LSI: Deklaratat e Daçiç, provokime të hapura ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Lëvizja Socialiste për Integrim dënon deklaratat kërcënuese të Kryeministrit serb ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Numri dy i kësaj partie, Klajda Gjosha, ka shprehur keqardhjen për deklaratat e fundit të Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, përmes të cilave kërcënohet popullsia shqiptare e Luginës së Preshevës me heqjen e monumentit dedikuar dëshmorëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
“I cilësojmë qëndrimet e fundit të Kryeministrit Daçiç si provokime të hapura ndaj popullsisë shqiptare të Luginës së Preshevës, të cilat nuk janë aspak në linjë me frymën demokratike të Bashkimit Evropian dhe si tërësisht të panevojshme në kontekstin konstruktiv historik ku ndodhet sot rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Konsiderojmë se shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtat e tyre të pakontestueshme që lidhen me lirinë e shprehjes, mbrojtjen dhe kultivimin e identitetit, kulturës, gjuhës dhe vlerave të tyre kombëtare e historike, ashtu siç sanksionohen edhe nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, dhe shprehim bindjen se ushtrimi i këtyre të drejtave nuk cënon aspak integritetin territorial të Serbisë”, ka thënë Gjosha.
Sipas LSI-së, kërcënimi për kufizimin e këtyre të drejtave, është një sinjal negativ për integrimin evropian të Serbisë. “Kushtëzimi i vazhdimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë me heqjen e monumentit në Preshevë, nuk i shërben aspak klimës së fqinjësisë së mirë dhe mbarëvajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë. Kujtojmë gjithashtu se forcimi i paqes dhe mirëkuptimit në Luginën e Preshevës vjen përmes rritjes së investimeve dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve, jo përmes shantazheve dhe lëndimit që u bëhet ndjenjave kombëtare të shqiptarëve në jugun e Serbisë. I bëjmë thirrje Kryeministrit Daçiç për tërheqje nga deklarata të tilla provokuese, dhe inkurajojmë përfaqësuesit e zgjedhur të faktorit shqiptar në Serbi të reagojnë me përgjegjshmëri dhe pjekuri demokratike ndaj çdo lloj kërcënimi, duke shpresuar njëkohësisht se qetësimi i situatës do t’i shërbente avancimit të axhendës evropiane të të gjithë rajonit”, ka përfunduar Gjosha.
Shqip
Add new comment