Meta takime me homologun në Bundestag: Shqipëria e ka vendin në Europë

Me ftesë të homologut gjerman, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta po zhvillon një vizitë zyrtare në Gjermani.
Takimin e parë Meta e zhvilloi me presidentin e Bundestagut gjerman, Norbert Lammert. Gjatë këtij takimi, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë shprehu angazhimin e mazhorancës së re për ndërmarrjen e të gjitha reformave të nevojshme që shpien vendin më afër Bashkimit Europian, si dhe falenderoi Gjermaninë për mbështetjen që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë në këto vite. Meta tha se shpreson dhe beson tek mbështetja e Gjermanisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. “Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht mbështetjen dhe bashkëpunimin që është ofruar dhe ofrohet nga Bundestagu, si përfaqësuesi legjislativ i një vendi mik me peshë të rëndë e të veçantë në BE. Ne shpresojmë në mbështetjen e Berlinit për miratimin e statusit të vendit kandidat në BE, siç u rekomandua edhe nga Komisioni Evropian. Gjermania ka dhënë një kontribut historik për demokratizimin e Shqipërisë, anëtarësimin e saj në NATO dhe për zhvillimin e saj ekonomik. Në këtë drejtim, ne mbështetemi fuqimisht në përkrahjen e Gjermanisë, të Bundestagut dhe të Presidentit të Bundestagut, Lammert përsonalisht për të avancuar procesin e integrimit europian të vendit tonë dhe të vendeve të tjera të rajonit”, tha Meta.
Gjatë qëndrimit në Berlin, Meta do të takohet me zyrtarë të lartë dhe drejtues institucionesh, për të udhëtuar më pas drejt Brukselit dhe Parisit.
Dita
Add new comment