MERAKU I GJENERALIT

Shefi në largim i EULEX’it, Xavier de Marnhac, thotë se i ka mbetur merak që misioni që e udhëhoqi nuk arriti suksese të kënaqshme në veri të vendit. Por ai shprehet se edhe atje, ashtu sikurse në krejt Kosovën, janë shënuar rezultatet konkrete që e kanë afruar Kosovën me BE’në. Në një intervistë për Express, gjenerali francez beson se dialogu i nisur në Bruksel do të zgjidhë shumë probleme.
Express: Z. Marnhac, ju po largoheni nga Kosova pas më shumë se dy vjet shërbimi si shef i EULEX-it. Çka të mbetet merak që nuk keni bërë gjatë kësaj kohe dhe tash po shkoni nga Kosova?
Marnhac: Ka gjithnjë gjëra që të mbeten merak dhe që nuk mund t’i kryesh në mënyrë ideale ashtu siç ke pritur. Por, unë gjithnjë them se ky është mision për menaxhimin e krizës dhe, përkundër ndikimit të krizës, unë mendoj që kemi arritur shumë.
Mendoj që gjatë këtyre dy vjetëve në Kosovë janë bërë shumë ndryshime. Po përmendi fillimin e dialogut, pastaj përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe për këto Kosova është në drejtimin e duhur. Unë krenohem me fatin që misioni ka qenë në gjendje që t’u përshtatet këtyre ndryshimeve. Këto i kemi bërë së bashku me institucionet e Kosovës. Mendoj se përshtatja më e madhe është rikonfigurimi i misionit në mënyrë specifike për t’iu përshtatur ndryshimeve.
Gjatë bisedave me institucionet e sundimit të ligjit, kam thënë se kemi kaluar prej një procesi të mbikëqyrjes te një proces i partneritetit. Dhe mendoj se tërë ky proces është udhëhequr nga ideja që Kosova t’u afrohet proceseve europiane. Po flas në mënyrë specifike për fushën e sundimit të ligjit.
Tash po i përmend disa nga këto të arritura. Bashkimi Europian ka filluar dialogun për liberalizimin e vizave, po ashtu kemi studimin e fizibilitetit si dhe Komisioni Europian është angazhuar në dialogun për strukturimin në sundim të ligjit. E gjithë kjo është bërë në mënyrë që Kosova t’u afrohet proceseve të BE. Mendoj se e gjithë kjo është bërë që të mbështetet zbatimi i dialogut, ndjekjet penale, hetime, të gjitha këto janë në këtë funksion.
Tash mendoj se institucionet e Kosovës duhet të pohojnë se janë në favor për zbatimin e ligjit, por ta demonstrojnë edhe me raste konkrete. Dhe të gjitha këto punë që bëhen që t’i afrohen BE nuk mjaftojnë, sepse BE-ja dëshiron të ketë një deklarim të saktë në mënyrë që të dëshmohet se me të vërtetë po e bëjnë punën ashtu siç duhet.
Po kthehem te pyetja jote se për çka më vjen keq. Edhe unë kam frustrime. E kryesorja është situata në veri. Unë si shef i misionit them se jemi përpjekur shumë për situatën në veri, e këtë e kemi demonstruar edhe me dënimin e Panteliqit me nëntë vjet burg, por pas ngjarjeve të korrikut 2011 është shumë e vështirë të bëhen hetime në atë pjesë të vendit.
Sa u përket hetimeve që do të përfundonin me ndëshkimin e personave përgjegjës, ajo që kam kuptuar unë është punë e vështirë komplekse dhe nevojitet kohë.
Në këtë rast rolin kryesor do ta luante një partneritet, sepse ne këtu jemi të huaj dhe duhet të ketë partneritet për të kryer hetime të përbashkëta dhe atëherë do të arrihej suksesi.
Askush nuk mund të ketë sukses që të hetojë një rast sikurse një polic apo prokuror i Kosovës.
Express: A mund ta quajmë si dështim të EULEX-it mosshtrirjen e plotë të misionit edhe në veriun e Kosovës?
Marnhac: Ne jemi të pranishëm në veri. Nganjëherë kemi pasur vështirësi në ushtrimin e funksionit në veri, por ne jemi aty, i monitorojmë stacionet policore, kemi personel në Gjykatën e Mitrovicës, e përmenda rastin Panteliq, jemi të pranishëm në vendkalimet në Jarinje dhe Bërnjak, dhe tash që ka filluar zbatimi i marrëveshjes së integruar të kufirit (IBM) jemi më të pranishëm se kurrë së bashku me policët dhe doganierët.
Express: Por barrikadat e serbëve janë ende nëpër rrugë...
Marnhac: Është e vërtetë se lëvizja në veri është e vështirë, nganjëherë edhe ne parandalohemi dhe nuk ka liri të qasjes. E më e vështira është që të kryhen hetime në një ambient të tillë, sidomos pas korrikut të vitit 2011.
Express: EULEX-i nuk ka mundur t’i arrestojë personat që kërkohen madje edhe për vrasje. Nga kush po pengoheni ta kryeni punën?
Marnhac: Ne nuk mund t’i arrestojmë njerëzit pa pasur urdhër nga gjyqtari, vetëm pasi gjykata të ketë dëshmi të mjaftueshme që personi ka kryer një vepër. Kjo është praktikë e Europës, në të kundërtën nëse veprojmë ndryshe do të ishte sikurse regjimi i Millosheviçit.
Express : Por personat për të cilët po flas kërkohen edhe nga Interpoli?
Marnhac: Ne jemi duke i kërkuar dhe është shumë e vështirë ta dimë ku janë. Është vështirë sepse në këto raste duhet të zhvillohen hetime dhe të intervistohen njerëzit dhe hasim në vështirësi, sepse njerëzit atje nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë. Madje edhe jemi kërcënuar dhe kanë shtënë me armë drejt nesh.
Express: Deri kur do të vazhdojë kjo gjendje atje?
Marnhac: Ne shpresojmë se nga dialogu që ka filluar të arrihet ndonjë marrëveshje, në mënyrë që ta kryejmë punën tonë. Por edhe përveç kësaj ne edhe në Bruksel dhe me KFOR-in jemi duke biseduar që ndoshta të vazhdohet me ndonjë mënyrë pak më agresive. Por mendoj se askush nuk është i gatshëm të bëjë diçka të tillë.
Express: Z. Marnhac, në veri nuk janë kthyer gjyqtarët e as prokurorët vendas, përkundër premtimeve se ata do të kthehen. Kur do të ndodhë kjo?
Marnhac: Varet nga një marrëveshje nga të gjitha komunitetet që gjyqtarët dhe prokurorët të kthehen në gjykatë. Ne do të mund ta bënim atë t’i kthenim ata, mirëpo sa do të kishte kuptim ajo nëse do të ndodhnin trazira sikurse në vitin 2008 ose të mbetnin të ngujuar në ndërtesë.
Express: Marrëveshje me strukturat paralele serbe?
Marnhac: Unë e di se kjo është njëra prej çështjeve që do të diskutohet në dialog.
Express: Sa ka punuar EULEX-i në rastet e krimeve të luftës?
Marnhac: Mendoj se janë disa shifra që duhet dhënë dhe t’ia bëjmë me dije edhe publikut. Prej se kur ka filluar EULEX punën janë bërë rreth 2 mijë raste hetimi. I kemi shpallur 400 aktgjykime. Nga këto 400 aktgjykime, 320 kanë qenë vepra penale.
T’i përmend disa raste. 35 kanë të bëjnë me korrupsion, 25 me krime lufte, ndërsa 17 raste me krim të organizuar. Aktualisht jemi duke hetuar 265 vepra penale.
Kur është fjala për krime lufte jam plotësisht i vetëdijshëm për ndjeshmërinë e krimeve të luftës këtu. Në disa raste i kemi përfunduar, disa janë në proces, ndërsa prej rasteve të përfunduar e dini rastin e Sabit Gecit që është dënuar me 15 vjet burg, rastin e Fahredin Gashit, mirëpo janë disa raste edhe kur persona janë shfajësuar dhe kjo është puna e sundimit të ligjit. Disa raste janë duke u zhvilluar si “Grupi i Llapit” që është në rigjykim, pastaj rasti “Bllaca” që nuk ka të bëjë me periudhën e luftës, mirëpo ka lidhje me kohën e luftës.
Express: Kanë ndodhur edhe shumë vrasje pas luftës që janë klasifikuar vrasje politike. A është duke hetuar EULEX-i ndonjërën prej këtyre rasteve?
Marnhac: “Rasti Bllaca” ka të bëjë më shumë me rastet e pasluftës... Ta sqarojmë se është krijuar përshtypja se EULEX-i është duke u marrë vetëm me krimet e kryera ku autorë janë shqiptarët, mirëpo ka raste që jemi duke i hetuar, por që nuk dëshiroj të përmend emra apo të jap ndonjë hollësi. Vetëm mund të them se EULEX-i është duke hetuar një rast ku serbët po hetohen për krime lufte. Po flas për një proces të madh që është masakra e Mejës. Janë dy prokurorë shumë të përkushtuar që nën udhëzimin tim janë duke u marrë me rastin e Mejës.
Express: Ish-gjenerali gjerman i KFOR-it Reinhard ka deklaruar se fajtor për ndarjen e Mitrovicës janë francezët. Ju keni qenë edhe komandant i KFOR-it dhe jeni nga Franca. Si e komentoni këtë deklaratë?
Marnhac: Ndoshta i është referuar përvojës së tij kur ka qenë këtu dhe ndoshta i referohet asaj kohe.... Nuk mund të komentoj se çka ka thënë ai, por mund të them se në kohën sa kam qenë komandant i KFOR-it jemi munduar që ta mbajmë një ambient të qetë dhe të sigurt, jemi munduar ta mbajmë situatën në kontroll, dhe pas trazirave të vitit 2008 jemi përpjekur të mos e lëmë situatën të eskalojë. Kam bërë atë që ka menduar se është më e mira në atë kohë...
EXPRESS
Add new comment