Mbledhja e qeverisë, miratohen disa vendime dhe projektligje

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij të fundit disa vendime dhe p/ligje.
Qeveria përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe të Agjencive Rajonale të Mjedisit. Sipas vendimit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) është institucion qendror publik në varësi të ministrit përgjegjës për mbrojtjen e mjedisit.
AKM-ja ushtron funksionet e ngarkuara nga ligjet “Për mbrojtjen e mjedisit”, “Për lejet e mjedisit”, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, ky vendim dhe çdo akt ligjor dhe nënligjor, i posaçëm. Në vendim përcaktohet se AKM-ja ka pavarësi në marrjen e vendimeve dhe ushtrimin e funksioneve të saj. AKM-ja ushtron juridiksionin e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, përmes zyrës së saj qendrore dhe agjencive rajonale të mjedisit (ARM). AKM-ja, përmes zyrës qendrore dhe ARM-ve, kryen funksione rregullatore për lejet e mjedisit në përputhje me dispozitat e legjislacionit përkatës; monitoron dhe vlerëson gjendjen e mjedisit dhe përgatit Programin Kombëtar për Monitorimin e Mjedisit; përgatit dhe publikon raportin për gjendjen e mjedisit dhe botime të tjera që kanë lidhje me mjedisin; kryen kërkime shkencore që lidhen me mjedisin ose kërkime të tjera për zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionin etj. Agjencitë rajonale të mjedisit, brenda kompetencave që iu njeh ligji, japin lejen e mjedisit të tipit “C”, sipas përcaktimeve në ligjin nr.10431, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”. Po kështu mbajnë dhe përditësojnë regjistrin me të dhëna për instalimet e kategorisë “C”, që ndodhen brenda territorit ku shtrihet fusha e kompetencave të tyre.
Një tjetër vendim i miratuar në mbledhjen e Qeverisë ishte ai për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave.
ISHMPU-ja ka për mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pyjeve dhe ujërave, është përgjegjëse për të gjitha funksionet e inspektimit në fushën përkatëse në përputhje me përgjegjësitë e ministrisë përgjegjëse për mjedisin, ujërat dhe pyjet.
Gjithashtu ISHMPU-ja është përgjegjëse për çdo funksion apo kompetencë tjetër të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi për inspektoratin shtetëror që mbulon fushën e mjedisit. Sipas vendimit,
ISHMPU-ja organizohet në dy nivele: në atë qendror dhe rajonal ku këto të fundit janë për çdo rajon të vendit.
Në një tjetër vendim, Qeveria i ka kaluar në administrim Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave fondin e tokës bujqësore me sipërfaqe 18 076 ha të ish – ndërmarrjeve bujqësore dhe ish – institucioneve kërkimore – shkencore të kësaj ministrie, e cila aktualisht është në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sipërfaqet e tokave bujqësore, do të administrohen sipas ligjit nr.8318, datë 1.4.1988, “Për dhënien me qira të tokës bujqësore e pyjore, të livadheve dhe kullotave që janë pasuri shtetërore”, të ndryshuar, ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik/privat”, dhe vendimit nr.460, datë 22.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, rregullave dhe procedurave të dhënies me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit”.
Qeveria ka miratuar gjithashtu kalimin në përgjegjësi administrimi të mjediseve, nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile dhe Komiteti Shtetëror i Minoriteteve te Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, sipas planimetrive bashkëlidhur këtij vendimi, për t’u përdorur si mjedise pune nga kjo ministri.
Po kështu është miratuar kalendari i menaxhimit të shpenzimeve publike për vitin 2014, si dhe kuadri makroekonomik e fiskal për periudhën 2015 – 2017, sipas lidhjes nr.1, “Treguesit kryesorë makroekonomikë”, dhe lidhjeve nr.2/1 e nr. 2/2, “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
Dita
Add new comment