Ministritë greke në grevë, në pikëpyetje takimi i trojkës

Postuar në 29 Shtator, 2011 05:20

Që prej mëngjesit të ditës së sotme punonjësit e disa ministrive në Greqi kanë nisur një grevë 48 orëshe në shenjë proteste ndaj masave shtrënguese të qeverisë greke.
Nëpunësit e Ministrisë së Financave kanë bllokuar hyrjen e ndërtesës dhe kanë deklaruar se nuk do të lejojnë hyrjen e përfaqësuesve të trojkës europiane, e cila mbërrin sot në Athinë për tu takuar me ministrin e Financave, Evangelos Venizelos.
Në grevë janë përfshirë edhe punonjësit e Ministrisë së Jashtme, asaj të Bujqësisë, Ministrisë së Drejtësisë, Shëndetësisë dhe Punës.
Në një deklaratë për shtyp sindikata e punëtorëve të sektorit publik ka bërë të ditur se që nga sot nis luftën pa kompromis për të mos lejuar qeverinë të zbatojë masat shtrënguese.
Ata e kanë quajtur barbare politikën e qeverisë lidhur me shkurtimin e vendeve të punës, shkurtimin e pagave dhe pensioneve dhe shtimin e taksave.
Ndërkaq pritet që me grevën e punonjësve të administratës publike të solidarizohen edhe nëpunësit e ministrive të tjera, pikërisht në ditën kur trojka europiane do të shprehet lidhur me dhënien ose jo të këstit të 6-të të kredisë për Greqinë.
Marrja e këtij kësti është jetik për qeverinë greke, e cila ka para në arkë për deri në datën 20 tetor.
Ekonomia greke kërcënohet seriozisht nga falimentimi nëse paketa e shpëtimit nuk do të shoqërohet me ndihmën e vendeve të eurozonës.
Një ditë më parë presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barrosi dhe sinjale pozitive nga Brukseli duke thënë se Greqia do të mbetet në zonën euro, pavarësisht krizës që e ka mbërthyer.
Kritike duket edhe situata politike në vend, pasi qeveria Papandreu duket se e ka humbur mbështetjen e shumicës.
Sondazhet i japin një avantazh të dukshëm opozitës greke, e cila ka kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Marrë nga noa.al

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.