Migjeni, kur shkruante tekste plot erotikë incestuale...
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/5461_2_196.jpg?itok=mypm-uUM)
TIRANE-Dashuria, përvëlimi, afshi, sevdaja, ashikëria, meraku..., kjo ndjenjë sublime dhe jo lehtësisht (as përfundimisht) e shpjeguesnme në marrëdhëniet mes burrit e gruas, apo mashkullit dhe femrës, ka lindur me jetën e njeriut dhe e ka shoqëruar e vazhdon ta shoqërojë atë pazgjidhshmërisht, sado modele e raporte të reja ndërgjinore kanë sjellë kohërat. Kjo ndjenjë e fortë, dashuri e Haftari, si e shpallte Lasgushi në trajtë dikotomike (por që synon të shprehë simetrinë mes tyre), është identifikuar e shtampuar në figura pafund perëndish e personazhesh të popujve të ndryshëm, qysh në thellësi të kohërave. Është domethënës miti i lashtë kozmongonik grek mbi erosin, përfytyruar si energjia që krijoi prej kaosit botën, pra, si në metaforë, dëshmobet se vet Dashuria ngjizi jetën, që në fakt, përcillet si nyje e kësojshme dhe tek Zanafilla e Dhjatës së Vjetër, për të vazhduar në një mënyrë ose tjetër, dhe tek librat e shenjtë që erdhën më pas.
Por objekt shqyrtimi ne do të kemi novelën e njohur dhe mjaft të diskutuar të Migjenit: "Studenti në shtëpi", jo rrallë dhe të keqinterpretuar (apo të interpretuar në sinkroni me ide paraprake, në shërbim të tezave extraletrare). Në një vështrim, kjo novelë mund të projektohet si paradigmë e kontrastit të mentalitetit provincial të kohës me qytetërimin europian të iluminuar. Këtu bëhet e pranishme dhe parabola e pamundësisë, apo dhe e papërgatitjes ende, e misionarëve të progresit, të cilët, më shumë se nga barrierat që kanë përpara, pengohen nga vetja e tyre, kur e kuptojnë se pa dashur e pa kuptuar, ata janë infektuar me molisjen e krahut përballë, prandaj e ndjejnë se tashmë, me shumë e kanë betejën të përballen me veten e brenda vetes.
Kjo e shpjegon frymën psiko-logjiste, monologiste e persiatëse të shumë prozave të Migjenit, Koliqit,S. Spasses apo dhe esetë e B.Merxhanit, V. Nirvanës, Selaudin Totos etj. Madje kjo novelë që po shqyrtojmë, mund të thuhet se në shumë aspekte, është në simetri konceptuale me novelën "Gjaku" të Koliqit, model që qarkullon dendur si frymë e viteve '30-të, ku del qashtër pamundësia e heroit për ta fituar betejën e premtuar, pasi kundërshtari i tij tashmë është strehuar dhe bartet fatalisht brenda vetes. Këto tekste letrare mund t'i gruponim në tipologjinë e letërsisë ideologjike, e cila e ka në prioritet artikulimin dhe përcjelljen e ideve morale, filozofike, kulturologjike...
Por në këtë novelë të Migjenit do të ndalemi tek vendi specifik që zënë përjetimet e sjelljet erotike. Ky shkrimtar e ka pol të evidentuar në shumë krijime të vetat, në prozë e poezi, këtë ndjenjë apo pasion të thellë, më të hershmin (më të vjetrin) e njeriut. Mund të sjellim në mendje p.sh. poezinë "Balade qytetëse" (me gruen që endet e çmendur rrugëve... me plagë në gjoks e stolisun/ me veshje dhe me shpirt të grisun...), tregimin "A don qymyr zotni?" (me malësoren që rreket sikur ta pranojë pazarin e këtij malli të saj metonimik - ku funksionalizohen në nivel real dhe shenjimi figurativ kontrastues, nxehtësia dhe ngjyra provokuese e larghedhëse e qymyrit), apo poezinë "Kanga skandaloze" (...O murgeshë e zbetë, që çon dashni me shejtënt/ që n'ekstazë para tyne digjesh si qiriu para lterit/ dhe ua zbulon veten... Smirë ua kam shejtënvet...) Sigurisht, këto ikona femërore, nëse mund t'i perceptonim si të tilla këto portrete të galerisë migjeniane, janë fokusuar në tre rrathë apo tre topose emocionale: në qiell (tek mekati virtual), në tokë (tek furia dioniziake), në humnerë (tek degradimi rrëgjues). Sado të nuancura nga pikëpamja kromatike, këto portrete kanë një gjendje të përbashkët: traumatizimin dhe molisjen depresive, që vjen si shkak dhe si dënim prej mosrespektimit të së ndaluarës, me rrënjë që nga miti biblik.
Në novelën "Studenti në shtëpi", e ndaluara, shfaqet në dy nivele marrëdhëniesh: mes Nushit dhe të motrës, si dhe mes Ages me shërbëtorin e shtëpisë, Lulin. Shkrimtari ka synuar t'i japë në mënyrë shumëplanëshe e deri në ekstreme lidhjet ala kurtizane apo dhe ato incestuale. Ato shfaqen me tërë dramën e tyre, si produkt i horizonteve të mbyllura të botës shqiptare, prandaj dhe në fund, në gojën e Nushit, shkrimtari vendor deklarata të denja për tekste (militante) publicistike të natyrës programore: Kështu si unë ia lozin lojën shoqnis me qindra veta në vendin tonë. Prandaj, shoqni, po deshe të mos lozin në kurriz tand, ndrro format. Hiqi bragashat".
Përshkrimi i erotikes brendapërbrenda mureve të mbyllura të një shtëpie të ashpër patriarkale, arkapijat e së cilës Migjeni ka dashur t'i hapë tjetërkund, por së cilës këtupari ka vendosur t'i heqë bragashat, është një lloj diagnostikimi e shtegëtimi letrar në zonat më të thella e njëherësh më të mbuluara, apo të fshehura, të njeriut. Të kujtojmë një fragment nga kjo novelë: "Nushi për motrën ma të madhe ndjente një dashuni të pasun me kujtime fminore. Gjithmonë bashkë. Ndër mbramje të dimnit, kur u duhej me ra me fjetë, tue mërdhitë nga çarçafi i ftohtë i dyshekut, iu aviteshin shoqi-shoqit. Përputheshin trup për trup dhe ndëgjojshin të rrektunat e zemrave të shoqi-shoqit... atëherë ndjejshin pranin' e një gjas' së tretë, të huej, deri atëherë të panjoftun për trupnat e tynë, por që tash, në nxehtësin' e dyshekut, ngjallej, rritej dhe i përkundte në gjumë t'ambël..."
Nisur nga dy linjat: raportet incestuale të Nushit me të motrën dhe lidhjet jashtëmartesore të kësaj të fundit me shërbëtorin e familjes, mund të themi se në novelë projektohen dy blasfemi: njëra si shkak i shkeljes së tabusë në vijë gjaku, e tjetra si shkak i thyerjes se rregullave sociale në linjë të kurorës martesore. Prej këtyre dy tejkalimeve, provokohen dhe gjendjet përkatëse traumatike e depresive të personazheve, prej të cilave burojnë pastaj reagime të tilla si turpi, ndjenja e fajit e neveria, të cilat përcillen në trajtë dykahëshe: në raport me veten e në raport me opinionin, pra, me të tjerët. Rezulton që e njëjta gjendje, të përcillet ndryshe apo e nuancuar në këto raporte. Konkretisht Turpi, është ndjesia e përjetuar në raport me veten dhe marrja (më vjen marre), në raport me të tjerët, që të dyja së toku, si leksema primate, formësojnë në reaksion zinxhir një mori ndjesish variuese.
Pikërisht me përjetimet e personazheve të ndjenjës së turpit dhe të marres, jemi përpjekur sëbashku me kolegun Vyshka të kombinojmë kompetencën letrare dhe atë psikanalitike e neurologjike, pra, të bëjmë një shqyrtim në rrafsh interdisiplinar, për të shpjeguar e interpretuar pasojat e këtyre dy përjetimeve erotike në novelën "Studenti në shtëpi". Kjo lojë e rëndë dhe e fuqishme emocionale, nuk ka brenda vetëm komponentin psikik, ajo kombinohet dhe me komponentin somatik, atë vegjetativ dhe oneirik-ëndërrimtar... Kjo gjë ndodh sidomos gjatë përjetimit të neverisë, të cilën Nushi e provon në formë të ndjesisë së të vjellit; ndryshe nga e motra, e cila shqetësimin e bluan vetëm në rrafshin psikik...
YMER ÇIRAKU, GENTIAN VYSHKA, Ballkanweb.com
Add new comment