Mazhoranca harton raportin: Të shkarkohet Xhuka e ILDKP

Kryeinspektorja e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka, do të shkarkohet nga detyra qëmban prej gati 1 viti. Ky është në fakt verdikti i grupit hetimor parlamentar, i cili prej pothuajse një muaji është përpjekur të kontrollojë veprimtarinë ligjore të institucionit të ILDKP-së që nga koha që ai drejtohet nga Xhuka. Burime nga ky grup hetimor kanë bërë të ditur se tashmë është hartuar raporti përkatës, ku Kuvendit i sugjerohet që kryeinspektorja e ILDKP-së të lirohet nga detyra. Propozim ky që sipas grupit që mori përsipër të realizojë këtë hetim, bazohet në një sërë shkeljesh ligjore nga ana e kryeinspektores. Kështu mësohet se në raport janë përfshirë një sërë argumentesh që justifikojnë këtë propozim, duke filluar që nga procedura e zgjedhjes së saj në këtë detyrë një vit më parë vetëm me votat e mazhorancës së atëhershme. Mësohet se grupi i kontrollit ka konstatuar në raport se Xhuka është zgjedhur në kundërshtim me kriteret ligjore, pasi nuk plotësonte kushtet e kërkuar nga ligji. Një tjetër argument i dhënë në këtë raport mësohet se është mosfunksionim i ILDKP-së në përmbushjen e detyrës së tij ligjore, pra hetimi dhe publikimi i kontrolleve të pasurisë së të gjitha subjekteve që kanë detyrimin e deklarimit të pasurisë. Sipas anëtarëve të këtij grupi hetimor, nën drejtimin e Xhukës ky institucion nuk ka përmbushur këtë detyrë, megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë nga deklarimet e pasurive. Një tjetër argument është edhe sjellja e Xhukës në krye të këtij institucioni në raport me vartësit e saj. Kujtojmë këtu se ndaj Xhukës ka patur një sërë ankesash nga vartësit e saj, disa prej të cilave u paraqitën zyrtarisht edhe në Kuvend. Madje mbi bazën e këtyre ankesave prokuroria ka nisur edhe një hetim ndaj saj. Listës së argumenteve mbi të cilat bazohet propozimi për shkarkim i shtohet dhe ai i mungesës totale të bashkëpunimit mes Xhukës dhe Kuvendit. Siç mësohet, një gjë e tillë u konstatua edhe gjatë këtij hetimi apo kontrolli, ku Xhuka nuk pranoi që t’i përgjigjej kërkesave të grupit hetimor. Deputetët që u morën me këtë hetim i nisën asaj fillimisht një shkresë zyrtare për t’i dhënë shpjegime për gati 30 pyetje rreth një sërë çështjesh për të cilat ata kanë shprehur interes. Por kryeinspektorja jo vetëm që nuk u dha përgjigje pyetjeve, por as nuk denjoi të hynte në korrespondencë me Kuvendin. Më pas, siç mësohet, asaj iu nis një letër e dytë, ku i kërkohej sërish që të jepte shpjegime për pyetjet e kërkuara, së cilës ajo iu përgjigj me disa kundrapyetje që kishin të bënin me kompetencën e Kuvendit për ta hetuar atë. Raporti i hartuar tashmë do t’i paraqitet në një nga mbledhjet më të afërta komisionit të Ligjeve, i cili pasi ta diskutojë atë do ia paraqesë kryetarit të Kuvendit. Do jetë ky i fundit që do të vendosë për procedimin më tutje, megjithëse burime nga mazhoranca bëjnë të ditur se nuk përjashtohet mundësia që Xhuka të shkarkohet brenda kësaj jave. Gjithsesi, ligji parashikon që në rastin e shkarkimeve kërkesa duhet të vijë nga një grup deputetësh. Ndaj mbetet për t’u parë nëse propozimi për shkarkim në mënyrë formale do të bëhet edhe nga një grup deputetësh.
MAPO
Add new comment