Ministria e Energjisë mesazh ngushëllimi për viktimat e Martaneshit.

Ministria e Energjisë i është bashkuar ngushëllimeve lidhur me ngjarjen e ndodhur sot në minierën e kromit në Fushë-Lopë të Martaneshit ku humbën jetën dy minatorë, si pasojë e shembjes së masivit shkëmbor.
Përmes një komunikate për shtyp, Ministria e Energjisë, shpreh ngushëllimet për familjarët e viktimave, ndërsa nënvizon se drejt vendit të ngjarjes është nisur një grup i posaçëm i Repartit të Inspektim, Shpëtim Minierave.
Gjithashtu Ministria bën të ditur se punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa shton se po monitorohen në mënyrë të rreptë kushtet e sigurisë në punë nga ana e subjekteve të licencuara në fushën minerare.
Më poshtë deklarata e plotë e Ministrisë së Energjisë:
Ministria e Energjisë dhe Industrisë shpreh pikëllim për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në minierën e kromit në Fushë Lopë të Martaneshit, ku humbën jetën dy minatorë. Ministria gjen rastin tu shprehë ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe të afërmëve të tyre për këtë ngjarje tragjike.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron se me të marrë njoftim, drejt vendit të ngjarjes janë nisur grupet e posaçme të Repartit të Inspektim, Shpëtim Minierave ndërsa paralelisht, grupet e tjera të ndihmës që ndodheshin në zonë kanë ndërhyrë për të bërë të mundur nxjerrjen e trupave të dy viktimave.
Ngjarja ka ndodhur në minierën e kromit, në galerinë nr.7 të objektit Fushë Lopë, ku operon subjekti “Alba-Co”, me lejen nr.548, datë 06.04.2000.
Pas nxjerrjes së viktimave nga galeritë, drejtuesit e Repartit të Inspektim, Shpëtim, Minierave po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe mënyrën se si ka ndodhur ngjarja.
Add new comment