensioni i vazhdueshëm mes partive kryesore politike ka dëmtuar përpjekjet e Shqipërisë për t'u pranuar si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian”, vëren agjensia Moody's në vlerësimin e saj për Shqipërinë. Ajo arrin në përfundimin se rreziqet për faliment janë të dyfishta pasi vijnë nga faktorët ekonomikë dhe nga ato politikë.
Borxhi publik i qeverisë dhe ngadalësimi i ritmeve në procesin e integrimit europian konsiderohen nga kjo agjensi si rreziqet kryesore për mundësinë e shkarjes së vendit drejt falimentimit.
Agjensia Moody's sugjeron “përmirësimin e kapaciteteve institucionale, një gjyqësor efikas dhe luftë më të sukseshme se deri tani kundër korrupsionit” për të mos penguar investitorët e huaj të vijnë në Shqipëri.
Ajo e konsideron marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE një mundësi të madhe për të marrë fondet përkatëse nga BE për zhvillimin e institucioneve, gjë mund të ndikojë për mirë në situatën ekonomike.
Ky parashikim i Moody’s nuk vjen papritur. Sinjalin e parë për kohë të vështira në ekonominë e Shqipërisë e dha në fillim të këtij viti FMN. Në raportin “Një vështrim në ekonominë botërore, 2012”, FMN e rendit Shqipërinë ndër 26 vendet më të rrezikuara nga kriza në eurozonë, që pritet të kenë tkurrje të mëdha të rritjes saj ekonomike” nënvizonte raporti në fjalë. FMN parashikon që Shqipëria këtë vit do të ketë një rritje ekonomike prej 0,5 %, më të ultën në gjithë Europën Juglindore, që pritet ta ketë 0,7 %. Shkakun kryesor për këtë tkurrje të rritjes ekonomike FMN e gjen në transferimin në Shqipëri të krizës së eurozonës dhe sidomos asaj në dy vendet fqinjë, Greqi dhe Itali, partnere kryesore ekonomike të Shqipërisë. Si pasojën më të dukshme dhe më të dëmshme për ekonominë e Shqipërisë FMN paraqet uljen e dërgesave monetare- remitancave- në Shqipëri nga rreth 1 milion emigrantët shqiptarë, në Greqi dhe Itali, dërgesa që prej 20 vitesh kanë qënë karburanti kryesor i rritjes ekonomike të Shqipërisë.
Ballkanweb.com
Add new comment