Lezhë, maskat godasin sërish i grabisin 2 mln lekë një familjeje.
Ende pa kaluar mirë dy javë nga grabitja dhe terrori që i bënë një familje në Kallmet të Lezhës, maskat kanë grabitur sërish një familje në Lezhë.
Kësaj herë pre e tyre ka rënë një familje në fshatin Lalm i Ri të Komunës Kolsh. Ka qenë ora 04:00 e mëngjesit të së mërkurës kur tre persona të maskuar, por të pa armatosur kanë hyrë në një vilë dy katëshe në pronësi të Gjin Tomës 47-vjeç, duke terrorizuar katër anëtarët e kësaj familje.
Agresorët kanë arritur që të hynë sipër murit rrethues oborrin e shtëpisë nëpërmjet një shkalle dhe më pas nga dritarja brenda në banesa,duke kontrolluar në dhomat e shtëpisë.
Në atë moment pjesëtarët e familjes kanë qenë në gjumë kur kryefamiljari ka dëgjuar zhurmat dhe ka parë tre personat në banesën e tij.
Nën terrorin e ushtruar ata i kanë kërkuar atij që t’ju tregonte se ku kishte paratë dhe sende të tjera me vlerë. Ky i fundit ka tentuar që t’ju bëjë rezistencë, por ka qenë e pamundur pasi është përballur me frikën me agresivitetin e tyre.
Ata kanë kontrolluar gjithçka që ka patur në banesë dhe kanë arritur te gjejnë dhe të marrin 2 milionë lekë të vjetra.
Pasi kanë kryer ‘misionin’ e tyre tre agresorët janë larguar në këmbë, duke përfituar edhe nga errësira në fshat.
Ka qenë kryefamiljari Gjin Toma i cili ka njoftuar policinë e Lezhës në lidhje me ngjarjen, por ndonëse fshati është vetëm 1 km larg komisariatit të Policisë dhe autorët janë larguar në këmbë uniformat blu nuk kanë mundur që të identifikojnë dhe arrestojnë ata
Add new comment