LAMTUMIRË, SHEF

Postuar në 26 Janar, 2013 03:26

 

Jakup Krasniqi paralajmëroi fundin e tij në PDK. Ai tha se nuk do të marrë pjesë në Kongresin Zgjedhor të këtij subjekti. Nëpërmjet një letre publike, Krasniqi akuzoi Thaçin se është shndërruar në sundimtar. Të premten, partisë më të madhe politike në vend iu bashkua Agim Çeku.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi ka vendosur përfundimisht të mos marrë pjesë në Kongresin Zgjedhor të PDK’së, që do të mbahet të shtunën.

Rrjedhimisht, edhe të mbesë jashtë organeve udhëheqëse të Partisë. Pavarësisht se zyrtarë të PDK’së i kanë dërguar një ftesë , Kryeparlamentari ka ndarë mendjen.

Nëpërmjet një letre publike, Krasniqi ka njoftuar të premten se nuk do të jetë pjesë e tubimit përfundimtar zgjedhor të këtij subjekti me arsyetimin se gjithçka ka shkuar mbrapsht.

Me këtë rast ka hedhur akuza të rënda në drejtim të Kryetarit të PDK’së, Hashim Thaçi.

Shefin e PDK’së Krasniqi e ka quajtur sundimtar, të gjithëpushtetshëm duke e akuzuar se e ka shndërruar PDK’në në pronë private.

“Sundimtarët njerëzit i bëjnë: lajkatarë, servilë, të përulur e të padinjitet dhe jo rrallëherë edhe “mish për top””, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se procesi zgjedhor në PDK është bërë vetëm për të kënaqur Hashim Thaçin, por jo edhe Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Të gjitha këto sa u thanë, përfshirë edhe zgjedhjet e fundit partiake jashtë çdo norme statuti, jashtë vullnetit të anëtarësisë së identifikuar të partisë dhe të strukturave të saj, më japin arsye dhe kurajë të mos jem pjesë e as pjesëmarrës në Kongresin “zgjedhor” të PDK-së. Përmes këtij procesi “zgjedhor”, kreu i saj ka bërë zgjedhje për të kënaqur ambiciet e tij dhe vetëm të tijat, por jo zgjedhje për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka shkruar në letrën e tij Krasniqi.

Për letrën e Krasniqit nuk kanë dashur të flasin zyrtarët e PDK’së.

Sidoqoftë, Kryetari i Kuvendit ka thënë se në ditët në vazhdim do të bëjë publike të ardhmen politike, ndërkohë më herët nuk e ka mohuar mundësinë e krijimit të një partie të re.

“Unë kam kërkuar dhe do të angazhohem për subjekt politik që bën zgjedhje të ndershme për qytetarët e Kosovës, të cilët meritojnë një jetë më të dinjitetshme”, ka shtuar ai.

Jakup Krasniqi bashkë me Nënkryetarin e Parë të PDK’së, Fatmir Limaj ka kohë që janë pozicionuar kundër nismave të Qeverisë dhe të Hashim Thaçit.

Pikërisht Limaj është bërë shkak pse Jakup Krasniqi ka vendosur të bojkotojë Kongresin e PDK’së. Ai kishte kërkuar shtyrjen e Kongresit derisa të lirohet Limaj, i cili po përballet me akuza për krime lufte dhe për korrupsion.

Megjithëkëtë, kërkesa e Krasniqit është refuzuar nga Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi.

Njeriu që ka marrë më shumë se 34 mijë vota në zgjedhjet e fundit nuk e ka përmendur në mënyrë eksplicite largimin nga partia, por ka thënë se s’ka mundur të heshtë përballë situatës së krijuar në PDK.

“Duke mbajtur qëndrim kritik ndaj veprimit tonë, rrjedhimisht ndaj individëve në subjektin tonë politik, ne nxisim aktin më të lartë të ndërgjegjes sonë si rregullator ekuilibri. Sigurisht që e kundërta e kësaj, duartrokitja hipokrite, vardisja, paqja e rreme në sipërfaqe, do të ishte më e lehtë”, ka thënë ai.

“Më e lehtë në dukje, por me qelbëzim brenda. Mbi lakminë dhe shkëlqimin e përkohshëm të sedrës falso parapëlqej çmimin e peshës së rëndë për mosbrerje ndërgjegjeje nesër”, ka shtuar ai.

Sekretari i PDK’së ka akuzuar Thaçin se e ka mbytur debatin, e ka mbytur idealin kombëtar dhe se ka emëruar njerëz nëpër institucione pa kurrfarë kriteresh.

Krasniqi ka përmendur edhe skandalet e Grandit dhe të pasaportave, ku nuk ka pasur debat brenda partisë.

“I ndërgjegjshëm se llogaridhënia nuk është përherë vetëm instanca e gjyqësisë, ndëshkimet e penalizimet (që edhe mund të manipulohen e devijohen), po para së gjithash përballja me vetveten dhe opinionin publik, më bëjnë që të mos e vë në pazar dinjitetin tim (thyerja e të cilit do të ishte e parikuperueshme)”.

Ai ka treguar historikun e problemeve në parti, duke thënë se krejt kjo ka ardhur për shkak se “Thaçi po krahasohet me shenjtor”.

“Për më shumë se dy vjet nuk e pashë këtë gatishmëri dhe, sidomos jo, nga sundimtari i gjithëpushtetshëm i PDK-së, siç e percepton ai veten, i cili e shfrytëzon partinë për çdo gjë e si do ai, si një pronë private me shumë çipçinj të tij. Ata duhet të flasin, sipas tij, vetëm atë që e mendon shefi ose të heshtin sepse shefi mendon për të gjithë, sepse shefi i di të gjitha dhe vendos për çdo gjë. Kjo ka bërë që ai të shpallet edhe shenjtori i fundit i botës sonë, gjë që nuk ndodh asgjëkund në botën demokratike”, ka kritikuar Krasniqi.

Jakup Krasniqi ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm prej se është themeluar PDK’ja në vitin 2000. Ndërsa, pozitën e Kryetarit të Kuvendit prej vitit 2007.

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.